Lexues

Visualizzazione post con etichetta foto. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta foto. Mostra tutti i post

venerdì, ottobre 01, 2021

Pellazgu dhe rritja ekonomike e Shqipërisë nga E. Kaceli

Rritja ekonomike e Shqipërisë pellazgjike sipas Qeveriut të pipëdhit pellazg është mbi 18%. Fat i jashtëzakonshëm! Kur gjithë botës i ulet ne na ngrihet! Ekonomikisht na ngrihet mirëqenia me 18 %. Kjo falë qeveritarëve e qeveritareve tona. Na e rruaçi sa malet!
Po te krahasohemi me periudhën e satrapit Zogu i parë rritja është qin për qin! Falë qeverisë. 
Lezhë 2021 Foto E. KAÇELI. 

martedì, settembre 01, 2020

Takim emocionant me Ujkun e Zi, specie e rrallë!

 

nga Edmond Kaceli

Emocionant ka qenë takimi i dy fotografëve të natyrës së Egër, me specien e rrallë Ujku i Zi, konsideruar si një nga bukuritë e rralla të natyrës në botë.

Fotografët shqiptarë nga Kosova, Arian Mavriqi dhe Besnik Jakupi, arrijnë të fotografojnë dhe të filmojnë, Ujkun e Zi, në zonën e Kamenicës, Kosovë. Lokacioni i saktë mbahet sekret për arsye të mbrojtjes nga gjuetia e paligjshme. Pasi ky lloj ujku, për shkak të ngjyrës së zezë, e rrallë në botën e ujqërve, kërkohet shumë në tregun e zi. E për këtë arsye gjuetia e tij në vendet e botës ku është i përhapur mbrohet me ligje të posaçme.

Fotografi Besnik Jakupi tregon: Ishte herët , rreth orës gjashtë të mëngjezit, ora kur bashkë me mikun dhe kolegun, Arian Mavriqi, dalim zakonisht për të fotografuar jetën e egër.Papritmas pamë diçka që u fsheh në mes arave me misër. Fillimisht kujtuam se ishte një qen apo diçka e tillë. Duke kontrolluar në zonën ku ishte fshehur, dalluam se përmasat, ngjyra dhe mënyra si por reagonte kundrejt nesh, nuk ishin të zakonshme për një qen. Arritëm të afrohemi deri në distancën diçka rreth 30 -40 metër. Vetëm atëherë krijova bindjen se kishim të bëjmë me të ashtuquajturin Ujku i Zi, specie e mbrojtur në Botë. Bindje që u përforcua më pas, nëpërmjet fotografive dhe video-s që arritëm të realizonim në ato momente magjike!


Fotografi Arian Mavriqi, thotë: Ishte një ndër daljet tona fotografike rutinë në komunën e Kamenicës, Kosovë. Në momentin e parë emocionet ishin të papërshkruara! Ndërsa ai shikonte, si me dyshim, në drejtimin tonë arritëm të realizojmë disa shkrepje të njëpasnjëshme. Për fat të keq ky lloj ujku, i rrallë, kërkohet shumë nga gjuetarët e papërgjegjshëm dhe në tregun e zi. Do të ishte humbje e madhe për natyrën e trojeve shqiptare. Shpresojmë në vetëdijësimin e shoqërisë që të ruhen këto pasuri tonat sepse një bukuri të tillë në vendet e tjera munden vetëm ta ëndërrojnë.



Sipas studimeve të Stanford University, USA, dhe laboratorit të gjenetikës, Itali, ish Instituti Kombëtar për faunën e Egër, (sot Istituto superiore per la protezione e la ricerca ambientale, ISPRA) ngjyra e zezë e vjen si pasojë e një kryqëzimi të quajtur të kundërt (ujkonjës ngjyrë gri me qen me ngjyrë të zezë), rreth 10 mijë vjet ma parë.

Sipas shkencëtarëve gjenetistë italo -amerikanë, Ujku i Zi, lloj mjaft i rrallë, në mënyrë të veçantë në Europë, është variant melanik, i ujkut gri (Canis Lupus). Shkencëtarët spjegojnë se mutacioni melanik, është një mutacion i trashëguar që shfaqet me ndryshimin e ngjyrave në më të errëta, konkretisht të zeza në rastin tonë, në organizmat që normalisht kanë tjetër ngjyrë.

