Lexues

Visualizzazione post con etichetta poezi per atdheun. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta poezi per atdheun. Mostra tutti i post

lunedì, novembre 05, 2018

O çmendi që quhesh Shqipëri!

Është një vend tmerrësisht i trishtë
Është një vend pafundësisht i çmendur!
Është një vend i trishtë, një vend i çmendur është

Një vend ku dhe dielli lind i trishtë
jeton trishtimin e vet
mbytet në një det të trishtuem
për të lindë të nesërmen më i pafat
majë një mali që ndjell vetëm trishtim
majë një mali të çmendur në lartësinë e vet!

Diell i çmendur! Diell çmendurisht i trishtë!
Njerëzit më të çmendur se dielli!
(Njerëzit e këtij vendi pasi çmendën njëri -tjetrin
iu kthyen Zotit - E çmendën dhe Zotin!)

Është një vend i trishtë, një vend i çmendur është
Është një vend tmerrësisht i trishtë
është një vend pafundësisht i çmendur
i trishtuar pafundësisht
                                    I lumtur
marrëzisht
në trishtimin dhe çmendurinë e tij!

...Në qoshkun më të përhumbur të Botës
nën qiellin më të ndryshkur të Botës
nën diellin më të trishtuar të Botës
vijon të ndodhet Shqipëra!

E. Kaceli, Itali 2018

domenica, settembre 02, 2018

Më duket e thërrasin Atdhe!


Vijmë e largohemi
në makinat e shtrenjta, e më pak të shtrenjta
ngarkojmë pjesën tjetër të boshllëkut
që nuk e mbart shpina
Shpina -thyer prej viteve dhe mallit
rrugëve të botës
                           jetimë deri në dhimbje!
Në heshtjen e ditëve të mbushura me bosh

Jetojmë ca ditë në vendin e Hiçit
(më duket e thërrasin Atdhe)
Sjellim boshllëkun e largët
prodhojmë boshllëkun e ditës
hamë e dhjesim boshllëk!
Argëtohemi! Largohemi!

Teksa ikim -qëllojmë ca plumba bosh
shkrepim ca pushkë marrëziet
drejt qiellit -bosh në pafund
Qiellit të këtij Hiç -vendi
                         e thërrasim Atdhe!
Pa dashje! Lamtumirë!

Shqipëri gusht 2018
E. Kaceli