Lexues

Visualizzazione post con etichetta parlamenti shqiptar. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta parlamenti shqiptar. Mostra tutti i post

lunedì, febbraio 25, 2019

Satirë: Vazhdojmë me arrestimet!


Satirë 

(Foto: Kjo punë është më radhë, si ajo kënga partizane: N'ato maja rryp- rrypa, një herë ma hype e një herë ta hypa!)

I dorëzuan mandatet! Pse bëheni merak?! Pse ia kjani hallin opozitës?! Në fund të fundit është zgjedhja e tyre!
Në kohën e Enverit, kokrrat që shkonin për opozitën përfundonin në koshin e kokrrave të pushtetit popullor! E meqënëse populli deshti fort Enverin, menjëherë opozitarët e parë, e në vijim, u vranë, u futën në burgje, u internuan!
Kështu populli ynë trim, heroik e partienever dashës votoi, për vite e vite, me rezultatin fantastik 99.99%.
Ishte votë e lirë dhe e drejtë! E ligjshme në bazë të ligjeve në fuqi! Bota habitej për popullin tonë të lumtur që votonte masivisht vetëm Partinë!

Ramiz Alia dhe Partia e Punës fituan kundër opozitës së parë shqiptare, në zgjedhjet e para pluraliste! A iu kujtohet ai që i thërriste Neritan Cekës: Dale, dale, e bëre dekllaratën, nashti rri të dëgjosh përgjigjen!
Opozita u hodh në protesta për votën e vjedhur e të manipuluar.
Të huajt bënin thirrje për tolerancë, protesta paqësore e dreqi e di se çfarë! (U vranë, e më pas u harruan, edhe katër djem në rrugët e qytetit më antikomunist në botë, në Shkodrën e dhunuar e të harruar nga të gjitha pushtetet!

Njaty në 1996 populli votoi bindshëm për partinë demokratike të Sali Berishës! Se populli ynë dashuron gjithmonë vetëm një Parti! Opozita u tkurr. Në fillim nuk pranoi ti merrte mandatet që ia fali bujarisht qeveria! Qeveria e Partisë që erdhi nga vota e lirë e popullit me një rezultat mbi 80%!

Rezultati: 1997! Protesta të dhunshme! Fundi i ushtrisë shqiptare. Armatosja e popullit! Të vrarë më shumicë nga të gjitha palët! Vetëm nga politikanët nuk u vra asnjë! Maksimumi, morën nga një presh në bythë! E ikën të lumtur që populli i don aq fort.
Të huajt gjithmonë na u gjendën pranë!
Ndërkombëtarët i bënin thirrje opozitës të hynte në parlament, të mos braktiste e parlamentin, të respektonte vullnetin e popullit!
(Pirdh dreq e bëj përpeq!)

Pas 1998, pati një përiudhë paqeje e kompromisesh politike që na kthyen për pak kohë qetësinë që nuk e duam ne shqiptarët. Se qetësia dhe prosperiteti (zhvillimi duke ecë përpara) nuk na bën mirë nga ana e shëndetit mendor!
I ndërruam me radhë e i ricikluam Majko, Nano, Nano- Meta, Berisha-Meta!
Derisa për një bllok të parëndësishëm të Metës opozita, thonë, i vuri flakën Tiranës!
E qeveria që e donte populli, krejt rastësisht, gati si padashje, vrau nja katër veta në mes të kryeqytetit! ( 21 janar 2011).
Të huajt prapë bënë thirrrje për protesta paqësore, tolerancë, e respektim të instuticioneve e tërci e vërci!
Të vrarët u harruan me ardhjen në pushtet të yllit të madh -vezullues liderit socialist Edi Rama, që ndriçon i vetëm, edhe sot e kësaj dite nga zyrat e kryeministrisë.
Mori votat në emër të 4 demonstruesve të vrarë në shesh, dhe e ruajti pushtetin me një miljon shuplakat që opozitës ia dha populli! Populli që kurrë nuk e do opozitën! Pasi gjithëherë sherri dhe burimi i të gjithë fatkeqësive është e mbetet opozita!
Në fakt opozita e udhëhequr nga Lulëzim Basha, dhe e mbështetur fuqimisht nga Sali Berisha, bëri një luftë të vërtetë parlamentare, e në sheshe! Por populli mbështet gjithmonë qeverinë! Për popullin nuk kanë rëndësi problemet dytësore si korrupsioni, droga, parlamenti me deputetë të akuzuar për krime! Populli don Partinë. Vetëm atë që është në pushtet!
Edhe të huajt mbështesin Qeverinë!
Turma e miqve ambasadorë, këshilltorë, europarlamentarë, sekretarë, e shoferë të të gjitha vendeve të Bashkimit Europian, USA gjithashtu, mbështesin qeverinë Rama dhe i bëjnë thirrje opozitës të respektojë institucionet!

