Lexues

Visualizzazione post con etichetta ilir meta. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta ilir meta. Mostra tutti i post

sabato, giugno 29, 2019

Të gjithë në votime!


Satirë nga E. Kaceli

Të gjithë në votime! Të gjithë pa përjashtim! Kujdes mos ngatërroni kutinë e votimit!
Bëni shumë kujdes!
Kur ti drejtoheni kutisë së votimit, në mëngjez herët, mendoni se aty në kuti nuk është vetëm Lideri i Gjatë, por edhe ai i Shkurtri! Mendoni Bukuroshin që zbukuron përditë jetën e shqiptarëve! E çojeni mendjen tek Qytetari Digital!
Dhe Votoni!
Votoni me bollëkun e votës suaj që ju karakterizon si shqiptarë të lezetshëm!
Mos ju ndani kutisë me 30 qershor!
Të gjithë ata që për arsye të ndryshme, bindjejet politike, apo kapsllëku, nuk arrijnë të votojnë nesër, i Shkurtri ka caktuar 13 tetorin!
Është pak problem të duroni deri me 13 tetor, por për të mirën e Atdheut, bëni si të bëni deri atëhere.
E me 13 tetor mund te çliroheni krejtësisht me votën tuaj!
Votoni për të ardhmen!


lunedì, ottobre 01, 2018

Dje: Nga na erdhën këta Partizanë?! Sot: Nga erdhën këta Horra!


Pamflet nga E. Kaceli

Kur mbushën sheshet ca zhelanë me yllin e kuq në ballë, që vrisnin e prisnin pa dallim feje, krahine dhe idejet, të gjithë kundërshtarët personalë dhe politikë; që dhunonin e përdhunonin çdo njeri të pasur apo çdo njeri me prejardhje të pasur a gjysëm të pasur; që shtypnin e torturonin intelektualët, priftërinjtë, hoxhallarët e njerëzit e Zotit; që mbasi vranë e prenë kundërshtarët, shkuan në hell edhe njëri -tjetrin në emër të idealeve; njerëzia pyeti me gjysëm zërit:
Nga na erdhën këta partizanë!

Sot, shumë, krejt shumë, vite mbrapa, më duket se ora e shqiptarit ka mbetë në vend numëro! Jemi po aty!
Me ndryshimin e vetëm se kanë zëvendësuar mushkat e transportit me makina të blinduara e xhama të zinj! Zhelet i kanë zëvendësuar me rroba të firmave të njohura! Gjatësinë mundohen ta plotësojnë me gjatësinë e celularit e tundjen e kobures. Trashësinë e mendjes me numrin e dashnoreve!

Qysh prej 44-ës, më kot mundohemi të ecim! Kemi mbetë në vendnumëro! Vetëm njerëzia, duke u lutur nën melodinë "dhunën e përditshme falna sot" pyet:
Nga na erdhën këta Horra!

Këta horra që na kanë zaptuar rrugët, lokalet, parqet, fshatrat, qytetet. Këta horra që kanë mbytë Shqipërinë. Këta horra që i ndeshim kudo dhe ulim kryet përpara tyre më shumë se përpara perëndisë!
Këta horra që një herë në katër vjet nën zhurmën dhe bujën e burrave të fortë, i veshim me pushtet absolut që nga kryeplaku i fshatit, kryetari i bashkisë, komunës, e deri sa i çojmë në parlament, apo në qeveri, për të na dhunuar, poshtëruar, e varfëruar, politikisht, moralisht, e mendërisht!

Ulim kryet si qengja të butë duke rrejtë veten se "Nuk kanë punë me mua!" Ulim kryet siç e kemi ulur gjithmonë! Ulëm kryet nën dhunën e Enverit, nën pushtetin e dhelprës Alia; ulëm kryet sa herë iu tek Fatos Nanos, apo Berishës: ulim kryet përballë Edi (Edvin) Ramës; i biem në gjunj Ilir Metës; puthim Lulëzim Bashën e kacarrojmë Lali Erin, duke i shpallë (Mo Zo ma keq!) Perëndi!

