Lexues

mercoledì, marzo 25, 2015

Parlamenti i rrëzuar nga E. Kaceli

Pamflet
Dhe prapë  në darkë kemi guximin të shkojmë të flejmë, e prapë marrim guximin të shohim ëndërra!

Ajo çfarë po ndodh këto ditë në Shqipëri, në politikën shqiptare, nuk ka përgjasim me anjë vend të botës.
Marr shembull të freskët nga Italia: Ministri i infrastrukturës Lupi, këto ditë, dha dorëheqjen për ti hapë rrugën drejtësisë italiane.
Ndërsa në Shqipëri është krijuar një mish -mash politike dhe drejtësie ku nuk e merr vesh i pari të dytin, i dyti të tretin, e me radhë duke u nisë edhe njëherë nga i pari!
Leshi i arapit është më pak i ngatërruar se rrëmuja që ka mbërthyer politikën dhe drejtësinë shqiptare.

Njëri akuzon tjetrin. Tjetri akuzon të parin dhe të tjerët. Dikush bën vëzhguesin duke pritë rrallën e breshërisë së akuzave. Populli nuk din ku të fshihet për tu ruajtë nga gëzhojat!
Drejtësia e munguar shqiptare e mbërthyer në morsën e politikës nuk është në gjendje të japë drejtësi.

Në qendër të gjithë kësaj rrëmuje mbetet ajo që duhet me qenë ajka e politikës dhe e ligjëbërjes ne Shqipëri: Parlamenti shqiptar me përbërjen e tij.
Akuza ndaj Kryetarit të Kuvendit, akuza ndaj Kryeministrit, akuza ndaj deputetëve sponsor të PS-ë, ndaj deputetëve të Veriut, ndaj deputetëve të Jugut, ndaj ish -kryetarit të opozitës, ndaj kryetarit të opozitës, ndaj deputetëve të opozitës. Akuza ndaj partisë socialiste, akuza ndaj partisë demokratike, akuza ndaj LSI-së, ndaj partive të vogla...
Nëse deri më tash ka mbetur vetëm Presidenti i Republikës pa u akuzuar. Kjo për fatin e tij të mirë se askush në Shqipëri nuk pyet më për institucionin e Presidentit!

Akuza, kundër akuza, nga të gjitha palët, kundër të gjithëve!
Hyrje daljet pa kriter të politikanë në ambjentet e akuzës (prokurorisë), janë kthyer në një modë të re për politikën shqiptare. Në një modë për të fituar kohë televizive gjatë procesit të shkatërrimit të seriozitetit të organit të akuzës dhe të drejtësisë në përgjithësi.
Duke sjellë një përqasje me të akuzuarit e jashtëzakonshëm të atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë, numri  përbërësve të parlamentit shqiptar të akuzuar a të përfolur si të akuzuar të mundshëm, ia kalon atyre të parve! Dikush nga deputët ka mbi shpinë më shumë se dy akuza, duke bërë kështu që numri i të akuzuarve në parlament të kalojë edhe numrin e vetë parlamentarëve!

Nuk marr përsipër të paragjykoj, gjykoj apo jap mend, por nëse gjithë ky inflacion të akuzuarish dhe akuzash në Kuvend, apo të arrestuarish në ditët në vijim, besoj ka arritë të bëjë vetëm një gjë: Rrëzimin e Parlamentit shqiptar si organi ligjëbërës në Shqipëri.

Rrëzimi i parlamentit, praktikisht të rrëzuar,  është zgjidhja më e drejtë dhe më demokratike në çastin që po kalon politika dhe drejtësia në vend. Rrëzimi i parlamentit, është zgjidhja më e arsyeshme e konfliktit të interesit që parlamenti ka me organin e akuzës dhe në vijim me drejtësinë në Shqipëri.
Në një sistem demokratik modern: Të gjithë në shtëpi, ata që i kanë bërë vendin në burg e më pas në shtëpi! -do të ishte zgjidhja më e ndershme.

... Sapo më doli gjumi dhe u kujtova: Jemi në Shqipëri! Që e përkthyer në shqipen e sotshme don me thanë: nuk kemi drejtësi, nuk kemi politikë, nuk kemi burra shteti, nuk kemi demokraci...
Dhe prapë  në darkë kemi guximin të shkojmë të flejmë, e prapë marrim guximin të shohim ëndërra!

Edmond Kaceli

martedì, marzo 17, 2015

Piramida e pushtetit nga E. Kaceli

Piramida e pushtetit sipas Kushtetutes se Republikes Parlamentare