Por opozita u pjerdh nga veshët!
Lulzim Basha i fut një të kënduar hymnit kombëtar, dhe bashkë me deputetët e opozitës, mu përballë parlamentit, të zgjedhur me votë të lirë e të ndershme, i bëjnë shurrën mandatit të deputetit!
Nuk pjerdhin as për komunitetin ndërkombëtar të shoferëve, pastruesve, e ambasadorëve të ambasadave!
Madje kryelartësia e Tij, dhe Shtatëgjatësia e tij, Skënderbeu Shalëgjatë, dekllaron se ne teknikisht qeverisim pa opozitën! (Të dhjefsha teknikalitetet!)
Por opozita kështu e ashtu!-Ai Lideri i historisë aktuale nuk denjon të zdrypë nga magjari, se kalin e vrau Saliu!
Kjo me justifikimin se e votoi populli, se e don populli!
(Dikush kujtohet të pyesë mos kanë ndonjë lidhje gjaku me Berishën që e don te populli aq fort!?)

Për ta bërë popullin më të kënaqur, meqënëse gjithmonë ka dashtë atë që është në karrigen e pushtetit, jemi që jemi, votat në parlament i kemi (teknikisht) a nuk nxjerrim një ligj?
Po, po, një ligj me anë të të cilit të nxjerrim të paligjshëm opozitën!
E pas këtij ligji e fusim në burg opozitën, krejt bllokun opozitar, përfshirë edhe bashkëjetuesen e Presidentit Aktual, Doktoreshën e Shkencave!
Kështu populli do të mbetet i kënaqur, komuniteti ndërkombëtar na përkrah se ligji kalon në parlament, opozita rri në burg duke mbledhë sapuna në dushet e burgjeve specialë, e Lideri Suprem në pushtet, e veshët na rrinë rehat!

Bacë u kry! Tung! Të fala ndërkombëtarëve!

Edmond Kaceli

domenica, giugno 04, 2017

Me nder me thanë një... Kandidat!

Satirë nga E. Kaceli

Asnjëherë më shumë se kësaj radhe, në garën për parlamentin shqiptar nuk janë parë e dëgjuar kaq shumë kandidatë për deputetë. Aq shumë, sa duket se parlamenti do të ketë, pak me thanë, nja dy mijë anëtarë në katër vitet e ardhme!
Mjafton të hedhësh një sy rreth e rrotull dhe kupton se Shqipëria, më shumë se vendi i shqiponjave është dhe do të jetë vendi i ... kandidatëve për deputet! E krahas tyre kësaj radhe, e reja e fundit e marrëzisë, është edhe kandidimi i kandidatëve për kandidaturën e kryeministrit të ardhshëm!

Çdo lloj dallkauku, budalle, i forti i lagjes, i katundit, a më gjerë ka gjetë një parti, e është shënuar kandidat! Madje edhe mendon se do të fitoj! Ndryshe përse është kandiduar?
Është mbushë vendi me turlilloj kandidati të varun, të pavarun, të mos varun e të hiç varun, që varen diku e askund!
Diku me strajcën e lekëve, diku me thesin e miellit, diku me Ungjill në dorë e diku tjetër me Kur'an kërkojnë votën, dhe shtyjnë njerëzit e thjeshtë të japin Besën për votën!
Një çmenduri tipike e racës së shqipeve!

Dhe mos pyesni sa njohin veten këta kandidatë? Sa e njohin shkallën e tyre të intelektit dhe aftësitë e tyre politike! (Dikush thotë se kjo sëmundje kandidatësh vjen si pasojë e kultivimit dhe konsumit të hashashit që për katër vitet e mëparshme njohu bumin e madh! Ndoshta!)