Në përuljen tonë të përditshme, në frikën e delirin që pjell pushteti, iu thurim edhe këngë! Këngë ku teksti është i njëjti tekst -servil i përulun, por vetëm iu ndryshojmë emrin
E sa herë na del gjumi nga kur bëhet publike trafiku, skandali apo dhuna e radhës, nga të afërmit e horrave, nga horrat, apo nga kryehorrat personalisht, pyesim të çmeritun, e me gjysëm zërit:
Nga na erdhën këta Horra!?
Hë pra nga na erdhën?!

martedì, aprile 25, 2017

Politikâj! -Mos e rruani për njëri -tjetrin!

Pamflet:
-nga E.Kaceli

Shumë të dashur politikâj të Shqipërisë, (pa dallim feje, krahine, ideje dhe aftësie mendore), kemi ardhë në një pikë ku marrëveshja, nëpërmjet mosmarrëveshjes, ka mbërritë në pikën më të lartë.
Si gjithëherë për arritjen e sukesshme të mosmarrëveshjes kanë bërë të veten të gjithë!
E para qeveria -që iu ka hipur një miljon shuplakave, të para katër viteve, duke harruar se një pjesë e madhe e këtyre shuplakave është rrëzuar përtokë për shkak të përdreq qeverisjes!
E dyta harresë -media e qeverisë, që i është ngjitë aq fort pas këpucëve të të gjatit, sa nuk ia ndien më erën pushtetit të shfrytëzuar keq, në mënyrën më të përsosur!
Në arritjen e mosmarrveshjes ka rolin e vet edhe opozita, media e sajë, apo e kush i rri afër sajë, për ti ngrënë kokrrat (në kuptimin frytet e pushetit) sapo të shalojë mushkun e pushtetit!
Opozita që për dreq u kujtua se duhet të protestojë nja dy tre -ditë përpara zgjedhjeve duke mos hyrë në zgjedhje!

Punë leshi! Punë leshi kjo puna e shqiptarëve! Të gjithë tjerrin, e askush nuk lëshon pe!
Tjerr lesh kryeministri, e vrapon katund më katund, duke iu propozuar deleve (popullit) një qethje më të mirë, një qethje allafrënga, për katër vitet e ardhme!
Tjerr lesh kryetari i kuvendit, duke i ndjetë afër kryeministrit e duke ia shkelë syrin opozitës me qetësi, dashuri, e me të futme (në kuptimin politik të futjes!)!
Tjerr lesh, në hava, kryetari i opozitës, duke premtuar zhdukjen e menjëhershme, me nja dy-tri goditje, të krimit, korrupsionit, hashashit, papunësisë e dreqi e di ku do të mund ta ndali hovin e tjerrjes...
Ndërsa kryetari i shtetit ka kaluar në menopauzë dhe nuk ka lidhje me leshin e palëve, pasi ka në dorë vetëm lesht e vet (Në kuptimin e detyrave dhe detyrimeve presidenciale!)
E sipas stilit shqiptar, të gjithë baballarët e kombit, i tregojnë forcën shoqi-shoqit!
-Unë nuk pyes për ty se kam një miljon vota!
-Unë nuk hyj në zgjedhje me ty se kam një miljon protestues që i nxjerr në rrugë!
-Unë nuk jam me asnjërin se kam një miljon arsye!
-Unë të fus nja një miljon shpulla!...
...E dalim në fund nja shtatë miljon shqiptarë, me 14 miljon mendje! Të gjitha këto 14 miljon mendje, kanë të drejtë në kafkën e vet (bosh), e mënyrën e vet!

Nga ana tjetër, mundohem të dalë unë! Unë, delja e zezë e tufës, që iu them shqiptarëve të politikës, vazhdoni me sukses në rrugën tuaj të ndritur alla shqiptare: Mos u merrni vesh!

