Lexues

venerdì, marzo 17, 2023

Hymn' Idealistëve nga E. Kaceli


Ne erdhëm nga hiçi
i hiç-kohës pa diell
direkt nga burg -jeta
e vendit pa qiell!
 
Dhe jetuam fort
mos -jetën e trazuar
ushqyer marksizëm
gjithëherë t'mashtruar
 
Marksizmin në gjak
në vena, droguar,
e vidhnim nga fyti
në fundjetë mbijetuar!
 
Kur erdhi çasti
i ndryshimit të madh
ne prapë në baltë
mashtruesit në mal!
 
Mashtruesit  e djeshëm
në malin më të lartë
të mashtruarit e mjerë
prapë zhytur në baltë!
 
Ne ishim, ata
që nuk do të jenë kurrë
një grusht idealistësh
që na vranë me gurë...

domenica, marzo 05, 2023

Orët e botës... poezi nga E. Kaceli


Orët  botës, orët e vjetra të botës
kanë mbetë vendnumëro
akrepat nuk ecin
mbërthyer në kurthin magjik të kohës
në atë magjinë e zezë
ku zakonisht shtrigat digjen në zjarr
(pa dallim shtrigat shpirtmira dhe shtrigat shpirtzeza)
 
Tiktaku i zvarritun i orëve të botës
dhe zilja e telefonave të zinj
ngjajnë me orgazmat bërthamore
të njerëzimit të çmendur!
Telefonat e zinj, zilja e fundit,
ku të gjithë do të mbesim të ngrirë
në kurthin e çmendur të dashurisë për luftën!
 
Në hirin e dhimbjes
fill mas orgazmës bërthamore,
do të ringjallen vetëm shtrigat
(shtrigat shpirtmira e shpirtzeza)
në vallëzimin e lumturisë pa njerëz!
 
Orët e vjetra krejt ndryshk të zi
telefonat e zinj të botës, si orët,
unë që shëtis në 800 shkretinat e shpirtit tem
apo në tetë miliard shkretinat e shpirtit të botës?
Njerëzimi,  nuk e meriton jetën! Ndoshta.
 
Itali, pranverë, 2023