Lexues

domenica, maggio 13, 2018

Nga 200 Petrita në 200 Skiftera!


-Satirë nga E. Kaceli

Fort i dashtun Kryetimonieri pa patentë i makinës së rrënueme të vendit tim! -Je nish pasha te madhin Zot! Je njish e çfarë njishit!
Je hero! Je yll! Je boss! (Jo boss i krimit siç te thonë ata blutë që nuk kanë lidhje me uniformat e policisë që aq fort e duam!)
Je lider! Je kryelider!Je largpamësi ma i math që historia moderne shqiptare e këtyne viteve mas 90-es ka njoftë!
Ja kalove dhe Berishës. E ç'dreqin asht Sala përpara tejet! Ai ishte mjek jo timonier! E në tepsinë e Saliut hanin të gjithë!

Je aq i aftë, aq i përgatitun politikisht e mendërisht, sa i le të gjithë në bisht të karrocerisë së shtetit shqiptar!
Ke ba shtet! dhe vazhdon me ba shtet! Përqiell e përdhè!
Shtet e çfarë shtetit! He të na e rroç sa malet e Veleçikut, Taraboshit, Nemërçkës etëtjerë, e të tjerë! Marrç sa më shumë nga ditët e tua!

E nise historinë shtetformuese bash si Komandanti ynë Legjendar, me dyqind Petrita (rilindës). E rilinde gjithkah ku kalove. E rilinde aq fort, shtetin, sa edhe rilindasve të shquar iua harruam emrin!
Le në hije edhe vetë Heroin Kombëtar, kur ajo Petritja (e nji prej dy qinshes), ia dhjeu Heroit duke të nxjerre para të gjithëve si Skënderbeu i Vërtetë, në versionin mik i ngushtë me turqit!
Rrugës me gropa të historisë moderne të shtetformimit rilindas pate edhe ndonjë problem të vogël, ndonjë tra të thyer, ndonjë grusht miell turinjve, ndonjë mollatartë të kuqe, e të pjekun fort, ndonjë kokërr vezë... Por ti Lideri ynë i math, e largpamës, vijove rrugën me vendosmëri të pashoqe!
I ndjekun, marrisht, gjithëherë, prej dyqind Petritave që për asnjë çast nuk të lanë vetëm! Edhe pse, në ecje e sipër, i hodhe nga makina njërin pas tjetrit!
 
Tash në ditët e mbrame të rilindjes, që e rilinde aq shumë sa ia shkatrrove organin e pjellorisë, kur baj dy llogori më dalin prapë dyqind të fillimit!
Por jo dyqind Petrita! Dyqind Skiftera!
Vetëm një Lider largpamës si ju, mund ta bënte këtë shëndrrim gjigant!
E na njerëzia e thjeshtë, që nuk kuptojmë asgjë nga shtet-bamja, e shtet -dreqtimi, vërejmë me gëzim të math shëndrrimin e dyqind Petritave në dyqind Skiftera!
Nga ata Skifterat që lanë nam vilave e pallateve të botës, duke ia ngritë zanin Shqipërisë e duke ndihmu me forcë të jashtëzakonshme në integrimin e sajë europian!
E këta dyqind Skifterat kanë nevojë për Kryeskifterin!
Të paçim e të daçim o Kryeskifteri ynë i pavdekshëm!

venerdì, maggio 11, 2018

Marrëzi e përsosun!


Mos më thoni: Je i marrë!
-jam më shumë: Jam i çmendur
jam i çmendur në çmendinë time
                                                    -jam
i lumtur gjithashtu.

Jam i çmendur.
-coptuar në qindra grimca marrëzie
 në mijëra grimca çmendurie
-shpirtçmendur, trupçmendur
trurin të ndarë në një mozaik pa nisje
                         në një mozaik pa fund
                         në një mozaik pa lidhje
(Krejt psikologët e botës nuk po munden me gjetë shpjegim)

Unë prapë jam i lumtur!
në marrëzinë dhe çmendinë time të pafajshme
në çmendinë time thellësisht të brendshme
                                         -të jashtme gjithaq!
Çmendia ime, gjendja ime sublime!
(Me kenë normal nuk përbën asgjë të re
nuk është lajm!)