E thënë në shqipen e pastër pellazge: Mos e rruani për njëri -tjetrin! Mos e rruani për njëri -tjetrin se vetëm kështu mund të përparojmë e ecim përpara si nacion modern në zemër të Europës që plaket përditë!
Mos e rruani për njëri -tjetrin, se kështu edhe Europa plakë nuk do e rruajë për ne, siç nuk e ka rruar tash dy mijë e kusur vjet! (Leshin në kuptimin politik)

giovedì, gennaio 14, 2016

Pamflet: Edhe reformë edhe e ... rruar


Tipike shqiptare. Tipike sallatë shqiptare e përgatitur nga sallatorët (shqip kastravecët) e parisë politike shqiptare. Sallatë nga ajo e egra dhe shumë e njelmët (Për analfabetët e shqipes, sallatë me shumë e kripë që nuk e hanë as qentë e uritun të lagjes)

Reforma në drejtësi po shëndrrohet në një reformë në Dreqtësi!
Një reformë që do ta bëjnë persona që kanë patur apo kanë, të paktën dy probleme me drejtësinë. Thashë dy se të gjithë janë të akuzuar për më shumë se një herë, apo ia kanë hedhur drejtësisë të paktën  disa herë!
Më e bukura e këtij diskutimi është se palët nuk duan pjesëmarrjen e njëri -tjetrit në këtë reformë, të cunguar dhe sakatuar që në nisje. Merre me mend se në ç'gjendje do të përfundojë me sakatimet dhe cungimet e marra!

Kështu si gjithëherë Rama nuk do Lulin, Luli nuk do Metën, Meta nuk do as Ramën e as Lulin, (por bën sikur i don shumë të gjithë) e Berisha që nuk i do asnjërin. Të gjithë nuk duan njëri -tjetrin e për rrjedhojë edhe reformën!

Papritmas na i del gjumi edhe presidentit Nishani (kishte humbur pa nishan) që ankohet se nuk është pyetur apo marrë opinioni i tij për drejtësinë, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë! (edhe kryetar, edhe këshill, edhe i lartë, edhe drejtësisë  -emërtim shumë i bukur, shumë tringëllues). Nuk mjafton që është president por dashka të japë edhe opinione!

Nga bregu tjetër ne, populli, që kërkojmë të bëjmë drejtësi në lokalin e klubit të fshatit që e quajmë qytet dhe të qytetit që e e kemi kthyer në fshat. Reforma jonë është me njërën dorë në gotën e pijes, e me tjetrën duke vënë firmën në listën e borxhit. Këtë listë -defterin e borxhit pijanik,  na e tund para syve pronari i lokalit sa herë kundërshtojmë politikën e tij për reformën në drejtësi. Dhe na e tund në publik!

Drejtësi apo Dreqtësi!
Gjejeni vetë, se mua, ndërsa të gjithë flasim me kompetencë për reformën në Drejtësinë shqiptare, për ekspertë të palëve, për drafte (shqip nuk e di) të palëve, për përjashtime të palëve, më bie ndërmend të them:
Dashkeni edhe Reformë, edhe Drejtësi, edhe pa përfshirë krenat e përndrituna të politikës shqiptare.

Dashkeni edhe Reformë edhe ... Reformë të rruar!
Hajt pra: Rroftë Reforma!


Edmond Kaceli, 14  janar 2016

martedì, giugno 23, 2015

Interpretimi i votes nga Edmond Kaceli (analist)

Analist siç, shtate miljon shqiptare brenda dhe jashte kufinjve natyrale te dheut te shqipeve!

Zgjedhjet e fundit lokale me rezultatin e tyre treguan edhe nje here se politika shqiptare funksionon pak a shume siç eshte situata ne kete foto:
Dy partite aleate fituan shumice absolute! Nderkohe Partia Socialiste, ne sensin praktik ia futi Lidhjes Socialiste per Integrim.
Nga ana tjeter partia demokratike dhe aleatet e saje, duke fituar nje numer minimal bashkishe, bejne sehir pasi ia kane futur vetes. Diku i fshehur ne foto qendron edhe ndonje ia pavaruar qe nuk eshte ne gjendje t'ia fuse as te tjereve dhe as vetes.
Ne fund te fundit e gjitha partite i kane hipur lules! Dhe nuk do te ulen derisa lulja te thahet!