Dikur qytetarët, e njerëzit e sojshëm, kishin një shprehje për fshatarin e shkretë(në sensin e dashamirësisë negative): Me nder një katundar!

Po sot? Sot, duke pa se çfarë lloj malli, e në çfarë sasie po garohet për deputet, gjasat po duken se shprehja e mësipërme po zëvendësohet me "Takova me nder me thanë një... Kandidat për deputet!"

martedì, aprile 25, 2017

Politikâj! -Mos e rruani për njëri -tjetrin!

Pamflet:
-nga E.Kaceli

Shumë të dashur politikâj të Shqipërisë, (pa dallim feje, krahine, ideje dhe aftësie mendore), kemi ardhë në një pikë ku marrëveshja, nëpërmjet mosmarrëveshjes, ka mbërritë në pikën më të lartë.
Si gjithëherë për arritjen e sukesshme të mosmarrëveshjes kanë bërë të veten të gjithë!
E para qeveria -që iu ka hipur një miljon shuplakave, të para katër viteve, duke harruar se një pjesë e madhe e këtyre shuplakave është rrëzuar përtokë për shkak të përdreq qeverisjes!
E dyta harresë -media e qeverisë, që i është ngjitë aq fort pas këpucëve të të gjatit, sa nuk ia ndien më erën pushtetit të shfrytëzuar keq, në mënyrën më të përsosur!
Në arritjen e mosmarrveshjes ka rolin e vet edhe opozita, media e sajë, apo e kush i rri afër sajë, për ti ngrënë kokrrat (në kuptimin frytet e pushetit) sapo të shalojë mushkun e pushtetit!
Opozita që për dreq u kujtua se duhet të protestojë nja dy tre -ditë përpara zgjedhjeve duke mos hyrë në zgjedhje!

Punë leshi! Punë leshi kjo puna e shqiptarëve! Të gjithë tjerrin, e askush nuk lëshon pe!
Tjerr lesh kryeministri, e vrapon katund më katund, duke iu propozuar deleve (popullit) një qethje më të mirë, një qethje allafrënga, për katër vitet e ardhme!
Tjerr lesh kryetari i kuvendit, duke i ndjetë afër kryeministrit e duke ia shkelë syrin opozitës me qetësi, dashuri, e me të futme (në kuptimin politik të futjes!)!
Tjerr lesh, në hava, kryetari i opozitës, duke premtuar zhdukjen e menjëhershme, me nja dy-tri goditje, të krimit, korrupsionit, hashashit, papunësisë e dreqi e di ku do të mund ta ndali hovin e tjerrjes...
Ndërsa kryetari i shtetit ka kaluar në menopauzë dhe nuk ka lidhje me leshin e palëve, pasi ka në dorë vetëm lesht e vet (Në kuptimin e detyrave dhe detyrimeve presidenciale!)
E sipas stilit shqiptar, të gjithë baballarët e kombit, i tregojnë forcën shoqi-shoqit!
-Unë nuk pyes për ty se kam një miljon vota!
-Unë nuk hyj në zgjedhje me ty se kam një miljon protestues që i nxjerr në rrugë!
-Unë nuk jam me asnjërin se kam një miljon arsye!
-Unë të fus nja një miljon shpulla!...
...E dalim në fund nja shtatë miljon shqiptarë, me 14 miljon mendje! Të gjitha këto 14 miljon mendje, kanë të drejtë në kafkën e vet (bosh), e mënyrën e vet!

Nga ana tjetër, mundohem të dalë unë! Unë, delja e zezë e tufës, që iu them shqiptarëve të politikës, vazhdoni me sukses në rrugën tuaj të ndritur alla shqiptare: Mos u merrni vesh!

E thënë në shqipen e pastër pellazge: Mos e rruani për njëri -tjetrin! Mos e rruani për njëri -tjetrin se vetëm kështu mund të përparojmë e ecim përpara si nacion modern në zemër të Europës që plaket përditë!
Mos e rruani për njëri -tjetrin, se kështu edhe Europa plakë nuk do e rruajë për ne, siç nuk e ka rruar tash dy mijë e kusur vjet! (Leshin në kuptimin politik)

mercoledì, marzo 25, 2015

Parlamenti i rrëzuar nga E. Kaceli

Pamflet
Dhe prapë  në darkë kemi guximin të shkojmë të flejmë, e prapë marrim guximin të shohim ëndërra!

