Lexues

lunedì, settembre 23, 2013

Këpuca e vjetër nga E. Kaceli


O këpucë e vjetër sa mosha
shoje grimë prej kalldrëmit të viteve
vazhdon të ecësh nëpër udhë të panjohura

këpucë e shpirtit tim -arnuar me dhimbje...



Shqipëri, gusht 2013

domenica, settembre 01, 2013

Çfarë i tregova Italisë...

-Intervista e plotë dhënë gazetares Geri Kodheli, për gazetën "Game Over". Botuar ne nr.  e 2 gushtit 2013. Një falenderim per drejtorin Ismet Drishti, per gazetaren dhe stafin e gazetës.

Është hera e parë që në Itali bëhet një ekspozitë shqiptare fotografike, e realizuar nga ju. Mund të na tregoni mbi këtë iniciativë dhe si u prit ajo?

Në jetë, përveç Zotit, kam besuar gjithnjë në veten dhe në rastësinë e fatit. Në këtë sens, edhe ekspozita erdhi si rastësi. Një mik italian, Lido Ferrari, ekspert elektronike, këshilltar në komunën Lequio Berria, në zonën e Langheve, Piemonte, më hodhi idenë e një ekspozite fotografike pranë kësaj komune. Komuna në fjalë realizon një herë në vit “Festën e Vullnetarëve”, që në fakt është një ditë e shpalosjes së vlerave kulturore, artistike, letrare, e trashëgimore. Gjatë kësaj ditë shoqatat e vullnetarëve, Italia është e shquar në Europë për vullnetarinë shoqërore, ndihmojnë në realizimin e këtyre aktiviteteve si ekspozita fotografike nga autorë vendas e të huaj, ekspozita pikture, koncerte, panaire të librit etjj. Vlen të përmendet se kjo komunë, në këtë ditë, organizon edhe konkursin e pikturës “pastel” me piktorë të ftuar nga vende të ndryshme të botës, ku fituesit i blihet vepra dhe vendoset në koleksionin e muzeut të Pastelit, që unë besoj është i vetmi, dhe më i madhi, i këtij lloji në Itali, dhe ndoshta më gjërë.
Pra, ftesa ishte, pa dyshim, një nderim për mua personalisht, për komunitetin e vogël shqiptar të kësaj zone, dhe për vendin tim, që jo rrallë e prezantojnë si një vend problematik, me njerëz të gatshëm të sjellin më shumë probleme se sa art dhe kulturë!
Iniciativa u prit me mjaft dashamirësi nga organizatorët dhe drejtuesit vendorë, që më vunë në dispozicion, falas, sallën, personelin e duhur, stampimin e fotografive, realizuan njoftimet në median e shkruar, në internet, posterat, fletëpalosjet, e gjithçka tjetër që ndikoi pozitivisht në mbarëvajtjen e ekspozitës.

“Nga Shqipëria në Langhe”… Është një rrugëtim që shpjegohet nëpërmjet fotografive? Rrugëtimi juaj?

Jam larguar nga Shqipëria thjeshtë për një zgjidhje timen personale. Nuk jam patriot ose nacionalist i sëmurë, por e dua jazhtëzakonisht shumë, këtë dreq vendi që quhet Shqipëri! Dhe si unë, besoj, shumë shqiptarë emigrantë e duan Shqipërinë, pse jo, edhe më fort se unë. Bëj një punë normale, në ndërtim, që më siguron të ardhura për një jetë normale emigranti (shtegtari).
Sa herë që vij në Shqipëri, prej dëshirës për të pasë gjithherë me vete, diçka të re nga vendim im, me aparatin fotografik, pjesë e pandarë e udhëtimeve të mija, realizoj një numër të pacaktuar fotografish në situata nga më të ndryshmet. Kjo më bën të ndiej më pranë vendin tim deri në udhëtimin e ardhshëm. Theksoj se gjithherë ka diçka të re për të marrë me vete.
“Nga Shqipëria në Langhe...” Shqipëria është e bukur edhe kur është  keq! Ndërsa Langhet, janë zona më e mrekullueshme e Italisë, më e qetë, me njerëzit më punëtorë, më piktoreske për të jetuar, qoftë edhe si murator i thjeshtë, për të zhvilluar pasionin si fotograf, apo për të shkruar poezi. Kjo më ka ndihmuar jashtëzakonisht në rrugëtimin tim.

Detajet dhe realiteti… Si ndërthuren këto në vizionin tuaj të shprehur në këtë ekspozitë?
Në ekspozitën time modeste, jam përpjekur ti ndërthur sa më mirë. Këndvështrimi im është real: Shqipëria është e bukur në tërësi dhe në detaje, siç është gjithashtu, e ashpër, e vështirë, problematike nga ana tjetër. Kështu, krahas një peizazhi të Krujës, Lezhës, Durrësit etj. mund të gjesh në Shqipëri bunkerët, lypësit, të papunët, ndërtimet mbytëse.
Kuptohet, jam përpjekë ti jap më shumë theks të bukurës që ofron vendi im, se të shëmtuarën mediat italiane janë të gatshme ta paraqesin edhe me tepri.

