Lexues

Visualizzazione post con etichetta poete bashkekohore shqiptare. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta poete bashkekohore shqiptare. Mostra tutti i post

sabato, aprile 29, 2017

Qeveritë e pyllit, zgjedhësit, dhe pylli

-poezi nga E. Kaceli

Në plotësimin e ciklit aktual
qeveritë e pyllit u ndërruan...
 

Ndërruan presidentin, dy -tre anëtarë
dhe emrin. -Kjo nuk ndodh përditë
(Kur është e përditshme pse të ndodhë?!)
 

Pluralizëm politik i kafshëve në pyll.
 

Të zgjedhurit, pa u zgjedhë, i ruheshin rrëzimit.
Zgjedhësit i faleshin monoteizmit të pyllit.

 


(nga libri "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë, Lezhë 1998)

domenica, novembre 09, 2014

Dallëndyshja e fundit… nga Edmond Kaceli

Ik, largohu, larg nga ky vend i shkretë
Nga ky vend i ftohtë, nga ky qoshk i mallkuar
Ku njerëz të marrë, të çmendur,
                                                     të krisur
hanë njëri -tjetrin në darkën e vonuar

Përtypin njëri -tjetrin ngadalë –ngadalë
Kafshatën e mishit ngjyejnë në gjak
Ndërsa eshtnat lëpijnë në tmerrin e përditshëm
Nuk ngopen me tmerre, tmerr lypin prapë.

Ik prej këtu, mos kthe, kurrë, kryet mbrapa
Merr rrugën në përtej,  Botës së Askundit
Shpëto, të paktën veten, na lër në fatin tonë
                                                                 përdreq
Merr rrugën, ik, largohu, dallëndyshe e fundit!



Ik, largohu, larg nga ky vend i shkretë
Nga ky vend i ftohtë, nga ky qoshk i mallkuar
Ku njerëz të marrë, të çmendur,
                                                     të krisur
hanë njëri -tjetrin në darkën e premtuar.

Shqipëri, gusht 2014 -Itali, nëntor 2014


domenica, ottobre 19, 2014

Shëtitje në pyllin e heshtjes


Vetmuar deri në çmendje
më i vetmuar se vetëm,
krejt i vetëm shëtis
eci mespërmes
                        në pyllin e heshtjes
në rrugën e parrugë
vizatuar prej vjeshtës.

Gjethet janë ndryshkur
Gurët janë ndryshkur
Fjalët janë ndryshkur,
                                   gjithashtu
…në grykën e pafundit
Heshtja flet me dikë larg meje…

Në pyllin e heshtjes
ranë gjethet e fundit
gjethet e harresës
krejt kot,
              shiu mundohet të lajë
ngjyrën e përgjakun të vjeshtës...

Edmond Kaceli

Tetor 2014, diku në një pyll të Italisë

lunedì, aprile 21, 2014

Drejtësi absolute

Unë shaj ty –dhe kam të drejtë.
Ti më shan mua –dhe ke të drejtë.

Unë dhe ti…

Unë dhe ti shajmë njëri- tjetrin…


Dhe kemi plotësisht të drejtë!

e.kaceli

lunedì, febbraio 17, 2014

Akull dhe qen që lehin…



Kishin uri qentë. Ishte ftoftë. Shume ftoftë.
Mish  pat ngri prej të ftoftit. Kockat ishin tretë prej viteve.
Qentë kishin uri…
Vendosëm t'iu hedhim shpirtin. Përfundimi...

Ftoftë është
Akull është
Qentë e uritun sillen rreth meje
Qentë e uritun sillen rreth jush
Sillen rreth padronit qentë e uritun…

Më lehin dhe mua,
                              dhe ty,
dhe padronit, njëherësh
Na skërmisin dhëmbët
Jargët deri në tokë, varg.

 Qentë e uritun lehin kundër gjithkujt
pa dallim.
Padroni (për shërbimin e lehjes)
Iu hedh kocka
Dhe qentë i lëpijnë.
Unë dhe ti buzë padronit
Si buzë mortjes që vjen prej të lehunave
dhe jargëve.
Mishi na është ngri prej të ftohtit.
Kocka nuk kemi
(Kockat kanë tretë viteve)


Qentë lehin.
Qentë përjargen.
Qentë po vdesin…

-Çfarë t’iu hedhim qenve në këtë akull!

-Iu hedhim shpirtin. Shpirtin i dashur,  iu hedhim!

Unë, (më i akullt se akulli përgjigjem):
Nëse iu hedhim shpirtin ne vdesim prej të ftohtit dhe
qentë vdesin gjithashtu se
shpirtin tonë nuk e hanë as qentë…

Përfundimi?


Itali, shkurt 2014

domenica, dicembre 22, 2013

Shtegtari nga E. Kaceli

Nëse shihni një flamur, një flamur të shlyer
nëse shihni një flamur, një flamur të shkyer
Ngritur në një shtizë loti
                                        në cilindo udhëkryq të botës
braktisë
një flamur rreckë, një flamur pa ngjyrë
Jam unë shtegtari.
Nëse më shihni ecni.
Ikni. Largohuni indiferentë
në indiferencën tuaj të përjetshme
mos u ndaloni!
Mos mi hidhni sytë!

Jam unë shtegtari -flamur' i shkyer
                                                          i pangjyrë
i mbështetun përjetësisht në një shtizë loti...

Itali, fundviti 2013

lunedì, novembre 11, 2013

Sipas meje

Duke ju referuar vetes
Bota është një poshtërsi
mbushur gjer ne grykë me maskarenj...

Mos ndoshta,
                        rastësisht,
unë
jam i i ndershëm?!

E. Kaceli
nga libri "Simbiozë", Lezhë 1994