Evidentimi dhe fotografimi i Ujkut të Zi është një tjetër sukeses i jashtëzakonshëm, jo vetëm personal i fotografëve Jakupi e Mavriqi, por edhe i punës së palodhshme që organizata e Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër (Albanian Wildlife Photographers), me qendër në Kosovë, po bën në vijimësi për evidentimin e specieve të natyrës së egër që pasurojnë trojet shqiptare.

giovedì, marzo 19, 2020

Në shtëpinë e Babës! nga E. Kaceli




Në shtëpinë e Babës zilja e portës nuk bie prej vitesh
dera e vjetër nuk troket, askush nuk bëzan prej së largu
A don miq! -o i Zoti i Shpisë!

Xhaketat në varësen e vjetër të rrobave janë rralluar
Rreshti i këpucëve shumëngjyrëshe nuk është më
Baba nuk e hedh xhaketën krahëve të lodhun...

Askush nuk thërret në portën e oborrit pa fëmijë

Në shtëpinë e babës rrjeshti i këpucëve është rralluar
zhurmë nuk dëgjohet nëpër korridoret e gjana
Fëmijët e rritun, as fëmijët e fëmijëve nuk hyjnë e nuk dalin

Në shtëpinë e Babës vetëm Ai dhe Nana
dhe dy qese plastike me ilaçe gjithëfarlloji
shtyjnë ditët e netët e gjata të pritjes

Në shtëpinë e vjetër të Babës, dy hije: Ai dhe Nana
dy hije që mbahen për njëri -tjetrin
dy hije që presin prej mëngjezit herët
deri në orët e vona të mbramjes
videothirrjen e radhës
e nëse ajo nuk vjen
Dy hijet ikin të shtrijnë kockat
me shpresën se nesër
dikush ka me i thirrë
patjetër!

Në shtëpinë e babës nuk hyjnë më njerëz
Vetëm trishtimi, dy pleq -hije malli
dy trasta ilaçesh gjith'farëlloj
                                            dhe shpresa
shpresa për videothirrjen e radhës!

Itali, mars 2020

domenica, maggio 26, 2019

Mung... poezi nga E. Kaceli



Gruaja e shendrruar ne
krypë (Ana Rozenweig
-Museu i Artit
Modern
Barcelonë)
Në ditën e pranverës mungojnë lulet
Lulet nuk mbijnë më në vendin tim
Lulet e shpresës janë zhdukë prej motesh
Në vend të luleve, në vend të shpresës
lotët e shiut krijojnë mijëra figura
në tokën e idhtë të vendit tim
pa pranverë.

Në ditën e verës mungojnë shpendët
mungojnë fluturat, zhurmat, gjarpërinjtë
qytetet dhe fshatrat janë tharë
Shkretia- e vetme ngre zhelet
-flamuj të një vere munguar vitesh
në tokën e etur të vendit tim
pa verë!

Në ditën e vjeshtës mungojnë gjethet
mungojnë ngjyrat e pemëve, shirat
mjegulla ka humbë pa gjurmë
shtegtimi i zogjve nuk ndodh më
Gjethet kanë harruar të rrëzohen,
gjethet mungojnë në vendin tim
pa vjeshtë!


Në vendin tim bora nuk zbardh më!
Nuk fryn më ajo era e tërbuar brisk
Ujqit e vetmuar nuk i ulërijnë kohës
nuk bën ftohtë e nuk ndizen më zjarre
nuk ka më as grimë akulli
mungon tmerrësisht i ftohti në vendin tim
pa dimër!


Në vendin tim dimri nuk është dimër!
Pranvera ka humbur prej kohësh që nuk dihen
vera gjithashtu , gjithashtu dhe vjeshta
mungon i fohti, mungojnë ngjyrat, mungon shiu,
zhurmat mungojnë bashkë me heshtjet
Mungojnë dhe njerëzit në vendin tim
pa njerëz!

venerdì, giugno 29, 2018

Ekspozitë personale në Albaretto della Torre, Itali




Jam shumë i lumtur t'iu njoftoj se javën e ardhshme, në datat 7 dhe 8 gusht,  në Albaretto della Torre, Piemonte, Itali do të hapet ekspozita personale me fotografi të realizuara në kohë të ndryshme nga unë.
Titulli i ekspozitës është zgjedhë nga kujdestari i sajë Claudio Lorenzoni, artist grafik dhe promovues arti, nga qyteti i Torino-s.
 "Quello che vedo" (Ajo që shikoj) , ka të vecantën e saj të ekspozimit, në kullën e Albaretto-s, një ndërtim vertikal, që daton vitin 1630. Do të jenë 20 fotografi të realizuara gjatë viteve, në Shqipëri ashtu edhe në Itali, ku jetoj prej kohësh. Ajo eshte pjese e eventit te pervitshem"Alta Langa Rock", ku marrin pjese grupe muzikore "rock" kryesisht nga Veriu i Italise.
Ekspozita bëhet në bashkëpunim me shoqatën kulturore, artistike, "Purgatorio", dhe komunën e Albaretto-s.
Kjo është ekspozita e dytë personale, pas asaj të vitit 2013, po në Itali, me temë " Nga Shqipëria në Langhe"

giovedì, febbraio 22, 2018

Fatkeqësi e përgjithshme

nga E. Kaceli

Kemi humbë në lidhje pa kuptim
në lidhje që kurrë nuk janë lidhje
që kurrë nuk ishin lidhje... As në të ardhmen!

