Lexues

Visualizzazione post con etichetta festa e çlirimit. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta festa e çlirimit. Mostra tutti i post

sabato, novembre 26, 2016

Kur ikën gjermani i fundit! -aty fillon fatkeqësia jonë

Pamflet
-nga Edmond Kaceli

Erdhi dhe iku! Erdhi dhe iku një gjerman këto ditë. Këto ditë festash të mëdha për popullin shqiptar.
Sa për kujtesë:
28 nëntori -Festa e Flamurit dhe Dita e Largimit të gjermanit të fundit -për partinë demokratike dhe përkrahësit e sajë.
28 dhe 29 nëntori -Festa e Flamurit dhe Dita e Largimit të gjermanit të fundit, për partinë socialiste dhe përkrahësit e sajë.
Unë për arsye asnjanësie festoj vetëm Festën e Flamurit, ndërsa atë të largimit të Gjermanit të Fundit e quaj një ndër ditët më të zeza të popullit shqiptar. Pra nuk e festoj.
Madje po ti referohemi historisë shqiptare, qysh prej luftës së parë botërore e këtej, vërtetohet katërcipërisht se ikja e gjermanëve është shoqëruar me fatkeqësi të mëpastajme për popullin shqiptar:

1914 -Ikja e Princ Vidit -Ishte ikja e parë në historinë e ikjeve të gjermanëve nga Shqipëria. Copëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe lënia nën mëshirën e fatit të kohës, ishte rezultati fatkeq i kësaj ikjeje.

1944 -Me ikjen e gjermanit të fundit nga Shkodra (ne mbetemi edhe sot e kësaj dite rob të diskutimit idiot 28 vs 29 nëntor), filloi historia më e dhimbshme e popullit shqiptar- Duke kujtuar e festuar se ia futëm gjermanit të fundit, në fakt ia futëm vetes dhe nuk ia hoqëm për vite e vite të tëra sundimit terrorist të bandës së komunistëve të udhëdrequr nga kryebanditi Hoxha!

1984 -1987 -Erdhi nja tre herë edhe një gjerman tjetër i quajtur Shtraus. Pas tre vizitave të maskuara turistike, e me misione të kjarta politike, ai iku në 1987-ën duke na lënë, si gjithëherë fatkeqë, në fatkeqësinë tonë të përjetshme nacionale!

2016 -Këto ditë iku dhe Krichbaum, një gjerman që shumë prej nesh nuk e kishte në listë se ekzistonte! E njohëm vetëm pasi iku duke na shkruar nja shtatë urdhëresa. Shtatë urdhëresa që në përpjekjen për të hyrë në Europë, bëhen më të rëndësishme se Dhjetë Urdhëresat e Librave të Shenjtë!
E pas kësaj ikjeje fatkeqe për ne njerëzit e thjeshtë, jemi të detyruar të dëgjojmë rrugaçërinë e politikanëve shqiptarë të pozitës dhe opozitës; rrugaçërinë e bandës parlamentare të gjitha ngjyrave; arrogancën e pashoqe të qeveritarëve dhe kryeministrit (që kujton se vendi qeveriset me barcoleta); sahanlëpirjet dhe bythëlëpirjet e analistëve që për hir të pushtetit të sotshëm e për hir të pushtetit që do të vijë nesër, bëjnë sofizma njerëzish të ditun që kënaqen duke dëgjuar dhe replikuar pafundësisht dhe budallakisht me sho- shojnë!
E ne populli fatkeq, kthehemi në barcoletë, ku gjermani i fundit, me emrin e vështirë Krichbaum, duke na lënë në një tjetër fatkeqësi shqiptare na thotë:
Hipni këtu e shihni STA... TUSIN!


(Post scriptum) Shpresat e fundit janë varë në aftësinë e kryeminstrit të qeverisjes me barcoleta për ti treguar ndonjë barcoletë për të qenë kancelares Merkel)

domenica, novembre 29, 2015

Për Flamur, për Liri!


 
Thanë: E ngritëm flamurin!
-Por Flamuri shtizëthyer si në një stafetë të çmendur kalon nëpër duar horrash!
Thanë: U çliruam!
-Por Liria nuk a ardhë edhe sot e kësaj dite!

E njerëzit e marrë, ata të thjeshtët, ata që plagosen, ata që vriten për Flamur e për Liri, herë pas here besojnë.
Besojnë marrëzisht se Flamuri ështe ngritë
Besojnë marrëzisht se Liria ka ardhë!

Njerëz të çmendur! Njerëz pafundësisht të marrë!
Festoni!


