Lexues

sabato, novembre 26, 2016

Kur ikën gjermani i fundit! -aty fillon fatkeqësia jonë

Pamflet
-nga Edmond Kaceli

Erdhi dhe iku! Erdhi dhe iku një gjerman këto ditë. Këto ditë festash të mëdha për popullin shqiptar.
Sa për kujtesë:
28 nëntori -Festa e Flamurit dhe Dita e Largimit të gjermanit të fundit -për partinë demokratike dhe përkrahësit e sajë.
28 dhe 29 nëntori -Festa e Flamurit dhe Dita e Largimit të gjermanit të fundit, për partinë socialiste dhe përkrahësit e sajë.
Unë për arsye asnjanësie festoj vetëm Festën e Flamurit, ndërsa atë të largimit të Gjermanit të Fundit e quaj një ndër ditët më të zeza të popullit shqiptar. Pra nuk e festoj.
Madje po ti referohemi historisë shqiptare, qysh prej luftës së parë botërore e këtej, vërtetohet katërcipërisht se ikja e gjermanëve është shoqëruar me fatkeqësi të mëpastajme për popullin shqiptar:

1914 -Ikja e Princ Vidit -Ishte ikja e parë në historinë e ikjeve të gjermanëve nga Shqipëria. Copëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe lënia nën mëshirën e fatit të kohës, ishte rezultati fatkeq i kësaj ikjeje.

1944 -Me ikjen e gjermanit të fundit nga Shkodra (ne mbetemi edhe sot e kësaj dite rob të diskutimit idiot 28 vs 29 nëntor), filloi historia më e dhimbshme e popullit shqiptar- Duke kujtuar e festuar se ia futëm gjermanit të fundit, në fakt ia futëm vetes dhe nuk ia hoqëm për vite e vite të tëra sundimit terrorist të bandës së komunistëve të udhëdrequr nga kryebanditi Hoxha!

1984 -1987 -Erdhi nja tre herë edhe një gjerman tjetër i quajtur Shtraus. Pas tre vizitave të maskuara turistike, e me misione të kjarta politike, ai iku në 1987-ën duke na lënë, si gjithëherë fatkeqë, në fatkeqësinë tonë të përjetshme nacionale!

2016 -Këto ditë iku dhe Krichbaum, një gjerman që shumë prej nesh nuk e kishte në listë se ekzistonte! E njohëm vetëm pasi iku duke na shkruar nja shtatë urdhëresa. Shtatë urdhëresa që në përpjekjen për të hyrë në Europë, bëhen më të rëndësishme se Dhjetë Urdhëresat e Librave të Shenjtë!
E pas kësaj ikjeje fatkeqe për ne njerëzit e thjeshtë, jemi të detyruar të dëgjojmë rrugaçërinë e politikanëve shqiptarë të pozitës dhe opozitës; rrugaçërinë e bandës parlamentare të gjitha ngjyrave; arrogancën e pashoqe të qeveritarëve dhe kryeministrit (që kujton se vendi qeveriset me barcoleta); sahanlëpirjet dhe bythëlëpirjet e analistëve që për hir të pushtetit të sotshëm e për hir të pushtetit që do të vijë nesër, bëjnë sofizma njerëzish të ditun që kënaqen duke dëgjuar dhe replikuar pafundësisht dhe budallakisht me sho- shojnë!
E ne populli fatkeq, kthehemi në barcoletë, ku gjermani i fundit, me emrin e vështirë Krichbaum, duke na lënë në një tjetër fatkeqësi shqiptare na thotë:
Hipni këtu e shihni STA... TUSIN!


(Post scriptum) Shpresat e fundit janë varë në aftësinë e kryeminstrit të qeverisjes me barcoleta për ti treguar ndonjë barcoletë për të qenë kancelares Merkel)

domenica, novembre 06, 2016

Trungu i vjetër

nga E. Kaceli

Ra një gjethe
ranë dy gjethe
ranë tri, katër, shumë
ranë dhe vazhdojnë të bien shumë gjethe
rrëzohen në ritin e stërvjetër sa bota...

Flutura të vdekura ranë gjethet e e mbrame
Të lodhuna prej qëndrimit në pemë...
Ngjyrat e krahëve mbushën rrugët, dhe rruginat e shpirtit
Degët lakuriq, mblodhën krahët, krejt si femrat pasi bëjnë dashuri
Vjeshta mori shkallët dhe u nis nëpër rrugën e kahershme
Dyert u mbyllën në heshtje, siç mbyllen kujtimet e një moshe të bukur
























Ra një gjethe
ranë dy gjethe
ranë tri, katër, shumë
ranë dhe vazhdojnë të bien shumë gjethe
rrëzohen në ritin e stërvjetër sa bota

Ranë gjethe një nga një
në mijëra ngjyra
në heshtje
pa zë...

Dhe unë, trungu i zhveshur,
mbytem -deri në palcë i tharë
në vetminë që vjeshta më lë...


Itali, nëntor 2016