Lexues

domenica, agosto 12, 2007

RROTA E ARTE DHE PRESIDENTI SHQIPTAR

Pamflet
RROTA E ARTE DHE PRESIDENTI SHQIPTAR

Nga Edmond Kaçeli

A e dini se ndër shpikjet më të mëdha shpikja e Rrotës ka qenë ajo që e ka çuar njerëzimin përpara? Në sajë të Rrotës, dhe vetëm në sajë të Rrotës, njerëzimi është zhvilluar nga prehistoria deri në ditët e sotme. Nëse nuk e dini mbani vesh: Rrota është shpikja më e madhe. Rrota është shpikja e artë e njeriut. Rrota është fillimi dhe mbarimi i shkencës njerëzore. Rrota është filozofia e jetës në planetin tonë. Rrota është rrotë.
Ai që e shpiku nuk mbahet mend, ndërsa Rrota jeton dhe do të jetojë ndër jetë të jetëve duke vazhduar misionin e vënies në lëvizje të njerëzimit dhe të historisë së brezave.
Sa gjëra janë bërë me Rrotën! Kush nuk e ka përdorur të paktën njëherë në jetën e tij Rrotën? Apo ndonjë mekanizëm që i përngjason rrotës! Kush prej nesh nuk është ndjerë pjesë e mekanizmave shumërrotësh që na rrethojnë në jetën e përditshme.
Prej mëngjezit nën zgjimin e orës, (edhe orët elektronike kanë ndonjë mekanizëm që i përngjason rrotës), përgjatë gjithë ditës, e deri sa shkojmë në darkë të hamë, (edhe tenxheret e gjellës i ngjajnë rrotës), na shoqëron Rrota. Biles Rrota na shoqëron edhe kur shkojmë të flejmë gjumë për tu zgjuar sërish nën efektin dhe presionin e Rrotës së ditëve që sillen sipas Parimit Universal të Rrotës.
Banorët e vendit të shqiponjave, si popull me zgjuarësi natyrale, ishin nga të parët banorë të rruzullit që e përdorën Rrotën. Burimet etruske, pellazgjike, e më vonë ilire e vërtetojnë përdorimin e Rrotës dhe të efekteve të sajë. Banorët e vendit të shqiponjave vazhdojnë ta përdorin me shumë sukses edhe në ditët e sotme Rrotën dhe gjithë efektet e sajë pozitive. Në jetën e tyre të përditshme, si shumë popuj të tjerë të Globit, shqiptarët e ndjejnë Rrotën deri në thellësi të shpirtit bujar. Në jetën e përditshme Rrota e Artë (këtu e në vazhdim po e vlerësojmë shpikjen më të madhe njerëzore) ka zënë dhe do të zërë një vend parësor.
Pa Rrotën shqiptarët nuk arrijnë të bëjnë asgjë. Nuk arrijnë të flejnë me njëri –tjetrin. Nuk arrijnë të çohen në mëngjëz. Nuk arrijnë të shkojnë në punë… nuk … nuk…
E nuku më i madh i shqiptarëve është se pa Rrotën nuk bëjnë dot as politikë.
Lidhja e rrotës me politikën? Krejt e thjeshtë:
Në jetën e një vendi të vogël, apo edhe të madh. qeverisja e vendit i ngjan një mekanizmi shumërrotësh, të ndërtuar nga mekanizma të tjera shumërrotësh por në shkallë më të vogël. Më thjeshtë akoma. Fillohet me partitë politike që kanë në krye një kryetar apo një president. Të paktën mbi pesëdhjetë mekanizma të tilla politikë.
Vazhdojmë me qeverinë dhe qeveritarët. Ecim më tej: parlamenti, kryetari, krejt pushteti legjislativ pushteti gjyësor… Dhe kryemekanizmi i të gjithë mekanizmave shumërrotësh të qeverisjes: Presidenti.
Aq shumë e duan shqiptarët këtë kryemekanizëm (larg qoftë nëse e thërrasim me emrin Kryerrotë) sa të gjithë u turrën të zënë vend në karrigen e këtij Kryemekanizmi. Kush nuk është në gjendje të turret mbështet nga pas (shqipja është gjuhë e ngatërruar në kësisoj shprehjesh) të parin kandidat që i bie ndërmend.
E bijtë e shqiponjës duke harruar prejardhjen e tyre shqiponjore harrojnë hallet e përditshme dhe kthehen në adhurues të se parës Rrotë që iu del në rrugë. Janë gati të ndeshen, të vriten, të përleshen, vetëm e vetëm se kundërshtari i tyre adhuron një tip tjetër rrote. Zot na ruaj, në ethet e përgjithshme të luftës për Rrotën e Artë, harrojnë se të gjitha rrotat janë njëlloj të rëndësishme. I mençur, nuk mund të them fatlum, ishte dhe mbetet ai që e shpiku i pari, të tjerëve vetëm iu duhet ta vënë në përdorim ose ta adhurojnë Rrotën. Rrotën e Artë.