Ajo çfarë po ndodh këto ditë në Shqipëri, në politikën shqiptare, nuk ka përgjasim me anjë vend të botës.
Marr shembull të freskët nga Italia: Ministri i infrastrukturës Lupi, këto ditë, dha dorëheqjen për ti hapë rrugën drejtësisë italiane.
Ndërsa në Shqipëri është krijuar një mish -mash politike dhe drejtësie ku nuk e merr vesh i pari të dytin, i dyti të tretin, e me radhë duke u nisë edhe njëherë nga i pari!
Leshi i arapit është më pak i ngatërruar se rrëmuja që ka mbërthyer politikën dhe drejtësinë shqiptare.

Njëri akuzon tjetrin. Tjetri akuzon të parin dhe të tjerët. Dikush bën vëzhguesin duke pritë rrallën e breshërisë së akuzave. Populli nuk din ku të fshihet për tu ruajtë nga gëzhojat!
Drejtësia e munguar shqiptare e mbërthyer në morsën e politikës nuk është në gjendje të japë drejtësi.

Në qendër të gjithë kësaj rrëmuje mbetet ajo që duhet me qenë ajka e politikës dhe e ligjëbërjes ne Shqipëri: Parlamenti shqiptar me përbërjen e tij.
Akuza ndaj Kryetarit të Kuvendit, akuza ndaj Kryeministrit, akuza ndaj deputetëve sponsor të PS-ë, ndaj deputetëve të Veriut, ndaj deputetëve të Jugut, ndaj ish -kryetarit të opozitës, ndaj kryetarit të opozitës, ndaj deputetëve të opozitës. Akuza ndaj partisë socialiste, akuza ndaj partisë demokratike, akuza ndaj LSI-së, ndaj partive të vogla...
Nëse deri më tash ka mbetur vetëm Presidenti i Republikës pa u akuzuar. Kjo për fatin e tij të mirë se askush në Shqipëri nuk pyet më për institucionin e Presidentit!

Akuza, kundër akuza, nga të gjitha palët, kundër të gjithëve!
Hyrje daljet pa kriter të politikanë në ambjentet e akuzës (prokurorisë), janë kthyer në një modë të re për politikën shqiptare. Në një modë për të fituar kohë televizive gjatë procesit të shkatërrimit të seriozitetit të organit të akuzës dhe të drejtësisë në përgjithësi.
Duke sjellë një përqasje me të akuzuarit e jashtëzakonshëm të atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë, numri  përbërësve të parlamentit shqiptar të akuzuar a të përfolur si të akuzuar të mundshëm, ia kalon atyre të parve! Dikush nga deputët ka mbi shpinë më shumë se dy akuza, duke bërë kështu që numri i të akuzuarve në parlament të kalojë edhe numrin e vetë parlamentarëve!

Nuk marr përsipër të paragjykoj, gjykoj apo jap mend, por nëse gjithë ky inflacion të akuzuarish dhe akuzash në Kuvend, apo të arrestuarish në ditët në vijim, besoj ka arritë të bëjë vetëm një gjë: Rrëzimin e Parlamentit shqiptar si organi ligjëbërës në Shqipëri.

Rrëzimi i parlamentit, praktikisht të rrëzuar,  është zgjidhja më e drejtë dhe më demokratike në çastin që po kalon politika dhe drejtësia në vend. Rrëzimi i parlamentit, është zgjidhja më e arsyeshme e konfliktit të interesit që parlamenti ka me organin e akuzës dhe në vijim me drejtësinë në Shqipëri.
Në një sistem demokratik modern: Të gjithë në shtëpi, ata që i kanë bërë vendin në burg e më pas në shtëpi! -do të ishte zgjidhja më e ndershme.

... Sapo më doli gjumi dhe u kujtova: Jemi në Shqipëri! Që e përkthyer në shqipen e sotshme don me thanë: nuk kemi drejtësi, nuk kemi politikë, nuk kemi burra shteti, nuk kemi demokraci...
Dhe prapë  në darkë kemi guximin të shkojmë të flejmë, e prapë marrim guximin të shohim ëndërra!

Edmond Kaceli