Lexues

Visualizzazione post con etichetta votimet. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta votimet. Mostra tutti i post

martedì, maggio 02, 2017

Ku është problemi këtu!

-satirë nga E. Kaceli

Do të bëjmë zgjedhje të lira, demokratike, dhe shëmbullore. Më të lirat, më shembulloret dhe më demokratiket në të gjithë botën!
Më të lirat, më demokratiket dhe më shembulloret në të gjithë Azinë!
Më demokratiket se në USA! Më të bukurat në Europë! Më shembulloret në të gjithë Ballkanin!
Madje do të bëjmë zgjedhjet më të lira, më demokratike, dhe më shembulloret se në vetë Shqipërinë që e duam fort!

Më të lirat, sepse duke qenë një koalicion, dhe disa partiçka të vogla, krejt të vogla, nuk do të shpenzojmë asnjë kokërr leku për reklama, spote marramendëse, xhiro me autobusë, bileta udhëtimi falas, e më the, e të thashë!
Krejt si në ato lajmërimet përkujtimore "Ju presim për vizita pa shpenzime!" -Jena popull i zgjuar e jo lojna!
Do të jenë më demokratiket, sepse do të votohet në mënyrë pluraliste sipas parimit demokratik "Voto kë të duash, por sot jam vetëm unë në listë!".  E shqipëruar në gjuhën pellazgo -ilirishte: Unë jam edhe pula edhe sorra! - Zgjidhni e merrni çfarë do të hani për katër vjet!"

Do të jenë më shembulloret! Mbështetur në parimin "Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë" Që don me thanë:

Unë kandidoj! Unë votoj! Unë numëroj! Unë fitoj! Unë qeveris!

Një nga parimet parimet themelore të demokracisë tipike shqiptare i sanksionuar edhe në Kushtetutën e Republikës që është Bibla e demokracisë sonë të ndërtuar me mund e sakrifica!

Nëse populli i don, i don, dhe i don fort, nuk e kuptoj ku qëndron problemi këtu?! Le të qeverisin edhe për katër vite të tjera, siç kanë qeverisë deri më sot! Duke e kthyer vendin në një kopsht të gjelbëruar në zemër të Europës, shembull të demokracisë, zhvillimit, korrupsionit, mirëqenies, mirëqeverisjes... dhe shumë të mirave të tjera që për arsye sekreti shtetëror nuk po i vëmë në dukje!...


Veç mos harroni atë këngën e bukur partizane, me të cilën do të zëvendësojmë Hymnin e Flamurit "N'ato maja rripa-rripa\ një herë më hipe\ një herë ta hipa"!

venerdì, maggio 29, 2015

Zinxhiri i harruar nga E. Kaceli


Në qendrën e pyllit mblodhi anëtarët
kryetar' i Bio -social- erbivores
për një fjalim tepër programatik
shkruar nga "grand reformatores":

Pylli ynë i ndritur,
                             gjigand,
                                          madhështor
nga hapja e rrënjëve, deri në farëzim
e ushqen pa masë sektin erbivor
Pyll ynë i shenjtë -jetoftë në amshim"

Ndaj duke parë potencialin pyllor
nuk kemi nevojë ndërrimi tjetër
Mbështetur në kapacitetin stomakor
në pylli tonë do të gjallojmë si mbretër...

Ishte larg kryetari, më lag refomatorët
Zinxhirin ushqimor harronin. Të gjorët.

venerdì, maggio 20, 2011

Pamflet: Kunguj, kungullesha dhe kryekunguj

Kam një kungulleshë, e ndaj në dy pjesë... Sa herë i peshoj më dalin njëlloj.
Më besoni!- ka disa ditë që po mundohem ta ndaj atë dreq kungulleshe në dy pjesë jo të barabarta. Në çdo mundim timin, të shkuar kot, rezultati është i njëjtë.

Dy kunguj gjysma, dy gjysmakunguj, të barabartë. Të barabartë në mënyrën më perfekte.

Kanë vetëm nja dy tre ndryshime të vockëla e të parëndësishme.
Njëri është ngjyrë rozë, me nuanca që tentojnë nga boja e verdhë. (Rozë i zverdhëcitun)
Tjetri është ngjyrë blu, me tendenca që tentojnë nga ngjyra rozë. (Blu i dalë boje)
I pari, rri përherë Verdhacuk në fytyrë,- Kungull i Fytyrës së Vrerosur –sipas Servantes
I dyti, rri përherë i Qeshur në fytyrën e rrumbullt, – Kungull që Qesh- sipas Hygo
Ndryshimi i paktë. Thelbi po ai : Kunguj të baraz ndarë nga e njëjta kungulleshë!

Për hir të këtyre ndryshimeve të parëndësishme, në tregun e kungujve janë hedhur me të njëjtin çmim.
E duke pasë parasysh raportin kërkesë –ofertë, mijëra njerëz të ngjashëm me njëri -tjetrin, më shumë se ç’ngjajnë dy kungujt tanë, kanë dalë në tregun e perimeve për të blerë secili kungullin e vet. Thërrasin. Bërtasin. Çirren.
Thonë: Ky është imi! Me këtë fitohet! Ky fitoi! Tjetri vodhi! Hajdut! Vrasës! Kriminel! Kungulli im fiton! Fiton Kungulli im! Ngatërrova arkën! Ngatërrova kungullin! Numëro! Mos numëro se ta numëroj!

Aq shumë janë marrëzuar njerëzit –blerës, sa janë të gatshëm ta njësojnë veten me kungujt dhe të thërrasin e bërtasin, për dy kungujt e hedhur në treg duke i quajtur parakohe, Kryekunguj!
Në këtë tollovi, dreqi e merr vesh cili është më kungull se tjetri nga dy gjysmat e Kungulleshës. Cili është kryekungulli i vërtetë!
Dhe njerëzit –blerës –tifozë, janë gati të thërrasin për të ndarë Kungulleshën, kunguj a kryekunguj të tjerë.
Dikush nga Republika jonë e Kungujve bërtet që të vijnë disa ekspertë –kunguj (mos o Zot!) nga bota e qytetëruar. Këta ekspertë të thekur, prej mënyrës që përdorin, nuk janë as kunguj për mish, as kunguj për lesh.
Në këtë pikë hyjnë në lojë edhe disa Kryekunguj të tjerë, diç më të mëdhenj në peshë e në format!

Burime të mosvaruna thonë se njëri është Kryetari i Koalicionit të Kungujve, armik i përbetuar i koalicionit të dreqtuar nga Kungulli i Fytyrës së Vrerosur.
Në rangun e kungujve është edhe një tjetër Krykungull. Kryekungull i të gjithë kungujve dhe Kryekungujve, bij të Kungulleshës. Njëfarësoj Kryekungulli Suprem!
Burimet rreken të vërtetojnë se Kryekungullin Suprem nuk e pyet kush as’ sa për një kungull normal.
Ja pse kam mbetë dhe rikthehem prapë tek loja e Kungulleshës: Kam një Kungulleshë, e ndaj në dy pjesë... sa herë e peshoj, më dalin njësoj.

Të gjitha ato që shkrova ishin thjeshtë sa për të mbushur rreshtat se unë e di mirë shprehjen: Me zjarrin dhe me bijtë e Kungulleshës (Kungujt –pavarësisht nga madhësia dhe ngjyra) nuk luhet!
Dhe unë nuk luaj: Kam një Kungulleshë...
nga E. Kaceli