Itali qershor- korrik 2007

Mbi poezine -nga Daniel Gazulli

Mbi poezinë

Asht e kotë të përpiqesh me ba përcaktimin e poezisë. E kanë provue sa e sa të tjerë ndër shekuj dhe asnjeni prej përcaktimeve nuk i ka rezistue kohës. E megjithate edhe unë po provoj: “Poezia asht përjetim ndjesor i asaj që na rrethon shprehë me mjete gjuhësore të figurëshme”.
Po përpiqem të shpjegohem.
Le të marrim vargun “e fjalët do t’i them pa i kafshue”. Thanja e figurëshme “pa i kafshue” asht vetë poezia. Ajo nuk mund të zevendësohet nga “Unë do të flas haptë, pa ngurrue, pa frikë” – këtu nuk ka poezi, asht thjeshtë një deklaratë. Pikërisht te shprehja e figurëshme „pa i kafshue“ qëndron poezia.
Që poezia të ngrihet në nivelin a veprës artistike, asht e domosdoshme të përcaktohet raporti poet – poezi. Ç’ do të thotë kjo? Poeti nuk mund të jetë mbrenda poezisë, ose, edhe ma keq, poezia nuk mund të jetë një çimçakez që ta mllaçisë në mërzinë e tij, qaramanllekun e tij. Poezia, edhe kur shpreh fakte tragjike, nuk mund të jetë kurrë qaramane. Pra, poeti e poezia nuk mund të jenë kurrë në të njejtin rrafsh.
Tek poezia “Të paktën unë vuej” nuk ka absolutisht dobësi, përkundrazi, aty shprehet raporti poet – realitet vulgar, në mes mediokres dhe mendimit të lirë. Vargu “të paktën unë vuej” asht sa I fuqishëm, aq edhe i pamëshirshëm. Vuen kush zotnon dy elementë: ndjenjën dhe arsyetimin. Ata, primitivët, përballë artistit, ose nuk i kanë këto dy elementë, ose i kanë të atrofizuem, pra në minimumin e qenjes sociale, po jo asaj intelektuale.
Vargu i mirëfilltë poetik mund të lindë spontanisht, ashtu si edhe mund e duhet të rikërkohet njëmijë herë. Arti kërkon edukatën e punës vetëshkatërruese, të të qenunit i pamëshirshëm ndaj asaj që vetë ke krijue, por që nuk asht kurrë e përsosun.
Rreziku ma i madh që kërcënon poezinë janë vargjet deklarative. Ata mund të jenë të çiltëra, njerëzore etj., por poezi nuk janë.
Një tjetër rrezik për t’u shmangë asht ai i përsëritjes së temës a i figurës artisitike. Arti asht i tillë pse asht i papërsëritshëm, asht krijim i parë në çdo qelizë të tij.
Shpesh herë poezia ngjet me kangën e mjellmës. E gabimisht ka një mendim se kjo asht në vetë natyren e poezisë. Simbas meje, ky asht një konceptim krejt i gabuem i artit. Poeti nuk ka të drejtë t’i këndojë vdekjes, dëshprimit, mosbesimit, urrejtjes, etj., etj. Artisti duhet të dalë gjithmonë mbi individin qytetar, mbi faktet, qofshin ata edhe tragjike të të përditëshmes, me forcën mbinjerëzore të artit. Atë që asht në gjendje ta përballojë artisti në subkoshiencën e tij, njeriu i zakonshëm nuk asht në gjendje as ta imagjinojë. Kjo nuk do të thotë aspak se poezia duhet të jetë entuziaste, optimiste etj., përkundrazi, por njëherësh, ajo nuk mund të jetë shprehje e dorëzimit personal ndaj të përditëshmes. Sado e randësishme të jetë për njeriun e zakonshëm e përditëshmja, ajo nuk duhet të mbizotnojë artin dhe artistin. Nuk duhet të ngatrrojmë dhimbjen, vuejtjen fisnike me qaramanllekun. Qamja nuk i përket artistëve.

