Lexues

domenica, novembre 22, 2009

NJË QEN PO I LEHËN TRENIT

-Tregim nga Edmond Kaceli

Treni, ndryshe nga të gjithë trenat e vendeve lindore dhe perëndimore, shtyhej, me tepër zor, nëpër shinat e lidhura me traversa të dëmtuara; njerëzit rrinin strukur në krye të detyrës së tyre të bezdisshme si udhëtarë të trenave; fatorinot kontrollonin për të dhjetën herë biletat dhe “primin” sigurimit; polici i trenit gërmonte xhepat e hajdutit të vogël të xhepave që sapo i mori një burri xhepzbrazur një sasi të vogël parash të grisura dhe gjithë zhul; dy poetë të dështuar i mburrnin njëri –tjetrit poezitë, që asnjë redaksi apo shtëpi botuese nuk riskonte botimin; dy ashikë po i shfaqnin me epsh të madh, e përgjërim, dashurinë një kurve, që zanatin e kryente në VC-në erëqelbur e me xhama të thyera të vagonit ku jo rrallë gjente personazhet që nuk vononin ti shfaqnin ndjenjat e tyre sublime; dy pseudoafaristë po vendosnin për lojën e nesërme në treg; një baba i dhembshur i jepte këshilla të bijës së hutuar nga prania e gjithë atyre njerëzve; një zyrtar vendoste ndërkohë të lironte edhe pak kollaren ngjyrë dheu, teksa po konsultohej me një si biçim gruaje (sipas gjasave e shoqja) për probleme të punës; një çift pleqsh dhe një çift dashnorësh ndërhynin në zonat e ndaluara të njëri –tjetrit; ata që nuk kishin mundësi të gjenin vend ulur, shtyheshin sa andej këndej në varavingo përgjatë gjithë gjatësisë së vagonit, dhe pastaj të tërë trenit…

Pikërisht në këtë moment të rëndësishëm, kur po ndodhnin kaq e kaq gjëra të rëndësishme dhe të parëndësishme, në trenin që zvarrisej tepër i lodhur, një qen. Po, po. Një qen. Disa metra larg shinave. Në një kthesë të butë të udhës së hekurt. Lehte si i tërbuar. Me një të lehur të fuqishme. Ishte një qen leshatok. I murrëtyer. Me dhëmbët që i shkëlqenin fort. Me një të lehur aspak muzikale.

Një qen po i lehën trenit. Trenit ku udhëtojnë njerëz me veshje, mendime, role dhe dëshira të ndryshme për jetën. Ky lehës i madh (i kushedi çfarë zotërie) i lehën papushim trenit në të cilin udhëtojnë, përveç fatorinove, policit, kurvës abone, edhe udhëtarë të përmasave të ndryshme mendore…
Treni ecën. Për çdo të trokitur të trenit, në bashkimin e shinave, qeni lëshon disa të lehura të forta njëherësh. Disa të lehura çjerrëse, si për të protestuar ndaj trenit të udhëtarëve, që rëndon mbi tokën e rreshkur nga dielli; si për të treguar se ka përreth gjithë asaj mase mospërfillëse, gjigande, të quajtur tren, dhe nuk e di çfarë qeniesh më mospërfillëse.

… Treni vazhdimisht ecën. Njerëzit nuk nxjerrin kokën dhe nuk dëgjojnë të lehurën gërvishtëse të qenit. Dhe qeni, si për të sfiduar mosvështrimet e tyre jopyetëse dhe të pakuptimta, i lehën si i tërbuar, vazhdimisht, trenit që zvarriset, e zvarriset, e zvarriset, në rrugën e tij të pafundme. Qeni i lehën, i lehën, i lehën vazhdimisht…

Një tren. Një kthesë. Udhëtarët. Një qen që i lehën trenit. Unë. Prapë qeni… Prapë treni…
… Dhe ishte një qen me ç’dukej, i ndërgjegjshëm që po kryente më së miri detyrën e tij…

lunedì, agosto 24, 2009

KUJDES: RREZIK VDEKJE!

SHQIPËRI -Bëni kujdes! Bëni shumë -shumë kujdes! Rrugët e Shqipërisë janë shënddruar në rrezikun numër një për jetën e qytetarëve shqiptarë. Aksidenti i para disa ditëve ku u përfshi dhe një makinë që transportonte të vdekur, na thotë se ëpër rrugët e Shqipërisë nuk kursejnë as të vdekurit!