Cili ka qenë reagimi i fqinjëve italianë kur janë përballur me vizionin tuaj për realitetin shqiptar dhe mesazhin që keni dashur të përcillni?
Jam i kënaqur. Pa dashtë ti bëj qefin vetes, reagimi ka qenë pozitiv.  Në ekspozitë unë kisha vendosë edhe foto nga zona e Langheve, por interesimin më të madh e paraqitnin për fotografitë nga Shqipëria. Sidomos për anën e bukur të peizazhit shqiptar, të bregedetit të mrekullueshëm të Shëngjinit, Durrësit, të historisë përfaqësuar nga kalaja e Krujës, apo bunkerët e Enver Hoxhës.
Mesazhi që jam munduar të jap, besoj me sukses, ka qenë: Këtu është Italia vendi juaj, pak më tej është Shqipëria, një vend gjithaq i bukur, pavarësisht gjendjes së amullt që po kalon.

Në lidhje me këtë ekspozitë kanë shkruar edhe mediat italiane. E quani arritje, apo një interes i shprehur prej tyre për Shqipërinë dhe artin shqiptar?
Po e lëmë arritjen mënjanë. Mediat italiane, shpesh ndihen fajtore ose debitorë, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, mendimi im personal, që shkruajnë për vendin fqinj Shqipërinë, vetëm kur ndodh diçka negative, apo kur shqiptarët në Itali bëjnë nga ato krimet që bëjnë edhe italianët. Por kur të keqen e bën shqiptari është më shumë lajm se sa kur të njëjtën të keqe e ndoshta në masë më të madhe e bën italiani.
Iatlia është vend i artit dhe i kulturës, por kur artin dhe kulturën e sjellin të huajt, kjo ndoshta përbën lajm me interes. Unë e quaj veten me fat nëse arrij të jap sadopak kontribut në këtë drejtim.

Keni menduar që të realizoni edhe ekspozita të tjera në vazhdim?

Përveç meje, duket sa kanë menduar edhe të tjerët. Kam disa ftesa por kërkojnë imepnjim, investim kohë. Unë shpresoj të mos jetë e fundit.

Edmond, nuk jeni vetëm një fotograf I njohur, por në vendin tonë njiheni edhe si një ndër gazetarët më të mirë pas viteve 90”. Mund të themi që e keni braktisur këtë profesion, apo vazhdoni ta lëvroni, megjithëse jetoni jashtë?

Kam pasur dy pasione të mëdha: Të shkruaj dhe të fotografoj. I kam dhe do të vazhdoj ti kem. Është mallikimi i pasionit. Bekimit thonë edhe mund ti ikësh. Mallkimit jo! Pasionin nuk mund ta brakstisësh se ndryshe vdes.
Këtë pasion, falë internetit, është mëkat të mos e zhvillosh. Shkruaj, shkruaj, e prapë shkruaj. Ky është motivi im. Sa herë kam kohë, sa herë kam diçka të re për të thënë. Përveç bashkëpunimit on-line me gazeta të ndryshme elektronike, kam dhe dy blogje personale.
Njëri  për shkrime të ndryshme, poezi, tregime etj. link: http://zekthi.blogspot.com/
Ndërsa tjetri për fotografinë. Fotoblogu http://guardiamo.fotoblog.it/.
Fotoblogu ka arritur një numër mesatar vizitorësh në muaj prej mbi pesëmijë vizitorësh. Ku togfjalëshi më i kërkuar është “foto albania”. Në kohën e sotshme të kesh një numër të tillë vizitorësh besoj mund të quhet sukses!

Letërsia është gjithashtu një nga gjinitë e artit që keni lëvruar. Jeni autor i tre librave, njëri prej të cilëve është botuar në gjuhën italiane. Mund të na rrëfeni diçka më shumë në lidhje me këtë?
Gjithherë kam ëndërruar të jem dikush në fotografi, apo në gazetari, deri në një farë mase besoj i kam realizuar. Por letërsia, të zësh një vend në letërsi është maksimumi i realizimit të një ëndërre. Të zësh një vend në letërsi është e vështirë. Shpresoj ta arrij një ditë.
Deri tani kam botuar tre libra me poezi.
“Simbiozë”  -ka qenë libri i parë dhe diçka mbeti në kujtesën e njerëzve.
“Kur u mbaruan përrallat për fëmijë” –libri i dytë, i botuar pas përfitimit të një aplikimi nga fondacioni “Soros”. Diçka më tepër mbeti në kujtësn e njerëzve.
“Il passero ribelle” (Trumcaku rebel), në përkthimin e përsosur të Daniel Gazullit (ndarë nga jeta pak kohë më parë). Libri është botuar nga një shtëpi botuese e specializuar në botimet e poezisë, “Botuesja Letrare Ndërkombëtare” në kolanën “Poetë italianë bashkëkohorë”.  Vlen të theksoj se libri u përzgjodh për botim nga një juri e specializuar poetësh dhe kritikësh italianë, të cilëve natyrisht nuk ju bëhet i ditur emri i autorit.

Natyrisht gjithë kjo më nxit të vazhdoj të shkruaj e ndoshta, pse jo, një ditë, do të arrij të zë një vend në letërsinë bashkëkohore shqiptare.