Lexues

Visualizzazione post con etichetta letersi. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta letersi. Mostra tutti i post

domenica, ottobre 23, 2011

Leter te dashurave...

Të dashura!
-siç e dini as’herë qeshë hipokrit
prandaj,
për këtë,
si dhe detyruar
nga mungesa e letrës së pastër
(Këtu është grumbulluar një grimë e pisllë
kut të kësaj Bote mrekullisht të
ndyrë)
Po ju shkruaj dy fije letër të përbashkët

 
Me dhimbje prej mungesës tuaj
të gjatë,
të papërballueshme deri
në çmendje. Po ju shkruaj.

Jam... siç mund të jem pa frymën tuaj.
Jam... siç mund të jem pa trupin tuaj.
Jam... siç mund të jem pa çdo gjë tuajën

duke filluar nga seksi juaj
duke mbaruar te seksi juaj

Jam… siç mund të jetë poeti
i burguar.

Të dashurat e mija të bukura!
Të dashurat e mija të mira!
Eunukëve ruajuni! Vrastarë dashurishë
janë. Frymuar prej dreqit à,
prej engjëjve të palavdishëm
në luftën kundër Zotit.

Ruajuni! Ruajuni shumë!
Prej eunukëve larg. Larg. Larg.
Të tredhunit -armiq të dashurisë
janë. Armiqtë e mij
janë. Armiqtë tuaj
janë.

Të dashura!
N’sa ndiej mungesën tuaj të brishtë
ju lutem! N’emër të dashurisë
mos u vetëburgoni -unë nuk trishtohem

Veç
-n’krahët e të tjerëve, n’ekstazë
kur të mbyllni sytë
Lutuni për mua,
për fatin tim

Kaq mjafton të mos ndjehem i harruar
apo i braktisur fundimisht.

Morali?!
-shpikja më e pamoralshme e Njeriut
të mos ju shqetësojë
Bekimin tim!
-Mos i lini orët të ikin kot
se,
nuk kthehen!

Çastet fatlume (sado shumë) nuk mjaftojnë
për shijimin e Botës
që kalon 20 metër larg prej këtej
(Dhe unë e ndiej frymën -njësuar
me frymën tuaj)

Mos e lini të ikë!…

Të dashura!
Mirëupjekshim të dashurat e mija!
(i pafat larg jush)

Ju dua. Ju dua. Ju dua shumë...

Edmond.

Lisburg (përndryshe -Burg i Lezhës) Maj 1995

domenica, novembre 22, 2009

NJË QEN PO I LEHËN TRENIT

-Tregim nga Edmond Kaceli

Treni, ndryshe nga të gjithë trenat e vendeve lindore dhe perëndimore, shtyhej, me tepër zor, nëpër shinat e lidhura me traversa të dëmtuara; njerëzit rrinin strukur në krye të detyrës së tyre të bezdisshme si udhëtarë të trenave; fatorinot kontrollonin për të dhjetën herë biletat dhe “primin” sigurimit; polici i trenit gërmonte xhepat e hajdutit të vogël të xhepave që sapo i mori një burri xhepzbrazur një sasi të vogël parash të grisura dhe gjithë zhul; dy poetë të dështuar i mburrnin njëri –tjetrit poezitë, që asnjë redaksi apo shtëpi botuese nuk riskonte botimin; dy ashikë po i shfaqnin me epsh të madh, e përgjërim, dashurinë një kurve, që zanatin e kryente në VC-në erëqelbur e me xhama të thyera të vagonit ku jo rrallë gjente personazhet që nuk vononin ti shfaqnin ndjenjat e tyre sublime; dy pseudoafaristë po vendosnin për lojën e nesërme në treg; një baba i dhembshur i jepte këshilla të bijës së hutuar nga prania e gjithë atyre njerëzve; një zyrtar vendoste ndërkohë të lironte edhe pak kollaren ngjyrë dheu, teksa po konsultohej me një si biçim gruaje (sipas gjasave e shoqja) për probleme të punës; një çift pleqsh dhe një çift dashnorësh ndërhynin në zonat e ndaluara të njëri –tjetrit; ata që nuk kishin mundësi të gjenin vend ulur, shtyheshin sa andej këndej në varavingo përgjatë gjithë gjatësisë së vagonit, dhe pastaj të tërë trenit…

Pikërisht në këtë moment të rëndësishëm, kur po ndodhnin kaq e kaq gjëra të rëndësishme dhe të parëndësishme, në trenin që zvarrisej tepër i lodhur, një qen. Po, po. Një qen. Disa metra larg shinave. Në një kthesë të butë të udhës së hekurt. Lehte si i tërbuar. Me një të lehur të fuqishme. Ishte një qen leshatok. I murrëtyer. Me dhëmbët që i shkëlqenin fort. Me një të lehur aspak muzikale.

Një qen po i lehën trenit. Trenit ku udhëtojnë njerëz me veshje, mendime, role dhe dëshira të ndryshme për jetën. Ky lehës i madh (i kushedi çfarë zotërie) i lehën papushim trenit në të cilin udhëtojnë, përveç fatorinove, policit, kurvës abone, edhe udhëtarë të përmasave të ndryshme mendore…
Treni ecën. Për çdo të trokitur të trenit, në bashkimin e shinave, qeni lëshon disa të lehura të forta njëherësh. Disa të lehura çjerrëse, si për të protestuar ndaj trenit të udhëtarëve, që rëndon mbi tokën e rreshkur nga dielli; si për të treguar se ka përreth gjithë asaj mase mospërfillëse, gjigande, të quajtur tren, dhe nuk e di çfarë qeniesh më mospërfillëse.

… Treni vazhdimisht ecën. Njerëzit nuk nxjerrin kokën dhe nuk dëgjojnë të lehurën gërvishtëse të qenit. Dhe qeni, si për të sfiduar mosvështrimet e tyre jopyetëse dhe të pakuptimta, i lehën si i tërbuar, vazhdimisht, trenit që zvarriset, e zvarriset, e zvarriset, në rrugën e tij të pafundme. Qeni i lehën, i lehën, i lehën vazhdimisht…

Një tren. Një kthesë. Udhëtarët. Një qen që i lehën trenit. Unë. Prapë qeni… Prapë treni…
… Dhe ishte një qen me ç’dukej, i ndërgjegjshëm që po kryente më së miri detyrën e tij…