Lexues

Visualizzazione post con etichetta emigrantet. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta emigrantet. Mostra tutti i post

giovedì, marzo 19, 2020

Në shtëpinë e Babës! nga E. Kaceli




Në shtëpinë e Babës zilja e portës nuk bie prej vitesh
dera e vjetër nuk troket, askush nuk bëzan prej së largu
A don miq! -o i Zoti i Shpisë!

Xhaketat në varësen e vjetër të rrobave janë rralluar
Rreshti i këpucëve shumëngjyrëshe nuk është më
Baba nuk e hedh xhaketën krahëve të lodhun...

Askush nuk thërret në portën e oborrit pa fëmijë

Në shtëpinë e babës rrjeshti i këpucëve është rralluar
zhurmë nuk dëgjohet nëpër korridoret e gjana
Fëmijët e rritun, as fëmijët e fëmijëve nuk hyjnë e nuk dalin

Në shtëpinë e Babës vetëm Ai dhe Nana
dhe dy qese plastike me ilaçe gjithëfarlloji
shtyjnë ditët e netët e gjata të pritjes

Në shtëpinë e vjetër të Babës, dy hije: Ai dhe Nana
dy hije që mbahen për njëri -tjetrin
dy hije që presin prej mëngjezit herët
deri në orët e vona të mbramjes
videothirrjen e radhës
e nëse ajo nuk vjen
Dy hijet ikin të shtrijnë kockat
me shpresën se nesër
dikush ka me i thirrë
patjetër!

Në shtëpinë e babës nuk hyjnë më njerëz
Vetëm trishtimi, dy pleq -hije malli
dy trasta ilaçesh gjith'farëlloj
                                            dhe shpresa
shpresa për videothirrjen e radhës!

Itali, mars 2020

domenica, settembre 02, 2018

Më duket e thërrasin Atdhe!


Vijmë e largohemi
në makinat e shtrenjta, e më pak të shtrenjta
ngarkojmë pjesën tjetër të boshllëkut
që nuk e mbart shpina
Shpina -thyer prej viteve dhe mallit
rrugëve të botës
                           jetimë deri në dhimbje!
Në heshtjen e ditëve të mbushura me bosh

Jetojmë ca ditë në vendin e Hiçit
(më duket e thërrasin Atdhe)
Sjellim boshllëkun e largët
prodhojmë boshllëkun e ditës
hamë e dhjesim boshllëk!
Argëtohemi! Largohemi!

Teksa ikim -qëllojmë ca plumba bosh
shkrepim ca pushkë marrëziet
drejt qiellit -bosh në pafund
Qiellit të këtij Hiç -vendi
                         e thërrasim Atdhe!
Pa dashje! Lamtumirë!

Shqipëri gusht 2018
E. Kaceli

sabato, aprile 25, 2015

Rrugëve të dhimbjes nga E.Kaceli

Rrugëve të dhimbjes
rrugëve të mallit
shtruar me gurë të ashpër
shaluar makinat e heshtjes
si kuaj mistikë...

Ecim...

Rrugëtojmë...

Dhe ndiejmë frikë...


Itali -e shkruar në moskohë!

domenica, dicembre 22, 2013

Shtegtari nga E. Kaceli

Nëse shihni një flamur, një flamur të shlyer
nëse shihni një flamur, një flamur të shkyer
Ngritur në një shtizë loti
                                        në cilindo udhëkryq të botës
braktisë
një flamur rreckë, një flamur pa ngjyrë
Jam unë shtegtari.
Nëse më shihni ecni.
Ikni. Largohuni indiferentë
në indiferencën tuaj të përjetshme
mos u ndaloni!
Mos mi hidhni sytë!

Jam unë shtegtari -flamur' i shkyer
                                                          i pangjyrë
i mbështetun përjetësisht në një shtizë loti...

Itali, fundviti 2013