Lexues

mercoledì, gennaio 23, 2019

Kronikë e një gjumi të paralajmëruar

 Nga Eralda Baze

Mjafton një lajm i keq
Si: një jetime siriane po vuan e po heq
Apo: një rus e një serb kuvendojnë në Ballkan
Apo: lotët patriotikë të krokodilave tanë
Dhe më vjen të ul siguresën
Të zhytem në heshtje, të trimëroj shpresën.



Sikur shpëtimi të ish kaq i lehtë...
Fqinji i papunë fillon e bërtet:
mallkon qeverinë, krizën, fatin,
qiranë, ujin, dritat, sahatin.
Poshtë në rrugë dy lypësa bëjnë
shamatë:
kazani i plehrave dhe sot i la thatë.



Veç Lola e bukur s’e prish terezinë:
jep urdhra lozonjarë që ta marrin me makinë.
Roberti ankohet: “Ku më hodhi Zoti?”
Ishte në Belgjikë, por u kthye patrioti.

Nga rafti i librave Naimi qan pa zë:
male, lisa, lumenj, s’ka ngel më asgjë...
Se poemat janë shterp mor Rilindas i mjerë,
adashët e tu sot me to po bëjnë nder.

U vënë emra të huaj, herë shkurt, herë gjatë:
PPP, koncesione, veç jo shqip “me zhvat”.

Pak valium po kërkoj me dhimbje, me ngulm
Dhe nga vendi i shkund gjithë sirtarët,
Shpëtimin tashmë pres ta gjej në gjumë,
Siç priste Kavafis barbarët...