Lexues

giovedì, gennaio 14, 2016

Pamflet: Edhe reformë edhe e ... rruar


Tipike shqiptare. Tipike sallatë shqiptare e përgatitur nga sallatorët (shqip kastravecët) e parisë politike shqiptare. Sallatë nga ajo e egra dhe shumë e njelmët (Për analfabetët e shqipes, sallatë me shumë e kripë që nuk e hanë as qentë e uritun të lagjes)

Reforma në drejtësi po shëndrrohet në një reformë në Dreqtësi!
Një reformë që do ta bëjnë persona që kanë patur apo kanë, të paktën dy probleme me drejtësinë. Thashë dy se të gjithë janë të akuzuar për më shumë se një herë, apo ia kanë hedhur drejtësisë të paktën  disa herë!
Më e bukura e këtij diskutimi është se palët nuk duan pjesëmarrjen e njëri -tjetrit në këtë reformë, të cunguar dhe sakatuar që në nisje. Merre me mend se në ç'gjendje do të përfundojë me sakatimet dhe cungimet e marra!

Kështu si gjithëherë Rama nuk do Lulin, Luli nuk do Metën, Meta nuk do as Ramën e as Lulin, (por bën sikur i don shumë të gjithë) e Berisha që nuk i do asnjërin. Të gjithë nuk duan njëri -tjetrin e për rrjedhojë edhe reformën!

Papritmas na i del gjumi edhe presidentit Nishani (kishte humbur pa nishan) që ankohet se nuk është pyetur apo marrë opinioni i tij për drejtësinë, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë! (edhe kryetar, edhe këshill, edhe i lartë, edhe drejtësisë  -emërtim shumë i bukur, shumë tringëllues). Nuk mjafton që është president por dashka të japë edhe opinione!

Nga bregu tjetër ne, populli, që kërkojmë të bëjmë drejtësi në lokalin e klubit të fshatit që e quajmë qytet dhe të qytetit që e e kemi kthyer në fshat. Reforma jonë është me njërën dorë në gotën e pijes, e me tjetrën duke vënë firmën në listën e borxhit. Këtë listë -defterin e borxhit pijanik,  na e tund para syve pronari i lokalit sa herë kundërshtojmë politikën e tij për reformën në drejtësi. Dhe na e tund në publik!

Drejtësi apo Dreqtësi!
Gjejeni vetë, se mua, ndërsa të gjithë flasim me kompetencë për reformën në Drejtësinë shqiptare, për ekspertë të palëve, për drafte (shqip nuk e di) të palëve, për përjashtime të palëve, më bie ndërmend të them:
Dashkeni edhe Reformë, edhe Drejtësi, edhe pa përfshirë krenat e përndrituna të politikës shqiptare.

Dashkeni edhe Reformë edhe ... Reformë të rruar!
Hajt pra: Rroftë Reforma!


Edmond Kaceli, 14  janar 2016

giovedì, dicembre 31, 2015

Me #zekthi 2016 do te jete me mire!

Gezuar 2016 nga Zekthi. Me #zekthin 2016 do te jete nje vit me i mire dhe me i mbare per familjet tuaja. Kete e tregon edhe kjo foto e realizuar ne daten 31 dhjetor 2015, ne zonen e Piemontes, Langhe, Itali. Zakonisht ne kete date bie bore dhe temperaturat jane nen zero grade.
Por fale ngrohjes globale, dhe ngorhtesise se  #zekthit, temperaturat jane te larta dhe i ftohti nuk ndihet.
Gezuar! Me #zekthin jeta eshte me  e lumtur!

domenica, novembre 29, 2015

Për Flamur, për Liri!


 
Thanë: E ngritëm flamurin!
-Por Flamuri shtizëthyer si në një stafetë të çmendur kalon nëpër duar horrash!
Thanë: U çliruam!
-Por Liria nuk a ardhë edhe sot e kësaj dite!

