Lexues

mercoledì, settembre 22, 2021

Pamflet: Zoti e Bekoftë Shqipërinë! -e më pas SHBA-në! nga E. Kaceli

 


-Lexojeni, shpërndajeni, por mos ia dërgoni zonjës KIM!
 
E nderuar shkëlqesia Juaj, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim!
Marr guximin t'iu them... (po e nisi me këtë frazë të më t'madhit ushtar të të gjitha kohrave, Ushtarit të mirë Shvejk) marr guximin t'iu them nja dy tre gjëra, në formë edhe kërkese, edhe lutjeje, për Ju, e nëpërmjet jush, simbolit të drejtësisë dhe demokracisë në Tokë, SHBA-ës!
 
Shkëlqesia Juaj, ne pellazgët e Shqipërisë, ju falenderojmë fort që po na ndihmoni e po na ndriçoni në rrugën e vështirë të demokracisë që prej 30 viteve po rropatemi ta ndërtojmë si krejt bota demokratike.
Natyrisht ndihma juaj, e paraardhësve tuaj, e pasardhësve tuaj dhe shtetit që përfaqësoni, është e pakufishme! Megjithëse deri tani nuk e di a kemi ndërtuar ndonjë metër të kësaj rruge! Faji natyrisht është i yni!
Në vijim, për të hyrë drejt e në temën e mesazheve të koduara dhe mesazheve të forta, aq të pëlqyera nga politika e media shqipshkruese -shqipfolëse, marr guximin të parashtroj kërkesat e mëposhtme:
 
E para: Fol me Departementin e Shteti, me Presidentin Biden, me Kongresin, me Senatin e US, me SPAK-un tonë të lavdishëm, apo dhe me Dreqin vetë,  të na jepini një të drejtë që të shkojmë e vijmë lirisht në Amerikë! (Të paktën të shkojmë!)
Kur them lirisht, kam parasysh krejt lirisht! Pa viza, me pashaportë ose edhe thjeshtë me kartë identiteti elektronike, shqiptare!
Për turizëm për shembull! Se kështu provohet sa e duam ne shqiptarët Amerikën!
Nuk është një gjë e madhe! Të lëvizim e shkojmë lirisht në SHBA, është ëndërra jonë! Pse të mos bëhet realitet psh, siç lëvizim lirisht nëpër rrugët e Europës, por që nuk na tregon se çfarë duhet të bëjmë nga mëngjezi deri në darkë! Në këmbim shpallim non -grata jo vetëm Berishën por edhe Ramën e Gjatë, Lulin e Vogël, Ilir Floririn! Edhe Spartak Ngjelën po të duash!
 
Kërkesa tjetër: Meqë e ke grurë më Kryeministrin tonë të gjatë, na e këshillo, sipas metodës tënde të koduar, të na japë të drejtën e votimit të gjithë ne emigrantëve shqiptarë nga Europa deri në USA! Nuk është ndonjë gjë e madhe, ju amerikanët e keni prej vitesh këtë të drejtë! Kështu me votën tonë mund t'iu ndihmojmë dhe lehtësojmë edhe punën tuaj titanike në shërbim të demokratizimit të politikës shqiptare!
Fol me kryeministrin tonë të nderuar të na e realizojë këtë ëndërr!
 
Së mbrami: Sipas parimit të qeverisë shqiptare dhe Kryeplakut të Urtë Edi Rama: Shtëpia e Zotit dhe e mikut, pra e Zotit dhe e Amerikës që është miku ynë!
E nderuar zonjë! Marr guximin t'iu them: Mos harro se dikush nga shqiptarët, dikush prej këtyre dikushëve edhe i afërm i imi, është dënuar vetëm pse dëgjonin Zërin e Amerikës, ose ndryshe Zërin e të Vetmes Shpresë, gjatë kohës kur babai i kryeministrit dhe babai apo gjyshi i dikujt nga ministrat që ju bekoni çdo ditë,  ishte në instancat më të larta të diktaturës dhe gjykatës diktatoriale! (Mos t'iu duket pa lidhje ky paragraf!) Se këtë paragraf e kam si kushtim për të gjithë paradhësit tuaj në atë detyrë që nga Ulysses Grant-Smith në vitin 1922! Madje edhe për ata që do të vijnë për t'iu zëvendësuar,  pasi ju të liroheni nga kjo detyrë e vështirë e demokratizimit të pipëllit pellazg dhe kryepellazgëve të politikës shqiptare!
 
Sa i takon fjalës së urtë për mikun ku shtëpia është e Zotit dhe e mikut, marr guximin t'iu them se  ne kemi dhe nja dy -treqind të tjera në këtë linjë (shqiptarët pellazgë janë burim i pashterrshëm fjalësh të urta):
E para: Miku i mirë në shtëpi të vet!
E dyta (që ka të bëjë edhe me mikun edhe me peshkun) që filloi të arrestohet qysh në kohën e ambasadorit tuaj paraadhës zotit Lu: Miku është si peshku, ditën e tretë fillon të marrë erë! E fundit: Peshku qelbet nga koka!- si psh qelbja e kokave të politikës shqiptare!
 
Duke iu kërkuar ndjesë thellësisht për shqetësimin, po e mbylli për të mos ju bërë të humbisni kohën tuaj të çmuar në shërbim të shqiptarëve dhe të amerikanëve!
Zoti e Bekoftë në fillim Shqipërinë  e pastaj edhe SHBA-në!

domenica, settembre 05, 2021

Mallkimi i diamanteve! poezi nga E. Kaceli

















Kur të pyesin: Çka asht trishtimi?
Mos mendo dy herë!
-janë lotët që rrjedhin prej syve
si një mallkim diamantesh
                        të papreme
një mallkim i shtrenjtë, i bukur
 
Duke ra kërcasin për tokë në nji
zhurmë të trishtueme
pa ditë shkëlqimin e nesërm
në shkëlqeshin nji ditë!
Pa ditë e âsht gjithçka rrenë!
-a âsht gjithçka mallkim!
Se diamantet janë rrenë edhe kur janë të vërtetë!
Lotët, vetëm lotët, janë e vërteta sublime!
 
Në t'pyetshin: Ç'ka asht trishtimi?
Në t'dvetshin : Ç'ka âsht malli?
Në t'lypshin: Ç'ka âsht diamanti?
Mos bzâj! Në vend të përgjigjes
bane nji kunorë florinit me lotë
Bane i kunorë florinit zbukuruem me lotë malli
E m'thuj kush ka ma vlerë!

 
Itali, shtator 2021