Lexues

lunedì, agosto 24, 2026

Darka e manekinëve poezi nga E. Kaceli













Nga lart, pafuqishëm, shoh
turmën e manekinëve
Përlyer deri në veshë
me trutë e mija
duke ushqyer
zbrazëtinë...

O, ç'darkë e gëzuar!
Darkë e gëzuar
trishtim'i truve të mija.

Itali 2026

lunedì, agosto 10, 2026

Qimëzimi i embriomorfologut Dalipaj! nga E. Kaceli


Ndiqja shkencëtarin e madh, embriomorfologun Agron Dalipaj, dhe kisha MiQëSi me të në social. Shpesh teoria e tij e embriomorfemave është më shumë se interesante! Por me ketë spjegimin e fundit të fjalës "Miqësi", e ka tejkaluar edhe veten !
Me një fjalë ia paska Qi -më -zua robt embriomorfemolo -Qisë! Çdo kush ka të drejtë të kundërshtojë e ta Qi-më-zojë me fakte shkencore teorinë e Agronit! (Por ruajuni se dilni kundër mendimeve të tij shumë shQiensore! Iu bën bllok!)
MeQiNëSe më bëri bllok, edhe mua, mund ta shijoni shkrimin origjinal në faqen e studiuesit Dalipaj! Përndryshe me shkurtime po iua paraQies në "zekthi" bashkë me urimin tradicional pellazg: Na Qioftë (kjoftë) për hajër MiQiSia!)


"MIQËSI = QIMËSI? A mos ruan gjuha shqipe kujtesën e lidhjes së parë njerëzore? Fjalët ndonjëherë nuk na tregojnë vetëm çfarë mendojmë sot. Ato mund të ruajnë gjurmë të mënyrës se si njeriu i lashtë e përjetonte botën. Një nga këto fjalë është MIQËSI.
Sipas një leximi të Metodës së Embriomorfemave (EM), mund të shtrohet një hipotezë shumë më provokuese: MIQËSI < MI-QË-SI < QI-MË-SI = QIMËSI. Pra, MIQËSIA mund të jetë një kuptim i zhvilluar nga një koncept më i hershëm i lidhjes intime. QI — bërthama e bashkimit?

Nëse QI merret si embriomorf që shenjon aktin e bashkimit seksual, atëherë një seri fjalësh shqipe bëhet e pazakontë: MIQ < QIM PËL-QIM < PËR-QIM KË-NA-QI-SI < KENA-QI-SI = SI-KENA-QI S-QI-MË-TAR < S'QI ME TËRË
HIQen qentë < QIHen qentë NDIQen macet < ND-QI-en macet PËRÇIT < PËR-ÇIT < PËR-QI-T = PËR-T' QI dhe: ÇIFT < QIFT < QI-VET < VET-QI hen A kemi këtu vetëm përkime tingullore?
Apo emriomorfja [QI] po na shfaqet si një bërthamë kuptimore që lidhet me bashkimin? KËNAQËSI — “KË NA QI”? Edhe fjala KËNAQËSI merr një pamje tjetër: KËNAQËSI < KË-NA-QI-SI < “KE NA QI, SI...” = SI KENA QI < si të kesh përjetuar qi(rjen) < kënaqësi.

Në gjuhën e sotme, sigurisht, kënaqësia nuk është vetëm seksuale... A mund të jetë abstraguar “kënaqësia” nga një përvojë shumë më konkrete dhe trupore e njeriut të hershëm?
Nëse po, atëherë rruga semantike mund të imagjinohet: bashkim trupor > kënaqësi trupore > kënaqësi > përmbushje > kënaqësi shpirtërore dhe shoqërore.
SQIMËTARI — “S'QI ME TËRË” Edhe SQIMËTAR mund të lexohet: S-QI-MË-TAR < S'QI ME TËRË < nuk qihet me të tëra < është përzgjedhës < ka s'qi-më.
Këtu kemi një kalim interesant: mospranim i të gjithëve > përzgjedhje > sqimë. Pra, kuptimi abstrakt i sqimës do të mund të ishte zhvilluar nga një ide shumë konkrete e zgjedhjes së partnerit.
PO “NDIQEN MACET”? NDIQEN MACET< ND-IQ-EN ND-QI-EN MACET. Edhe këtu del QI. Ndjekja është lëvizje drejt tjetrit; afrimi është parakusht i lidhjes.

Nëse QI ka vlerë të lidhur me bashkimin, atëherë seria duhet të testohet pikërisht në këtë pikë: ndjekje > afrim > bashkim. “PO HIQEN QENTË” Edhe: HIQEN QENTË mund të riformulohet në lojën e rotacionit: HIQ-en < QIH-en. Nuk po themi se shqipja standarde i barazon hiqen dhe qihen.
...DHE ÇIFTI? Më intriguese bëhet fjala ÇIFT: ÇIFT < QIFT < QI-VT < QI-VET < VET-QI-hen. 