Sipas statistikave zyrtare numri i të vdekurve në rrugë është të paktën një person në 24 orë.
Ndërkohë që viktimat e plagosura janë të pallogaritura. Çdo ditë, në ditaret informuese të televizioneve shqiptare sheh vetëm të vdekur apo të plagosur si pasojë e aksidenteve rrugore.
Gjaku në rrugë i ngjan një lufte të pakuptimtë ku luftëtarët shtrëngojnë timonin në vend të armëve të zjarrit. Dhe vrasin njëri -tjetrin. Vrasin të fajshëm e të pafajshëm. Vrasin gra e fëmijë. Shpesh edhe vetëvriten të vetmuar në shpejtësinë e pakontrolluar.
Shkaku? -Në komunikatat e policisë, ku ndërrohet vetëm emri i viktimave dhe data e aksidentit, thuhet “moszbatimi i rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen e ... si dhe plagosjen e rëndë të ...”.

Në fakt shkaku (shkaqet) janë të shumta e të gjitha kanë si burim numër një: Mungesën e një kulture, edukate, përgjegjshmërie, apo çfarë emri të duash, që karakterizon drejtuesit e automjeteve në Shqipëri.
Sa hyn në rrugët tona kupton që përmbi rregulloren e qarkullimit ekziston Ligji i Xhunglës së Qarkullimit!
Nëse nuk zbaton këtë ligj, je i paaftë në drejtimin e automjetit. Të gjithë të parakalojnë majtas, djathtas, anash, përpara pa iu bërë vonë se kështu mund të rrezikojnë jetën e tyre, në radhë të parë, e më pas jetën tëndë.

Nëse i kërkon një shoferi shqiptar, me patentë shqiptare, të bëjë kujdes ai të tund përpara hundës, në mënyrën më arrogante dhe qesharake në botë, patentën shqiptare duke të thënë:
“Kjo patentë ka vlerë! Se është me grup gjaku! Kupton?”
Ç’të ndihmon shënimi i grupit të gjakut në karton, për ngarjen e makinës, këtë vetëm ekspertët shqiptarë të ligjëbërjes së transporteve e dinë. Mjafton të përmendim se që nga viti kur patentat me grup gjaku kanë hyrë në fuqi, statistikisht, gjaku në rrugë, përkthyer me numrin e viktimave, është rritur në përpjestim disa herë më të madh.

Në këtë katrahurë gjaku përgjegjësia bie mbi shtetin në radhë të parë. Nuk është e mjaftueshme të shtosh numrin e policëve nëpër rrugë. Se kështu shton vetëm rriskun që edhe policët me autovelox në dorë të shtypen, vriten, nga shpejtësia e çmendur. Rast që edhe ka ndodhur.
Shteti duhet të shtrëngojë seriozisht dhënien e provimeve të patentës dhe kontrollin e autoshkollave të cilat janë kthyer njëlloj si universitetet e shumta shqiptare me të cilat nuk mund të shkosh, jo nëpër rrugët e Europës por as nëpër rrugët e humbura të katundit më të humbur shqiptar!

Nëse thamë se mungon një kulturë e përgjegjshme në drejtimin e mjetit, njëkohësisht mungon dhe një kulturë në dënimin e atyre që vrasin në rrugë, dhe pasi ia hedhin vdekjes, ia hedhin edhe ligjit ku me para në dorë, ku nëpërmjet politikës mashtruese të pajtimit me familjen e viktimës.
Përse duhet të pajtohet vrasësi me makinë, (në rastin kur del gjallë nga përfshirja në aksident,) me viktimën e tij? Thjesht për hipokrizi, a për ti shpëtuar veprimit të ligjit.
Ku ësht serioziteti i shtetit dhe përgjegjësia e tij në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, që në rastin konkret janë përdorues të rrugës?
A mos ka ardhë koha që në vend të shënimit në patentën shqiptare të grupit të gjakut të rifuten seriozisht dënimet me heqje të patentës, të pezullimit të patentës, të sekuestrimit të makinës, të sistemit të pikëve në patentë. Kjo në të gjitha ato raste kur ke abuzuar me alkoolin, kur ecën me shpejtësi disa herë tej normave të lejuara, kur parakalon jashtë çdo lloj rregulli rrugor, kur nget një makinë që nuk plotëson kushtet më minimale për të hyrë në rrugë, kur nuk zbaton asnjë pikë të rregullores, të cilën shumë shoferë të patentuar në Shqipëri, vetëm mund ta dinë se ekziston teorikisht!

