Lexues

lunedì, dicembre 11, 2017

Sherr i madh në Shqipëri nga E. Kaceli

Pamflet

Sherr i madh në Shqipërinë e vogël!
Sherr i madh për zgjedhjen e Prokurorit të përgjithshëm.
Debat. Probleme! Shumë debat! Shumë probleme! -E më the, e të thashë.
Duhet një prokuror që të mos jetë...!
Duhet një prokuror që të mos ketë...!
Duhet një prokuror që të jetë...!
Duhet një prokuror që të ketë!

Nuk arrij t'iu kuptoj o bashkëatdhetarët e mij të dashur! Jam dakord se zgjedhja e Prokurorit të përgjithshëm është më e rëndësishme se buka që hani. (ose që ju mungon) Po pse gjithë ky sherr!
Pse?

A nuk e keni Prokurorin e Përgjithshëm në mesin e gjirit tuaj?
Dhe jo vetëm prokurorin! Në mesin tuaj keni edhe gjykatësin e përgjithshëm! Keni edhe autoritetin e përgjithshëm që ju fut në burg sa herë të flasë!
Keni Liderin e Math! (nuk është gabim drejtshkrimor)
Lideri i Math ka vite që bën apo kërkon të bëjë: kushtetutën, kryeministrin, presidentin, parlamentin, kryegjykatësin, kryeavokatin, kryegardianin! Pse të mos bëjë edhe kryprokurorin! I ka të gjitha resurset (në kinezçe të gjitha vetitë) që i duhen burrit të math të një palo shteti të vogël, për një palo post!)
Jepjani Liderit të Math, dhe postin e Prokurorit të Math dhe kështu hallet tuaja, o shqiptarë halleshumtë marrin fund një herë e të përmjerrë! (të përmjerrë por krenarë!)

Se Lideri i Math, i shumëndritur, dhe i përndritur, është në gjendje të dreqtojë me sukeses edhe organin e prokurorisë siç po dreqton të gjitha punët e tjera, në mënyrën më të përdreqosur të mundshme!

Kështu me një gur vritni shumë zogj! Kënaqet Lideri, lumturohet populli, është dakord edhe Luja, Vllahutini, bashkë me të gjithë trupat e ambasadave të akorduara në Shqipëri, përfshirë ambasadorin rus, izraelit e atë palestinez!
Emërojeni Liderin prokuror të Math, me vendim plebishitar (në kinezçe vendim popullor) dhe kështu marrim rrugën e sigurtë drejt zhvillimeve të reja e të paparashikuara demokratike...

Vetëm kujdes, mos më zgjoni Liderin e Vogël të opozitës. Mos e çoni Liderin e Vocërr prej gjumit, se dreqi e di i shkon mendja për ndonjë protestë të paparashikuar! Një protestë nga ato që vetëm ai është i aftë të organizojë, na prishën shumë punë!
Na prish punë e na lë pa Prokuror të Math! (të përgjithshëm).
Zot na ruaj nga fatkeqësitë e papritura!