Jam ndryshe! Krejt ndryshe nga ju te gjithë!
Jam i çmendur! -nuk dua asgjë nga ju!
Veç më leni në çmendurinë, në marrëzinë time!
Ju njerëz çuditërisht normalë
                                              aq shumë normalë!
-sa më vjen keq për normalitetin tuaj!

It, maj 2018
Edmond Kaceli
(Fotoja illustruese është interpretimi im fotografik i veprës së artistes bashkëkohore italiane Simona Muzzedu)

sabato, maggio 05, 2018

Kur hajdutët tanë besojnë se janë Mafie!


-pamflet nga Edmond Kaceli

Më vjen me qeshë kur në komentet, analizat, lajmet, pallavrat publike, konferencat e paguara të shtypit, rrëmujat parlamentare etj. dëgjoj të lakohet, në të gjitha gjinitë, rasat dhe format, fjala : Mafie!
Si për ta zbukuruar e bërë më tërheqëse, më ekzotike, e shoqërojnë me togëfjalëshat: Kodi i Mafies, Heshtja e Mafies, Mesazhe të Koduara, Marrëveshje Mafioze, Kërcënime Mafioze, Organizata Mafioze...
Mafia e kuqe, Mafia blu, Mafia rozë...
E lakojnë aq shumë, e zbukurojnë aq shumë, sa edhe mua që jam skeptik nga natyra, gati më mbushet mendja se Shqipëria është bërë me të vërtetë një shkëmb graniti Mafioz në brigjet e Adriatikut dhe Jonit!

Për ti shpëtuar psikozës së turmës mbylli sytë vetëm për disa sekonda! I hapi pasi numëroj deri në tridhjetë e një! Hedh sytë rreth e qark për të parë se ku dreqin shihen e ku dreqin fshihen gjithë këta mafiozë të mbaruar!
Zhgënjehem! Sinqerisht zhgënjehem! Zhgënjehem deri në skaj,  kur përreth shoh vetëm do hajdutë të rëndomtë të veshur firmato me petkun e pushetit, me rrashtën e kresë katër gisht të trashë, që iu duket vetja Mafiozë të thekur!
Mafiozë të thekur që nga Mafia nuk arrijnë të kuptojnë as emrin, e jo më filozofinë e metodat e veprimit të sajë!

Këta kokëtrashë, (në kuptimin e materies gri) që shiten si Mafiozë, e që kërkojnë të çojnë mesazhe mafioze, nuk janë tjetër vetëm ca banditë të rëndomtë katundi, ose ca çuna mamaje që në vizën e parë të drogës iu hyn vetja në hatër. E prej qoshes së kolltukut politik, grabitur banditit të mëparshëm, këndojnë nën hundë: Mafioz'i  lagjes jam!
Aq trima janë sa këta mafio -lapera sa kur dikush, rastësisht, për drejtësi, a për presion prej banditëve kundërshtarë, iu tund prangat përpara syve, fillojnë të dridhen ditën e parë, të qajnë në TV ditën e dytë! E ditën  e tretë të çudisë nisin të adresojnë mesazhe!
Kërcënojnë sikur të ishin me të vërtetë trima të çartun që nuk iu "han palla" për drejtësinë shqiptare, pasi ata janë e drejta, dhe e vërteta!

Nuk e lënë me kaq interpretimin e mafio -komicitetit! Por rreken të na mbushin mendjen se cili grup banditësh politikë plotëson më shumë kushtet e të qenit Mafioz! Duke u sforcur në poza fjalësh, batutash, zbardhje dhëmbësh, veshje shik, diplomash fallso, ideshë të shlyera e intelegjencë me miligram, për me na mbushë mendjen se nuk janë banditë të rëndomtë që rastësia, dhe mbështetja banditeske, i solli në krye të çorbës që gatuhet në politikën shqiptare!

Zotërinj banditë politikë pa dallim ngjyre politike (se ide dhe besim fetar nuk keni), qetësojuni dhe harrojini interpretimet, mesazhet qesharake dhe fiksimin budallor se jeni Mafiozë!
Jeni thjeshtë ca hajdutë -banditë të rëndomtë të veshur me rroba politikanësh,  që një ditë prej ditësh, kur t'iu vijë radha, do të përfundoni xhiron tuaj të banditizmit, ashtu siç e mbarojnë karrierën hajdutët dhe banditët e rangut tuaj, jo Mafiozë!