Të gjitha këto futen në atë që quajta kulturë në drejtimin e automjetit. Por që janë të mangëta pa kulturën e atyre që do ti kontrollojnë të gjitha këto.
Shpesh policët rrugorë shqiptarë, ndonjëri dhe pre aksidentesh, sillen me drejtuesit e automjeteve jo si kërkues të zbatimit të rregullave por si shokë dhe miq të vjetër me rregullthyesit e ligjit.
Kur thashë për mungesëne kulturës nga ana e shoferëve, nuk mund të lë pa përmendë dhe mungesën e kulturë së policëve. Vini re: Qysh nga mënyra si të drejtojnë shenjën e stopit, nga paraqitja e jashtme, ndonjehëë nga era e birrave që kanë hedhur në fytin e tharë nga të nxehtit e verës, nga mënyrë e trashë me të cilën komunikojnë me ju, të lënë të kuptosh se kulturës, kur kaloi nëpër komisariatet e policisë, nuk i ra rasti të prekë 90% të policëve rrugorë!
Ndoshta gabohem për të gjitha këto. Por numri i viktimave nëpër rrugët e Shqipërisë, numri i përditshëm i viktimave, flet në favorin tim. Sa do të doja të mos kisha të drejtë!

Edmond Kaceli

sabato, giugno 20, 2009

Edmond Kaceli: E bëhemi njerëzorë


Në vend të një analize për zgjedhjet

Sheshi.
Turma.
Podiumi.
Në qendër të vëmendjes udhëheqësi flet.
(në fakt udhëheqësi çirret dhe turma
ulurin
n’ekstazë)

Sheshi.
Udhëheqësi. Dhe turma.
Turma që masturbohet.

Në hije të turmës
krejt afër këmbëve të sajë
(shikimi i turmës drejt qiellës
na fsheh më së miri)
qihemi unë dhe ti.
Indiferentë ndaj sheshit
ndaj turmës
ndaj podiumit presidencial
Të eksituar nga mishi dhe
shpirti ynë
në qirjen tonë hyjnore, harrojmë.
Harrojmë sheshin.
Harrojmë turmën.
Harrojmë dhe të çjerrat udhëheqësore.

E bëhemi njerëzorë.

Shqipëri , sa herën që ka zgjedhje

domenica, aprile 05, 2009

KRIZA E MOSKUPTIMIT


Kushtim: Njeriut

Në qerthullin e jetës kam mbetur i mbyllur
i lodhur, i shtypur, i vrarë, i shtrydhur
ngatërruar bërë lëmsh në fijet ashpra të jetës
në kufirin e hollë mes jetës dhe vdekjes

në fillin e hollë tragjik të moskuptimit
në pezullin e brishtë mes ikjes dhe qëndrimit
në ëndërrën dhe zhgjëndërrën e filozofisë jetike
në dilemën e jetës shpirtërore a fizike

Zoti më thërret fort në rrugën e drejtë
Djalli më prin për në rrugën e vet
E drejta mes të dyve qëndron gur pengu
I lodhur, i tundosur pyes: Ku është rrengu?

Përplasur, nëpërkëmbur, rrëmbyer, marrosur
në dyzimin e fjalëve që nuk paskan të sosur
Ngatërruar në krizën e moralit dhe hiçmoralit
në pezullin tragjik mes Zotit dhe Djallit

lunedì, marzo 09, 2009

Pamflet: Politika e Psiko -Porno -Kultures

Drejt Europës dhe Nato-s me b...rekë në dorë! (Më falni! Duke zbërthyer mbërtheckat!)
Kjo është parulla me të cilën qeveria shqiptare dhe politika shqiptare, ka vendosur në rend të ditës për të hyrë në Nato e më pas dhe në Europë. Pa doganë.
Në mbështetje të kësaj, politika shqiptare, opozita dhe pozita bashkë, kanë vendosur që të nxjerrin një memorandum të përbashkët, gjithëpërfshirës e gjithëkombëtar, në lidhje me politikën më të e re të rënë dakord.
Politika do të emërtohet: Politika e Psiko –Porno –Kulturës.

