Lexues

Visualizzazione post con etichetta atdheu. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta atdheu. Mostra tutti i post

sabato, giugno 29, 2019

Të gjithë në votime!


Satirë nga E. Kaceli

Të gjithë në votime! Të gjithë pa përjashtim! Kujdes mos ngatërroni kutinë e votimit!
Bëni shumë kujdes!
Kur ti drejtoheni kutisë së votimit, në mëngjez herët, mendoni se aty në kuti nuk është vetëm Lideri i Gjatë, por edhe ai i Shkurtri! Mendoni Bukuroshin që zbukuron përditë jetën e shqiptarëve! E çojeni mendjen tek Qytetari Digital!
Dhe Votoni!
Votoni me bollëkun e votës suaj që ju karakterizon si shqiptarë të lezetshëm!
Mos ju ndani kutisë me 30 qershor!
Të gjithë ata që për arsye të ndryshme, bindjejet politike, apo kapsllëku, nuk arrijnë të votojnë nesër, i Shkurtri ka caktuar 13 tetorin!
Është pak problem të duroni deri me 13 tetor, por për të mirën e Atdheut, bëni si të bëni deri atëhere.
E me 13 tetor mund te çliroheni krejtësisht me votën tuaj!
Votoni për të ardhmen!


domenica, settembre 02, 2018

Më duket e thërrasin Atdhe!


Vijmë e largohemi
në makinat e shtrenjta, e më pak të shtrenjta
ngarkojmë pjesën tjetër të boshllëkut
që nuk e mbart shpina
Shpina -thyer prej viteve dhe mallit
rrugëve të botës
                           jetimë deri në dhimbje!
Në heshtjen e ditëve të mbushura me bosh

Jetojmë ca ditë në vendin e Hiçit
(më duket e thërrasin Atdhe)
Sjellim boshllëkun e largët
prodhojmë boshllëkun e ditës
hamë e dhjesim boshllëk!
Argëtohemi! Largohemi!

Teksa ikim -qëllojmë ca plumba bosh
shkrepim ca pushkë marrëziet
drejt qiellit -bosh në pafund
Qiellit të këtij Hiç -vendi
                         e thërrasim Atdhe!
Pa dashje! Lamtumirë!

Shqipëri gusht 2018
E. Kaceli

domenica, giugno 19, 2011

Atdheu në Askund! -nga E. Kaceli

             -Njeriu vuen atë që asht!

Rrugëve pafund të botës
me një biletë të ftohtë në dorë
Zogj të trembur, shtegtarë
                                       të tretun larg
Era e pashpirtë e kohës luan me shpirtrat
Në xhepa dhimbje, bagazhet mbushur mall

Kërrusun prej heshtjes
hyrje -daljeve të Botës presim
skllevër te ajrit,
                       skllevër te valëve të detit
fanarët e Kepit të Shpresës së Mirë nuk ndriçojnë

Atdheu edhe këtu, edhe atje
edhe në Askund...

Aeroporti “Nënë Tereza”, Tiranë, qershor 2011

domenica, marzo 21, 2010

Pamflet: Parlamenti kalon ne q... Lum nënat që i kanë!

Nga Edmond Kaceli
Sipas mediave, dhëntë Zoti që të mos jenë të vërteta, parlamentarët shqiptarë në luftën e pashoqe për hapjen dhe mbylljen e kutive të votimeve kanë kaluar në q...ashtu-në e nënave të njëri –tjetrit.

Pas një q... gati një vjeçare që iu bënë kutive të votimit, nervave të shqiptarëve, dhe vetë Nënës Shqipëri, të cilës vazhdojnë t’ia q...ashtuhin kurvën, demat e tërbuar blu, kuq dhe rozë (PS, PD, LSI), mbrehën pallat dhe filluan t’iu kthehen nënave të njëri –tjetrit.
(Shprehja “mbrehën pallat” rrjedh nga kënga popullore “More djemtë e Kurve –Leshit/ me palla lëftoni sheshit –shën. i autorit)

Këta burra potentë deri në tërbim, të fortë deri në thyrje hundësh, të ndershëm deri në kufinjtë e fundit të ndershmërisë, të veshur dhe të zhveshur shik (alla frënga), poliglotë të mbaruar në fushën e sharjeve në gjuhën e mëmës, të zgjuar deri në skajin më të errët të zgjuarësisë, idealistë të pamposhtun deri në marrëzinë e madhështisë, besnikë ndaj atdheut dhe familjes deri në shkallën më të lartë të vetmohimit, janë kthyer në krenaria më e madhe e Atdheut. Atdheu, ne, i kemi zgjedhur demokratikisht, me një votë të shkërdh... lirë, në të vetëemëruarin Foltorja më e lartë e demokracisë shqiptare, përndryshe Parlamenti Shqiptar.

Ne krenohemi, nënat e tyre të nderuara nderohen, Atdheu është gjithaq i nderuar në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, me këta burra –kodoshë simbol i rrugaçërisë politike dhe i vetmohimit deri në q’ashtunë e nënave të sho –shoqit.

Dhe ata, deputetët tanë, pjella më keqe e Atdheut, janë të nderuar nga ky nderim i math që ju japim ne shqiptarët, pra Atdheu!

Janë të nderuar dhe krenohen me gjallërinë e koqeve të tyre pjellore. Në shkëmbim të këtij nderi janë gati t’i fusin (virtualisht) vend e pavend, vetëm e vetëm që Atdheu, shqiptarët kudo që janë, nënat e deputetëve, të marrin vesh se me çfarë lloj racë –demash (djemash) kanë të bëjnë!
Virtualisht se ndoshta (pse ndoshta?) këta dema të harbuar bëhen pula të pshurruna kur bëhet fjalë për të bërë atë punë në kohën dhe vendin e duhun pa praninë e mediave dhe gazetarëve.

Q’ashtu-ja që bëjnë deputetët shqiptarë të Shqipërisë, më ngjan shpesh me majmunëritë e deputetëve të parlamentit italian, që e mbysin sho –shojnë me sharje nga më të kulturuarat që përmban fjalori i gjuhës italiane të sharjeve. Këtë fjalor iua sugjeroj dhe burrave (pse jo dhe grave) të Kuvendit Shqiptar. Të paktën plotësojnë një ndër kushtet e pakërkuara për të hyrë në Europë: Koleksionin e sharjeve!

Shpresoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës të fillojnë, edhe ata, (në mos paçin filluar) procesin gjithëpërfshirës së q’ashtuhjes! Kështu procesi i q’ashtuhjes bëhet më i fortë e rrjedhimisht hapet më kollaj rruga për në Europë.
A thua nuk e keni kuptuar se rruga për në Europë kalon vetëm nëpërmjet procesit të liberalizmit të q’ashtuhjes! Çudë! Çudë! Çudë!
Çudë e faqja e zezë!

Lum nënët apo mjerë nënat e shkreta që kanë djem të tillë kodoshë?!
Lum Nëna Shqipëri apo mjerë Nëna Shqipëri? Pjella të tilla, kodoshë, që me kodoshllëqet e tyre nuk e lënë të hyjë jo në Europë por as në Dreqistan!