Leximi që propozojmë: ÇIFT = dy vetë të lidhur nëpërmjet bashkimit. Kjo na çon te një ide më e gjerë: QI < bashkim < çift < lidhje < miqësi. Dhe këtu fillon filozofia. MIQËSIA SI “GJAK I PËRZIER” Në shoqëritë e hershme, lidhja ndërmjet dy fiseve nuk ishte thjesht një fjalë. Ajo mund të krijohej përmes: martesës > çiftit > lindjes > farefisnisë > aleancës. Kështu, dy njerëz bëheshin çift; dy familje bëheshin krushqi; dy fise bëheshin aleatë. Pra: lidhja trupore > lidhje familjare > lidhje fisnore > lidhje shoqërore > MIQËSI. ...QI > bashkim > çift > marrëdhënie > kënaqësi > afërsi > miqësi...
Ndoshta njeriu i parë nuk kishte nevojë të filozofonte për të ndërtuar fjalët që trajtuam këtu. Prandaj hipoteza bëhet: MIQËsi < QIMËsi = QIMËSI dhe pranë saj: PËR-QIM > PËL-QIM > PËLQIM KËNAQËSI < KENAQISI = KENA QI SI = SI KENA QI S-QI-MË-TAR < S'QI ME TËRË Nëse këto janë vetëm përkime tingullore, ato duhen rrëzuar me prova...
Kjo nuk është ende një etimologji e provuar dhe e pranuar nga Gjuhësia Historike. Është një hipotezë e EM-së që kërkon të testohet. Por pikërisht hipotezat që mund të testohen janë ato që ia vlejnë të diskutohen.
E mbyll diskursin e tij fenomenal z. Agron Dalipaj!
-Shkurtoi studimin E. Kaceli

domenica, agosto 02, 2026

Shqipëria një hap larg prodhimit të Bombës Bërthamore! -Satirë nga E. Kaceli


Të dashur qytetarë, bëni mirë të kapeni fort pas karrigeve, të kontrolloni bunkerët e vjetër të Enver Hoxhës, në pastë mbetur ndonjë pa u prishur; të blini ndonjë pako jod shtesë në farmacinë më të afërt. Jo se ka ndodhur ndonjë krizë e re në Lindjen e Mesme apo se Kim Jong-un ka vendosur të hapë një degë të programit të tij bërthamor në Ballkan, por sepse në horizont lëviz gjithmonë një rrezik shumë më i madh: krijimtaria e pakufishme e Edi Ramës.
Mendonim se e kishim parë gjithçka. Kemi parë fasada me ngjyra pastel që fshijnë mjerimin, kemi parë korridore digjitale ku çdo gjë zgjidhet me një klikim në e-Albania, kemi parë shatërvanë që kërcejnë dhe stadiume që kushtojnë sa gjysma e Buxhetit të Shtetit. Kemi duruar koncesione, inceneratorë që punojnë vetëm në dimensionin paralel, dhe rilindje urbane që lulëzojnë më shpejt se lulet në pranverë.
Por, duke njohur ambicien e pakufishme të kryeministrit për të hyrë në histori jo thjesht si kryeministër, por si një lloj faraoni modern i Ballkanit Perëndimor, pyetja që duhet t'i bëjmë vetes me frikë është: Po sikur t'i teket?

Imagjinoni vetëm skenën. Një mëngjes, gjatë një prej llomotitjeve të tij artistike në Facebook apo në ndonjë podcast ku flet me veten, Rama shpall me atë tonin e përgjumur por filozofik: "Miq, Shqipëria nuk mund të mbetet peng e teknologjive konvencionale. Ne jemi vendi i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, dhe tani… i uraniumit të pasuruar në Surrel."
Dhe menjëherë nisin punimet. Angazhohet parlamenti, qeveria dhe patronazhistët!
Krijohet menjëherë "Ministria e Rilindjes Atomike dhe e Estetikës Bërthamore", e cila do të drejtohej nga ndonjë arkitekt italian me origjinë pellazge, që nuk ka lidhje me fizikën bërthamore, por që di të vizatojë reaktorë në formë lulesh.
Puna për ndërtimin e centralit bërthamor do t'i jepej një kompanie offshore me kapital zero euro, të regjistruar në ndonjë ishull ekzotik, por që fiton çdo tender sepse është e vetmja që kupton Vizionin e Madh.
Për të mbrojtur veten nga sulmet e Bashkimit Evropian, do të na thuhej se kjo armë bërthamore nuk është për të sulmuar askënd, por është thjesht një "instalim artistik ndërkombëtar" për të tërhequr turizmin e lartë të nivelit Turizëm Bërthamor! -dhe për t'i treguar botës se Shqipëria nuk fshihet më pas gishtit të mesit!

E vërteta është se ne shqiptarët jemi mësuar me gjithçka. Kemi mbijetuar kalimit nga komunizmi te kapitalizmi i egër, nga piramidat financiare te gropat e gropëzimet e përhershme rrugore. Nëse Edi Rama vendos të ndërtojë bombën atomike, jini të sigurt se ajo ose do të vonohet për 20 vjet, ose do të përfundojë vetëm si një maket kartoni në Parkun e Liqenit, ku fëmijët bëjnë foto, ndërkohë që fondet e saj kanë përfunduar diku në ndonjë kullë me pamje nga deti.