Si një rast historik, për herë të parë, arrihet një marrëveshje serioze mes të gjithë krahëve të shumtë të politikës shqiptare (që janë më të shumtë se krahët e oktapodit)
Sipas këtij memorandumi kush dëshiron të marrë një punë në administratën publiko –shtetërore duhet më përpara të paraklojë nudo, por edhe gjysëm nudo, përpara kompententit apo përpara një komisioni kompetentësh. Kjo si për punëkërkuesit e seksit femër, ashtu dhe për punëkërkuesit e seksit mashkull.
Memorandumi thotë se nuk mund të ketë dallime seksuale se ndryshe shoqatat Gay protestojnë në organizmat ndërkombëtare dhe Shqipërisë ja fusin. (Duke mos e futë as në Nato e as në Europë). Pastaj shijet e punëdhënësve shtetërorë kanë filluar të jenë properëndimore, në vitet e fundit.
Psikologjikisht kjo do të çojë në ngritjen e nivelit të adminstratës publike dhe në uljen e asaj çka administrata publike mban të ngritur në drejtim të popullit... Gjithëherë flitet për Futjen në... Nato dhe Europë.

Piskoza e popullit i koncepton këto gjëra ndryshe, por psikoza e politikës shqiptare duhet të ndikojë që populli të ndryshojë mendim. Për ndryshe ai popull që nuk ka respekt për politikën dhe vendimet e sajë, është më mirë që të largohet në një vend tjetër ku politika bëhet ndryshe.
Për këtë arsye politika më e re do të quhet dhe politika e Psiko –Porno –Kulturës. Madje është rënë dakord, në takime të fshehta, gjysëm të fshehta, të zhveshura dhe gjysëm të zhveshura, mes politikanëve shqiptarë, që si fillim të ndërtohet një komison parlamentar me të njëjtin emër. E disa ditë më vonë një ministri e veçantë. Ministria do të ketë për detyrë marrjen në punë të adminstratës publiko –shtetërorë. Për arsye të kompetencave të sajë, konform kushtetutës (kushtetua mund të ndryshohet sa herë ti çohet politikës) do të quhet: Ministria e Psiko –Porno -Kulturës.

Sipas gjasave ministri i parë i Psiko –Porno –Kulturës do të emërtohet, pa paradë nudo, ish ministri i kulturës Ylli Pango, përndryshe i pedagog i shquar i kësaj fushe.
Pritet vetëm vendimi i Kryeministrit, i cili megjithëse profesor i shquar në fushën e mjekësisë, nga çështjet e pisko –pornos, nuk merr shumë vesh. Përndryshe nuk kuptohet pse në zyrat e tij asnjëherë nuk është parë ndonjë burrë apo grua me minifund, siç shihej kur mbretëronin kryeministrat e majtë, apo ndonjë kryeministër i djathtë!
Nëse nuk merr vesh Kryeministri nga kjo politikë e re gjithëpërfshirëse, atëherë memorandumi parashikon shkarkimin e kryeministrit.
Kështu rruga për në Nato dhe Europë hapet më kollaj...

Edmond Kaceli

venerdì, marzo 06, 2009

Dy fjale per mesuesit e mij


-Thellësisht personale dhe thellësisht e përgjithshme.

Vjen në Shqipëri Dita e Mësuesit.
Qysh i vogël kjo ditë ka pasë, në mua, kuptimin e një feste nderuese të veçantë. Larg politizimit të kohës së shkuar, larg materializmit të tejskajshëm të kohës që jetojmë, kjo ditë mbetet një nga ditët më të veçanta , më kuptimplote në marrëdhëniet me ata që në një mënyrë apo në një tjetër na përgatitën dhe vijonë të na përgatisin për të përballuar jetën.
Për çdo vit, që nga klasa e parë e deri sa mbarova shkollën e lartë, mësuesit kanë qenë dhe mbeten figura më e respektuar për mua. Një lloj i veçantë prindi adoptiv.

Për çdo vit, Shën Mësuesi, (Shën Mësuesit) i kujtoj me respektin më të thellë, me përuljen më të madhe ndaj figurës së tyre. Sepse janë pikërisht ata, që duke sfiduar kohën, në qetësi, dhe me dashurinë e pasionin e përhershëm ndaj nxënësve të tyre, na udhëhoqën në rrugën e vështirë e pasionante të dijes.