E njerëzit e marrë, ata të thjeshtët, ata që plagosen, ata që vriten për Flamur e për Liri, herë pas here besojnë.
Besojnë marrëzisht se Flamuri ështe ngritë
Besojnë marrëzisht se Liria ka ardhë!

Njerëz të çmendur! Njerëz pafundësisht të marrë!
Festoni!


Edmond Kaçeli, Itali nëntor 2015

lunedì, novembre 23, 2015

Kupa e mallit... nga E.Kaceli

Kisha me dashtë,
                            sa shumë,
                                           sa shumë,


sa fort kisha me dashtë
afër teje me ndodhë
me një kupë kristali në dorë
me një kupë të mbushun plot me mall
me mallin e viteve që arratinë marrin
                                                            përditë
me mallin e ndarjes, peshërëndë
me mallin e heshtjes
që në heshtje na mbytë

O sa fort kisha me dashtë!
-vetëm nji natë me kupën e mallit përpara
ne të dy, vetëm ne të dy
e bota përreth që pushon,
                                        që hesht,
                                        që nuk është më
e ne të të dy që e zbardhim ditën
e zbardhim ditën e lume pa folë
veç me kupën e mallit të mbushun plot
                                                 veç me kupën e mallit të ngrime në dorë

                                                                      Itali, fund nëntori 2015

domenica, novembre 08, 2015

Valixhja bosh... (në dy kohë) nga E. Kaceli

Një urë e vjetër
një urë e vjetër guri
                               e vjetër sa Bota
Përmbi urën e vjetër, një fëmijë
një fëmijë me një valixhe të rëndë
Mbi urën e vjetër një fëmijë tërheq
                                            një valixhe të vjetër
të vjetër dhe të rëndë
të rëndë sa pesha e Botës
një valixhe të dalë boje, të ngrënë cepash
një valixhe të mbushur plot me ëndërra
me ëndërra që kurrë nuk guxoi ti shihte...

Një urë e vjetër
një urë e vjetër guri
                               e vjetër sa Bota
Përmbi urën e vjetër, një fëmijë
një fëmijë në moshën e burrit
                                                tërheq
                                                          një valixhe të vjetër
tërheq një valixhe të rënduar prej peshës së viteve
një valixhe të dalë boje, të ngrënë cepash
një valixhe bosh.
Bosh. Bosh.
-se ëndërrat ikën nga pesha e frigës
Ikën, u larguan
si të mos kishin ëndërruar kurrë...

Dhe këmbët e lodhura përplasen në urë
në urën e vjetër, në urën e lashtë
në urën ndërtuar me gurët e heshtjes ...


(Ura e Tabakëve, Tiranë, gusht 2015)

domenica, settembre 20, 2015

Premtim... nga Edmond Kaceli

Kur dielli të shkrihet
Të shkrihet,
                     të shuhet,
                                     të mos jetë më
Kur dielli të shuhet
të mos jetë kurrë më
Pranë teje do të vij,
                               do të ndizem
                                                       do të digjem
Pranë teje do të jem
Vendin e diellit  të zë...

domenica, luglio 19, 2015

Pamflet: Kryeudhëheqësi (lideri) i Ballkanit

nga Edmond Kaceli

Udhëheqësit e Ballkanit janë të shquar, të thekur politikisht e të zgjuar mendërisht. Ata janë ajka e nacionit që përfaqësojnë. Janë të denjë për të drejtuar, me aftësitë e tyre të rralla çdo shtet të madh a të vogël në çdo qoshe tjetër të botës.

Mjafton të shikosh se çfarë zhvillimi kanë vendet e tyre ku drejtojnë. Asnjë problem krize morale, politike dhe ekonomike. Vendet e ballkanit janë më të zhvilluarat në Botë, Europë dhe janë gjithashtu më të zhvilluarat edhe në Ballkan!

Popujt ballkanas janë më të lumturit në Botë, në Europë, madje popujt e Ballkanit janë edhe më të lumturit në Ballkan!