Prandaj, le të lutemi sot, nesër dhe çdo ditë: Dashtë Zoti e Edi Ramës nuk i shkon ndërmend të prodhojë armën bërthamore. Sepse, po i shkoi ndërmend, i vetmi shpëtim do të jetë që reaktori të bllokohet nga ndonjë burokraci e çmendur e kadastrës shqiptare! Ose nga Revolucioni i Flamingove!
E. Kaceli

sabato, agosto 01, 2026

Blindat e shpuara të propagandës qeveritare nga E. Kaceli

 

Kur qeveria përpiqet të shesë një operacion montimi si një mrekulli të industrisë së rëndë ushtarake, qytetarët nuk vonojnë t'i përgjigjen me armën më të fortë që kanë: ironinë dhe memet në rrjetet sociale.
Sapo u hodh në qarkullim narrativa zyrtare për mjetet e kompanisë TIMAK – të krijuara në bashkëpunim me kompaninë shtetërore të mbrojtjes (KAYO) – interneti u mbush me batuta që tallnin "Made in Albania"! Shasitë, karroceritë dhe motorrët, e Toyota-s apo MAN-ët e gjermanit, na kujtuan të gjithëve se nga "Made in Albania" shpesh e vetmja gjë vendase ka ngelur vetëm logoja "TIMAK"! Por edhe ajo bashkë me shiritat inagurimit i marrim nga kinezi kioskave!
Ndërsa rrjetet sociale qeshin me këtë flluskë mediatike, pas fasadës fshihet një debat shumë më serioz rreth ekonomisë, propagandës dhe keqpërdorimit të institucioneve.
Nëse shikojmë me kujdes natyrën e këtyre mjeteve taktike, zbulojmë një të vërtetë krejtësisht ndryshe nga ajo që transmetojnë kronikat zyrtare. Shasia dhe motorët janë të huaj – zakonisht marka të njohura si Toyota apo MAN. Lëndët e para bazë, çeliku balistik dhe bojërat speciale nuk prodhohen në Shqipëri, pasi vendi nuk disponon një industri metalurgjike apo kimike ushtarake, madje s'ka industri hiç!
(Vetëm nëse qeveria llogarit turizmin si industri e rëndë!)
Në thelb, ajo që ndodh në terren është një proces mbivendosjeje: mbi një platformë tashmë të gatshme dhe të testuar ndërkombëtarisht, vendoset një superstrukturë, kryhet një montim i pjesëve të blinduara dhe integrohen pajisje shtesë. Ky aktivitet zhvillohet pikërisht në bashkëpunim me kompaninë shtetërore të mbrojtjes (KAYO), një strukturë përmes së cilës qeveria bëhet palë në këtë sipërmarrje.
Në këtë bashkëpunim publiko-privat mund të shohim thjeshtë një nismë legjitime biznesi. Por ka një hendek të madh midis realitetit teknik dhe mënyrës sesi ai shitet si një revolucion industrial.
Revolucioni industrial i qeverisë së rilindjes na sjell paralelizmin e së kaluarës kur Uzina e Autotraktorëve në Tiranë prodhonte të ashtuquajturin traktor "shqiptar" DT-54. Traktor që u ndez dy vetëm dy minuta!
Dallimi sot qëndron te fakti se ekonomia është e hapur dhe askush nuk pretendon zyrtarisht se çdo gjë prodhohet nga zeroja. Megjithatë, përdorimi i një kompanie shtetërore si mburojë për të legjitimuar dhe amplifikuar këtë narrativë tregon se si strukturat publike, e private, vihen shpesh në shërbim të marketingut politik. Problemi nuk është tek importimi i pjesëve – që është praktikë standarde globale – por tek keqpërdorimi i këtij partneriteti nga pushtetarët për të shitur një montim privat si një mrekulli të industrisë shtetërore të armatimit.
Marketingu politik shfrytëzon dëshirën e qytetarëve për të parë vendin e tyre të zhvilluar, duke na ofruar një kompani private dhe bashkëpunimet e saj zyrtare si një super-fuqi industriale. Kjo lloj retorike shërben për të krijuar perceptime artificiale të rritjes ekonomike dhe për të prodhuar tituj lajmesh që të tërheqin vëmendjen, duke lënë në hije problemet reale strukturore të ekonomisë shqiptare.
Për sa kohë që politika përdor ndërmarrjet dhe prodhimin ushtarak si një mjet për spektakël mediatik, opinioni publik mbetet i ushqyer me iluzione – ndërkohë që rrjetet sociale vazhdojnë të prodhojnë meme. 
Një shoqëri normale ka nevojë për transparencë dhe për një vlerësim realist të aftësive tona industriale, duke ndarë suksesin real të një sipërmarrjeje nga mitologjia e rreme e pushtetarëve. Dhe jo përralla me mjete të blinduara për gjithë botën, me satelitë, me flota ajore civile, me fabrika dronësh, e të tjerë, e të tjerë...
E. Kaceli