Lexues

Visualizzazione post con etichetta flamuri. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta flamuri. Mostra tutti i post

domenica, maggio 26, 2019

Mung... poezi nga E. Kaceli



Gruaja e shendrruar ne
krypë (Ana Rozenweig
-Museu i Artit
Modern
Barcelonë)
Në ditën e pranverës mungojnë lulet
Lulet nuk mbijnë më në vendin tim
Lulet e shpresës janë zhdukë prej motesh
Në vend të luleve, në vend të shpresës
lotët e shiut krijojnë mijëra figura
në tokën e idhtë të vendit tim
pa pranverë.

Në ditën e verës mungojnë shpendët
mungojnë fluturat, zhurmat, gjarpërinjtë
qytetet dhe fshatrat janë tharë
Shkretia- e vetme ngre zhelet
-flamuj të një vere munguar vitesh
në tokën e etur të vendit tim
pa verë!

Në ditën e vjeshtës mungojnë gjethet
mungojnë ngjyrat e pemëve, shirat
mjegulla ka humbë pa gjurmë
shtegtimi i zogjve nuk ndodh më
Gjethet kanë harruar të rrëzohen,
gjethet mungojnë në vendin tim
pa vjeshtë!


Në vendin tim bora nuk zbardh më!
Nuk fryn më ajo era e tërbuar brisk
Ujqit e vetmuar nuk i ulërijnë kohës
nuk bën ftohtë e nuk ndizen më zjarre
nuk ka më as grimë akulli
mungon tmerrësisht i ftohti në vendin tim
pa dimër!


Në vendin tim dimri nuk është dimër!
Pranvera ka humbur prej kohësh që nuk dihen
vera gjithashtu , gjithashtu dhe vjeshta
mungon i fohti, mungojnë ngjyrat, mungon shiu,
zhurmat mungojnë bashkë me heshtjet
Mungojnë dhe njerëzit në vendin tim
pa njerëz!

domenica, dicembre 22, 2013

Shtegtari nga E. Kaceli

Nëse shihni një flamur, një flamur të shlyer
nëse shihni një flamur, një flamur të shkyer
Ngritur në një shtizë loti
                                        në cilindo udhëkryq të botës
braktisë
një flamur rreckë, një flamur pa ngjyrë
Jam unë shtegtari.
Nëse më shihni ecni.
Ikni. Largohuni indiferentë
në indiferencën tuaj të përjetshme
mos u ndaloni!
Mos mi hidhni sytë!

Jam unë shtegtari -flamur' i shkyer
                                                          i pangjyrë
i mbështetun përjetësisht në një shtizë loti...

Itali, fundviti 2013