Lexues

domenica, settembre 28, 2008

SHKODRA U ÇLIRUA. PO LEZHA?

Shkodra, me shumicë absolute, ka vendosur të çlirohet nga monumenti i “Heronjve të Vigut”. Kjo, megjithë kundërshtimin e përfaqësuesve të majtë në këshillin e qytetit. Ky është një lajm i mirë jo vetëm në aspektin urbanistik por dhe në aspektin politik.

Me gjithë respektin e madh që kam për heronjtë e vërtetë të luftës, dhe pa dashtë të fyej heronjtë e rremë, a të tejfryrë të thirrurës “Luftë antifashiste nacional –çlirimtare” monumenti i Ahmet Haxhisë, Naim Gjylbegut, Ndoc Mazit, Ndoc Dedës dhe Hydajet Lezhës në qendër të qytetit të vjetër, e djepit të kulturës shqiptare, është dhe mbetet një monstër e pakuptimtë urbanistike bronxi që i zë frymën qytetit. Këta burra në bronx me shpinë nga njëri tjetri, janë bërë shpesh objekt i barcoletave të pafund shkodrane.

Përveç përmasave të stërmëdha, të justifikueshme vetëm nga ndonjë mendje e sëmurë, monumenti në vetvete nuk ka asgjë artistike.
Në kontrast të plotë me pamjen rrethuese ngrihet si një “çiban” gjigant i ardhur kushedi nga cili planet i huaj, e i mbjellë forcërisht në zemër të qytetit. Qëllimi i kësaj mbjelljeje ka qenë i kjartë. Me hijen e bronxtë të “Heronjve të Vigut” regjimi kërkonte ti zinte frymën qytetit më antikomunist në Shqipëri. Monstra e bronxit ishte firma që lejonte ushtrimin e dhunës në qytetin që anjëherë nuk e përkuli kryet përballë shtypjes dhe dhunës së pazakontë të regjimit komunist.

Në aspektin politik, fakt është se vetëm në Shqipëri heronjtë e kombit edhe sot e kësaj dite mbeten të ndarë nëpër varreza. Madje, çuditshëm, ne kemi vetëm varreza të dëshmorëve shpesh të dyshimtë, të Luftës nacional –çlirimtare dhe nuk kemi varre për dëshmorët e rënë në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi, për dëshmorët e nacionalizmës shqiptare, për dëshmorët e kulturës shqiptare, për heronjtë e luftës kundër komunizmit.

Është e kotë dhe lufta që bëhet nga krahu kundërshtar i këtij “çlirimi” të domosdoshëm të Shkodrës. Këtyre njerëzve nuk iu dhimben simbolet e dëshmorëve. Nuk u dhimbet as kujtimi i “Heronjve të Vigut”, që Mirdita dhe mirditorët i paguan me një dhunë të pashoqe në shenjë hakmarrjeje nga komunistët e veshur me teshën e çlirimtarëve.

Sa janë “heronj” “Heronjtë e vigut” historianët e mirëfilltë jokomunistë dhe jodjathtistë nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Ndonjë mirditorë që e dinte ngjarjen, apo e kishte jetuar dhe ditën e vrasjes, në një nga portat e Mirditës, ka heshtur.
Në natyrën e regjimeve totalitare është krijimi i heronjve edhe kur ata nuk janë në të vërtetë të tillë. Heronjtë e rremë regjimi i mistifikon dhe i ngre në qiell më shumë se heronjtë e vërtetë. Shqipëria komuniste dhe Shqipëria e paskomunizmit është e shquar për krijimin e heronjve të rremë dhe harrimin e heronjve të vërtetë.
Në këtë mishmash heronjsh e vërteta duket si e rremë dhe rrena shitet si e vërtetë.

Në fillim thashë “Shkodra çlirohet: Po Lezha?”
Në Lezhë, pikërisht në Lezhë ka hedhur rrënjë dhe një tjetër nga “Heronjtë e Vigut”, Hydajet Lezha. Hydajeti, me qeleshe dhe yllin partizan në ballë, është ulur këmbëkryq dhe nuk luan nga gjimnazi i qytetit të Lezhës. Janë bërë përpjekje dhe herë të tjera për të çliruar gjimnazin “Hydajet Lezha” nga Hydajeti por deri më tash pa ndonjë rezultat të veçantë. Se çfarë i ka dhënë H. Lezha, kulturës dhe qytetarisë lezhjane, as vetë historianët komunistë nuk janë në gjendje të na e thonë. Përveç faktit të stërpërsëritur që “së bashku me Ahmet Haxhinë, Naim Gjylbegun, Ndoc Mazin e Ndoc Dedën, u vranë në Vig të Mirditës nga reaksionarët dhe tradhëtarët e atdheut, ku kishin shkuar, me armë në dorë, të përçonin idenë komuniste”.

Mësuesit e gjimnazit historik të Lezhës, që ka nxjerrë qindra intelektualë të denjë për ti dhënë emrin e ndonjërit prej tyre, ndodhen në vështirësi sa herë që ndonjë nxënës guxon ti pyesë: -Cili është kontributi i Hydajet Lezhës në Historinë dhe kulturën e qytetit të poetëve?

Në mbyllje dua të theksoj se nuk jam ekstremist, por vlerësoj real dhe të drejtë vendimin e Shkodrës për tu çliruar nga “Heronjtë e Vigut”, bile e quaj të vonuar, e të njëtën gjë do të kërkoja dhe nga Lezha e lezhjanët. Simbolet e tepërta e të pavend janë të dëmshme për brezat.
Ka ardhur koha të çlirohemi nga kompleksi i simboleve të rremë!

Edmond Kaceli