Kemi humbë, kemi tretë...

Kemi harruar një lule, një erë,një pikë lagësht në mëngjez,
shijen e borës, akullin dhe diellin e bregdetit, frymëmarrjen,
fjalën, shijen e gjuhës, puthjen, përkëdheljen...

Në gjumë kompiuterash biem të flejmë,
çohemi, hamë, dhjesim, flejmë prapë!
Në ëndrra elektronike jetojmë
përditësohemi, shkëmbejmë lumturi, shumohemi...
Shumohemi krejt si nëpër gjendjet (status) boshe...

 
Rrugës kthejmë sytë kur ndeshim veten!
Mbërthejmë veten në befasi!-O zot!
Të trembur kthejmë kryet në anën tjetër!
Arratisemi prej gjithçkaje njerëzore
Prej vetes ikim, njësoj si të çmendurit e pashpresë!

Harrojmë tingullin e një zëri, një kënge,
shurdhuar në zhurma njoftimesh, gjendjesh,
heliogrifesh pa kuptim, shenjash, fytyrash,
krijuar në zyra të mbyllura prej qënieve të mirëpaguara
Nëpër zyra -kasafortash virtuale, aty
ku fatkeqë si ti, si unë, si ne të gjithë,
krijojnë Hiçin e Madh

Në qendër të Hiçit jemi ulë këmbëkryq!
Skllevër të Hiçit harrojmë gjithçka që ka vlerë
Fatkeqë, presim të nesërmen...

Nesër...
E nesërmja harron të vijë!

Itali, shkurt 2018

martedì, gennaio 19, 2016

Edmond Kaceli: Në vend të një pamfleti


Një foto në vend të një pamfleti për zgjedhjet dhe zgjidhjet që bëjmë ne shqiptarët. Tash sa vite kemi zgjedhë në mes të gjatit dhe të shkurtit. Zgjodhëm Berishën në vend të Ramizit!
Më pas zgjodhëm Nanon në vend të Berishës!

E pasi u ngimë me të shkurtin iu drejtuam prapë të gjatit: Zgjodhëm Berishën në vend të Nanos.
Sa për garniturë ndërruam, pa zgjedhje, nja dy -tre krejt të vegjël, që ikën si të mos ishin.
Mbajtëm afër një të shkurtë e të trashë (shëndoshë), që më pas u dobësua dhe kalon sa me njërin të gjatë, sa me tjetrin, në emër të një politike ndryshe!

U lodhëm e zgjodhëm në mes dy të gjatëve dhe një të shkurti (që ishte i trashë nga shëndeti dhe që u dobësua pa masë), atë më të gjatin: Ramën. Që, sikur të mos i mjaftonte gjatësia na u bashkua me të shkurtin!

E pas disa kohësh do të na shtrohet prapë alternativa e zgjedhjes mes dy të gjatëve, njëri është edhe i bukur (i pashëm) dhe një të shkurti.
Duke e njoftë natyrën e zgjidhjeve që bëjmë, jam i bindur 100%, se në shumicë, prapë do të zgjedhim më të gjatin!

Në rastin më të mbrapshtë do të na mbesë në dorë një i gjatë e një i shkurtë!
E zoti na ruajtë për zgjedhjet dhe zgjidhjet që bëjmë!



Shënim: Kjo foto nuk ka të bëjë me zgjedhjet dhe zgjidhjet që bën populli i Shqipërisë.
Çdo përpjekje për gjithëpërfshirje shqiptarësh është e kotë, pasi jashtë kufijve kemi vetëm të gjatë (udhëheqësa të gjatë)
Kjo foto nuk ka për qëllim të fyejë njeri! Kjo foto nuk lidhet me emra të përveçëm a të përgjithshëm!
E kush nuk më beson i them: Mos aludoni kot! Unë kam fotografuar, thjeshtë, një kungull dhe dy domate të vogla për të vënë në dukje madhësinë e kungullit. Nëse ju pëlqen bëjeni "like" (më pëlqen), kudo që ta takoni në rrjetet sociale.