Lexues

domenica, novembre 29, 2015

Për Flamur, për Liri!


 
Thanë: E ngritëm flamurin!
-Por Flamuri shtizëthyer si në një stafetë të çmendur kalon nëpër duar horrash!
Thanë: U çliruam!
-Por Liria nuk a ardhë edhe sot e kësaj dite!

E njerëzit e marrë, ata të thjeshtët, ata që plagosen, ata që vriten për Flamur e për Liri, herë pas here besojnë.
Besojnë marrëzisht se Flamuri ështe ngritë
Besojnë marrëzisht se Liria ka ardhë!

Njerëz të çmendur! Njerëz pafundësisht të marrë!
Festoni!


Edmond Kaçeli, Itali nëntor 2015

lunedì, novembre 23, 2015

Kupa e mallit... nga E.Kaceli

Kisha me dashtë,
                            sa shumë,
                                           sa shumë,


sa fort kisha me dashtë
afër teje me ndodhë
me një kupë kristali në dorë
me një kupë të mbushun plot me mall
me mallin e viteve që arratinë marrin
                                                            përditë
me mallin e ndarjes, peshërëndë
me mallin e heshtjes
që në heshtje na mbytë

O sa fort kisha me dashtë!
-vetëm nji natë me kupën e mallit përpara
ne të dy, vetëm ne të dy
e bota përreth që pushon,
                                        që hesht,
                                        që nuk është më
e ne të të dy që e zbardhim ditën
e zbardhim ditën e lume pa folë
veç me kupën e mallit të mbushun plot
                                                 veç me kupën e mallit të ngrime në dorë

                                                                      Itali, fund nëntori 2015

domenica, novembre 08, 2015

Valixhja bosh... (në dy kohë) nga E. Kaceli

Një urë e vjetër
një urë e vjetër guri
                               e vjetër sa Bota
Përmbi urën e vjetër, një fëmijë
një fëmijë me një valixhe të rëndë
Mbi urën e vjetër një fëmijë tërheq
                                            një valixhe të vjetër
të vjetër dhe të rëndë
të rëndë sa pesha e Botës
një valixhe të dalë boje, të ngrënë cepash
një valixhe të mbushur plot me ëndërra
me ëndërra që kurrë nuk guxoi ti shihte...

Një urë e vjetër
një urë e vjetër guri
                               e vjetër sa Bota
Përmbi urën e vjetër, një fëmijë
një fëmijë në moshën e burrit
                                                tërheq
                                                          një valixhe të vjetër
tërheq një valixhe të rënduar prej peshës së viteve
një valixhe të dalë boje, të ngrënë cepash
një valixhe bosh.
Bosh. Bosh.
-se ëndërrat ikën nga pesha e frigës
Ikën, u larguan
si të mos kishin ëndërruar kurrë...

Dhe këmbët e lodhura përplasen në urë
në urën e vjetër, në urën e lashtë
në urën ndërtuar me gurët e heshtjes ...


(Ura e Tabakëve, Tiranë, gusht 2015)