Edmond Kaçeli, Itali nëntor 2015

domenica, novembre 25, 2007

Pamflet: Parade me flamur te shkyer

Kryekaragjozët shqiptarë të politikës janë përgatitur për shfaqjen tragjikomike të radhës. Të ndërgjegjshëm deri në palcë për efektin mediatik dhe të mbijetesës politike kësaj radhe shfrytëzojnë, siç e kanë shfrytëzuar që nga viti nëntëdhjetë, Festën Kombëtare të Flamurit.
Berisha ka urdhëruar shtetin që bashkë me Festën e Flamurit të festohet dhe e ashtuquajtura Ditë e çlirimit.
Kjo i ngjan ofertës: Prendi due, paghi uno! (Merr dy festa bashkë dhe paguaj një).
Rama si udhëheqësi i përndritshëm i opozitës shqiptare lë mënjanë historinë dhë bën politikën e elektoratit të majtë, duke e urdhëruar Festimin e çlirimit më 29 nëntor, siç është festuar qysh nga 29 nëntori i 1944 kur gjermanët e fundit u larguan vullnetarisht nga Shqipëria. Madje e quan paftyrësisht: Nata e Bardhë (Note Biancha). Po të marrim parasysh se çfarë ndodhi pas 29 nëntorit, është e qartë se pas Natës së Bardhë (të Kuqe në fakt) erdhën mijëra net të Zeza.
Rama i Gjatë dhe historianët komunistë thonë se gjermani i fundit u largua nga Shkodra më 29 nëntor, pasi partizanët bënë luftë kundër tij për disa orë.
Historianët nacionalistë, të mbështetur dhe prej Berishës, ish-komunist i ndershëm, edhe ky i gjatë gati në nivelin e Ramës, thonë se data u caktua vetëm për efekt të vëllazërisë komuniste shqiptare -jugosllave.
Kur i thonë historianët edhe mund të mos jenë të vërteta por kur historinë e bëjnë Koka të Mëdha (Kryemëdhenj) dhe Shtatgjatë si Berisha dhe Rama, e vërteta ndahet përgjysë pesëdhjetë për njërin e pesëdhjetë për tjetrin. (Kristoforidhi i madh do ti emërtonte Ramë Shalëgjati dhe Sali Shalëgjati, në ndryshim nga Nano që mund të quhej Fatos Shalëshkurti)
Pa dashtë të fyej flamurin tim me shqiponjën dykrenore, krejt kështu është ndarë dhe opinioni shqiptar. Vetëm se Shqiponja për fatin tonë të madh e ka kryet më të vogël. E kryet e madh nuk është tipar i shqiponjës. Tjetër qenie jonjerëzore dykrenëshe mund të përfaqësonte politikën aktuale.
Atëherë shtrohet pyetja e vjetër: Kur u largua gjermani i fundit? Iku vetë më 28 apo 29 nëntor? U dëbua nga partizanët me 28 apo më 29 nëntor?
Në fakt sipas gjasave edhe sot e kësaj dite në Shqipëri vazhdojnë të jenë gjermanë. Madje vazhdojnë të vijnë përditë. Krahas gjermanëve vijnë dhe italianë, amerikanë, indianë, kinezë, turq, arabë, e dreqi e di se çfarë racash të tjera.
Atëherë kush na pushtoi? Kush na çliroi? Nga kush u çliruam?
Pyetje të vështira që vazhdojnë të marrin përgjigje të vështira për tu kuptuar.
Në kuptimin dhe për leverdi të fjalës, thotë një i njohuri im, sa të jetë festë është mirë, se kështu largojmë kryet nga hallet e përditshme. (Miku nuk thotë se kryet është plot a bosh me mend)
Në festa zakoni shqiptar e don që të shkohet me duart plot. Do të thoja dhe ballin lart, por ballistët janë armiqtë e partizanëve e nuk mund të rrinë rehat në të njëjtën sofër të përbashkët. Natyrisht në festë shkohet dhe me flamur në dorë.
E si duhet të jetë flamuri kur njëra palë feston 28- 29 nëntorin e tjetra feston vetëm 28 nëntorin.
Sipas teorisë kineze aplikuar gjatë miqësisë së madhe shqiptaro –kineze, në festat shqiptare shkohet rreth flamurit të bashkuar nëpërmjet ndarjes. E nëse nuk mjafton një flamur me shqiponjën dykerenore në mes, atëherë të nxjerrim dy flamuj me nga një kokë shqiponje që sheh në të kundërtën e kokës tjetër. Njërën pjesë të flamurit ta përdorin kush feston 28 plus 29 nëntorin dhe tjetrën kush feston edhe 28-ën, edhe 29-ën më 28 nëntor.
Në kuadrin e natyrës vëlladashëse të shqiptarëve asnjëherë nuk ka ndarje të barabartë. Kështu flamurit të shkretë (respekt për flamurin) nga tërheqja dypalëshe i bie të shkyhet. Të shkyhet dhe jo të ndahet. (Shkyerja është një tjetër tipar vëlladashës shqiptar)
Flamuri ynë, i ngritur në Vlorë më 1912-ën, i fëlliqur me yllin e kuq në 1944-ën, i pastruar në Shkodër në demonstratën kundër bustit të Stalinit më 14 janar 1990- ës, rikthehet të valëvisë i shkyer nga politika shqiptare në vitin 2007.
E nacionit (kombit) nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të urojmë njëri -tjetrin: Gëzuar Festat me Flamur… të shkyer!
Edmond Kaceli