Kam nevojë

Kam nevojë për dashuninë tande, grua a vajzë qofsh ti,
Ma shumë se bima për shi,
ma shumë se për qumshtin e valë e për ajrin,
kam nevojë për tanden dashuni,
grua a vajzë qofsh ti.

Kam nevojë për dashuninë tande, grua a vajzë qofsh ti,
Për përkëdheljet e dorës tande nga rrjedh e ngrohtë dashunia,
për belin tand që këputet në krahun tim,
Për prushin e buzëve –
Kam nevojë për tanden dashuni.

Kam nevojë për dashuninë tande,
Dashuninë t’pafrikë e pa dyshime,
Për dashuninë që s’njeh veç zemres të tjera pengime,
Për dahsuninë që rrjedh e pastër nga burimi në derdhje
E andrrat vaditë
E i ban të lulëzojnë të shhëndetëshme.

Kam nevojë për dashuninë tande, grua a vajzë qofsh ti,
Që në ditet e gëzueme të më shtojnë lumtuninë,
E në ditaët e trishta hidhnimin të ma paksojnë.
Kam nevojë –
Për tanden dashuni.

Ptuh! – mbi token dhe bimën dhe gruan që dashka shterpësi!
Lavdi asaj që do,
asaj që lind,
asaj që ban dashuni!

1965




Njenit që …

Pi cigare me filtër.
Pi birrë vetëm në “Turizëm”.
Vetëm kur gjen biletë në llozhe shkon në teatër.
Asht shpërfillës ndaj hanës
që xhvishet para të gjithëve.
Mbramjeve i shmanget shetitores
si ujku dritës.

Asht kolegu im,
kolegu im i zyrës, në tavolinën karshi,
që çdo mëngjes,
mbasi sigurohet mirë se e ka mbyllë derën,
shpalosë pakon e mbështjellë me gazetë
dhe ha bukë të zezë me gjizë.
Natyrisht, jo për djetë,
por që të pijë cigare me filtër
dhe birrë në “Turizëm”.

1972


Plagjiatisti

Hajdutin e xhepave
e kapin për veshi
dhe e çojnë në polici.
Hajdutin e bankave
e mbërthejnë në hekura
dhe e nxjerrin para gjyqit.
Kurse për ty
rezervojmë pak vend në neverinë tonë.

1972

Sa ma shumë dritë
Mora vesh
se po projekton një teatër
për qytetin L.

Të kujtohet si luenim na
në një skenë me çarçafë,
kur ishim fëmijë ?
Të kujtohet pastaj se si
(ma të rritun, sigurisht),
luanim në një shtëpi tregtari
pashkatue më ’46,
përshtatë për teatër,
ku kishte aq pak dritë ?

Prandaj po të shkruej,
që ta projektosh teatrin
me linja të thjeshta, pa ornamente,
pa koka palaçosh në kapitale,
por me shumë,
shumë dritë.

1971



Buzëqeshja
Basketbollistes së Kuntungut (Kinë), që mbante nr. 11

Ti ecën dhe buzëqesh.
Andrron dhe buzëqesh.
Përshëndet,
lot,
vallëzon
dhe buzëqesh.

Buqëqesh!
Hiret le të të shtohen :
Mbi trupin e derdhun kok’ e bukur,
në buzë,
perhërë,
endet buzëqeshja.
Buzëqesh, moj aziatike simpatike,
buzëqesh;
kudo në botë
njerëzit kanë nevojë për buzëqeshje.

Shkoder, 25.04.1966