Lexues

sabato, dicembre 01, 2012

Lotët nuk po thahen...

nga E. Kaceli

Kyçur
mes akullit të murtë
hekurash dhe drynash të ndryshkur
qarkuar kokë,
trup,
e shpirtë,
vrraguar prej kujtimit se
ti je diku larg meje trupërisht
e dashur! Lotoj orë e çast
vetminë tënde dhe mbytem
në hidhërimin e lotit
të vetmisë time.

Larg dhe afër…
Rrokullohen lotët mbi dyshemenë
e palarë tash sa shekuj
(të paktën qysh në shekullin e shpikjes së qelive)
e mbesin mbi të –diamante të dhimbjes
në plehun ku ra shpirti njerëzor.
Kërcasin diamantet –të pakapshme
eter jetëdhënës –shoqërues të denjë
për shpirtin tim rrethuar
prej muresh, telash, drynash, minjsh, hekurash,
myqesh lloj –lloj, policësh verdhacukë, krimbash,
mizash,
britma zogjsh rreth e qark, pemë që nuk çelin kurrë,
kalbësinash gjithfarë,
si për të mos harruar se diku ti je gjallë.

E, unë, pa zë
mbytem orë e minut, në lotët helm
të vetmisë. Loti –lotin nuk e
len të thahet.
Orë e çast e brishtë
hija jote nuk po më ndahet.
Kujtesë? –a çfarë!
Sillet në ajrin e terrtë, fosforeshente
hija jote
Si për t’më kujtuar pse jam ende gjallë.

E dashur!
Po mbytem, brenda vetes,
po shembem,
                     po krisem,
                   po çahem,
po digjem nga malli.
Ah lotët! Lotët!
Lotët nuk po më thahen!

Lisburg ’95 –Alba, It, 2012