Unë kujtoj sot mësuesen time të parë, të klasës së parë Nazife Isufin. Fytyrën edhe ja kam harruar. Por emrin dhe zërin e sajë kur na mësonte alfabetin e shqipes, kësaj gjuhe mrekullisht të gjallë, e kujtoj dhe në ëndërr. Çfarë nuk do të jepja për te takuar sot kur kam kaluar të 40-at! E sa dëshirë do të kisha t’ia puthja duart me të cilat na përkëdhelte ndërsa zemra na dridhej nga emocionet e klasës së parë dhe nga të ftohtit e kohës!
Kujtoj mësuesit e mëvonshëm dhe ndiej emocion kur emrat e tyre, më vinë në kujtesë si një listë e gjallë, e viteve që shkuan. Kolec Marku, Mri Hoti, File Kaçaj, Hajrie Cani, Naunka Shala, Gjyste e Mark Preka, Nesti Çeço, Keti Liçaj (Sokoli), Pjetër Mili, Marie e Gjeto Kaçeli.
E si mund të harroj, të paharrueshmin, Burhan Ulqinaku, biblioteka private e të cilit kishte më shumë tituj se vetë biblioteka e shtetit në Lezhë. E sa e sa mësues të mrekullueshëm që pata. Për të ardhë tek mësuesja ime e gjuhë –letërsisë shqipe, e veçantja Bukurie Cauli (Mazzola).
Kur para do kohësh më erdhi një e-mail, nga mësuesja ime e dikurshme e gjuhë -letërsisë, ndjeva emocionin më të madh që mund të ndihet në raste të tilla, e pse jo u ndjeva sërisht ai nxënësi i dikurshëm, i drojtur, me shallin e detyrueshëm të pionierit rreth qafës në buzëqeshjen e moshës më të pafaj.
E nëse arrita të bëhem dikush në gazetari apo letërsi, kjo në sajë të mësues sime të mrekullushmes Bukurie Cauli (Mazzola), që e para kuptoi dhe zhvilloi tek unë pasionin e të shkruajturit bukur, siç ishte dhe si siç ka mbetur dhe vetë ajo: e dashur, e bukur, e mrekullueshme, në shpirtin e sajë të gjërë.

Kështu respektin më të madh dhe për mësuesit e shkollës së mesmë, ndonjë më vonë e pata dhe koleg. Respektin më të madh dhe kujtimet më të mira për Agim Xhafkën, Gjon Palokën, Pjetër Alinë, Eduard e Dhora Sokolin, Sami Ymerin, Dedë Vatën, Pashko Smaçin, Gjelosh Tomën ( që mbrojti me forcë të drejtën time për të marrë shkollën e lartë, në kohën kur të drejtat për tu shkolluar ishin e drejta e posaçme e partisë), e dhjetëra të tjerë që me pasion, këmbëngulje dhe dashuri të pa shpërblyer asnjëherë, na bënë të gjejmë veten në rrugët e vështira të jetës shqiptare.

Si mund të harroj mësuesit e shkollës së lartë. Pedagogët e nderuar, shkencëtarë të drojtur të bujqësisë shqiptare. Simbolin e tyre Misto Shumelin, gjithmonë të qeshur. Ai dha jetën përkrah studentëve, si për të treguar deri në çfarë shkalle ishin dhe mbeten të lidhur nxënësit dhe mësuesit shqiptarë.
E njeriu ka dhe të tjerë mësues, që në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk i dhanë mësim. Por tërthorazi a direkt, ndikuan në formimin e tij. Kështu dua të përmend ish –kryeredaktorin e gazetës “Studenti i Bujqësisë”, Shefqet Meko, që më mësoi me durimin e një mjeshtri dhe pasionin e një mësuesi, bazat e gazetarisë.
Si mund të harroj mikun tim –mësues të zellshëm të jetës, Daniel Gazullin, që me vullnetin dhe ironinë dashamirëse, më mësoi dhe vijon të më mësojë respektin për gramatikën e gjuhës shqipe.

Në këtë shtatë mars simbolik, do të doja ti kujtoja të gjithë, do të dëshiroja ti takoja të gjithë bashkë, e një për një, ish-mësuesit dhe mësuesit e mij. Do të dëshiroja ti uroja të gjithë. Të më falin ata që për arsye të viteve që kaluan apo të mungesës së hapësirës në një shkrim si ky, nuk jua kujtova emrin. Do të dëshiroja ti uroja me sinqeritetin më të thellë dhe me ndjenjën më të madhe njerëzore: Gëzuar! Gëzuar mësuesit e mij. Dhe faleminderit!
Falminderit për gjithçka që më mësuat!
Faleminderit në mënyrën më të përzemërt
Prej nxënësit tuaj të përjetshëm
Edmond Kaceli