Në Ballkanin e dikurshëm ku mbizotëronin lufta dhe urrjejta ndëretnike sot mbizotëron paqja dashuria dhe solidariteti i zjarrtë në mes nacioneve. Dhe kjo dashuri mishërohet sa e sa herë në forma të ndryshme dhune e përplasje ndëretnike. Se dashuria e ballkanasve për njëri -tjetrin është pak a shumë si dashuria e sadomazokistëve! (Që për të padishmit përkthehet, afërsisht, dashuri e dhunshme)

E gjitha kjo vetëm në sajë të udhëheqësve (liderve) largpamës, shpirtgjërë, të pashëm, (se të jesh lider në Ballkan duhet të jesh ose i gjatë ose i pashëm ose të dyja bashkë), natyrisht gramacioni i truve nuk hyn në punë!

Liderët e Ballkanit kanë vetëm një sëmundje të vogël kohët e fundit: I ka zanë malli me zgjedhë një Kryelider. Se Ballkanit i duhet një Kryelider! Një Kryelider e plotëson krejt bukur pamjen groteske të politikës dhe politikanëve ballkanas që ulen nga pushteti vetëm po ti marrësh me shkelma bythëve të dhjamura nga shëndeti!

Thuhet se në fshehtësi është organizuar një takim i gjithë liderve të shteteve të Ballkanit. Natyrisht me dëshirën dhe dashurinë e zjarrtë, të e popujve që përfaqësojnë. Në takim është folur, propozuar dhe votuar. Takimi ka pasë një rezultat të pritshëm. Një rezultat tipik ballkanas:
Secili udhëheqës, i secilit vend të Ballkani, ka propozuar për Kryeudhëheqës, (Kryelider): VETEN!
Pas votimit dhe numërimit të votave të gjithë kishin votuar: VETEN!
Me unanimitet të plotë liderët e Ballkani shpallën Kryelider te vendeve të gadishullit Ballkan: VETEN. 

Shënim: Sa për ilustrim po i shtoj këtij njoftimi edhe një foto të mbledhjes së liderëve. Zgjidhni e merrni!

martedì, giugno 23, 2015

Interpretimi i votes nga Edmond Kaceli (analist)

Analist siç, shtate miljon shqiptare brenda dhe jashte kufinjve natyrale te dheut te shqipeve!

Zgjedhjet e fundit lokale me rezultatin e tyre treguan edhe nje here se politika shqiptare funksionon pak a shume siç eshte situata ne kete foto:
Dy partite aleate fituan shumice absolute! Nderkohe Partia Socialiste, ne sensin praktik ia futi Lidhjes Socialiste per Integrim.
Nga ana tjeter partia demokratike dhe aleatet e saje, duke fituar nje numer minimal bashkishe, bejne sehir pasi ia kane futur vetes. Diku i fshehur ne foto qendron edhe ndonje ia pavaruar qe nuk eshte ne gjendje t'ia fuse as te tjereve dhe as vetes.
Ne fund te fundit e gjitha partite i kane hipur lules! Dhe nuk do te ulen derisa lulja te thahet!

venerdì, maggio 29, 2015

Zinxhiri i harruar nga E. Kaceli


Në qendrën e pyllit mblodhi anëtarët
kryetar' i Bio -social- erbivores
për një fjalim tepër programatik
shkruar nga "grand reformatores":

Pylli ynë i ndritur,
                             gjigand,
                                          madhështor
nga hapja e rrënjëve, deri në farëzim
e ushqen pa masë sektin erbivor
Pyll ynë i shenjtë -jetoftë në amshim"

Ndaj duke parë potencialin pyllor
nuk kemi nevojë ndërrimi tjetër
Mbështetur në kapacitetin stomakor
në pylli tonë do të gjallojmë si mbretër...

Ishte larg kryetari, më lag refomatorët
Zinxhirin ushqimor harronin. Të gjorët.