Lexues

Visualizzazione post con etichetta poezi shqip. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta poezi shqip. Mostra tutti i post

domenica, dicembre 16, 2018

Ajo erdhi tek unë... nga E. Kaceli


Ajo erdhi tek unë…
Erdhi me frikën e vdekjes, megjithëse,
unë ia kisha premtuar ndonjëherë vdekjen.
Ajo erdhi tek unë me frikën e vdekjes së
tmerrshme dhe
me të gjitha tmerret që vinin si pasojë e
sajë. Erdhi tek unë
duke sfiduar të gjitha, së bashku me atë
të tmerrshmen, vdekje,
duke sfiduar edhe të gjitha thashethemet e njerëzve
që përgojojnë vdekjen
megjithë viktimat…

Ajo erdhi tek unë e bindur.
Pas ardhjes do të vdiste njëherë e për-
gjithmonë.
Erdhi tek unë për të mos u ngjallur ku-
rrë pas takimit fatal
për atë vetë dhe për mua.

Ajo erdhi tek unë: I qe mërzitur jeta.
Ajo erdhi tek unë: Për të gjetur vetëm
vdekjen e bindur
se do ta gjente vetëm tek unë, edhe
unë i bindur e prita…

Ajo erdhi.
Pabesisht, gjetëm, tek njëri –tjetri,
Jetën
dhe u zhgënjyem,
u zhgënjyem nga vdekja e pabesë…

domenica, ottobre 19, 2014

Shëtitje në pyllin e heshtjes


Vetmuar deri në çmendje
më i vetmuar se vetëm,
krejt i vetëm shëtis
eci mespërmes
                        në pyllin e heshtjes
në rrugën e parrugë
vizatuar prej vjeshtës.

Gjethet janë ndryshkur
Gurët janë ndryshkur
Fjalët janë ndryshkur,
                                   gjithashtu
…në grykën e pafundit
Heshtja flet me dikë larg meje…

Në pyllin e heshtjes
ranë gjethet e fundit
gjethet e harresës
krejt kot,
              shiu mundohet të lajë
ngjyrën e përgjakun të vjeshtës...

Edmond Kaceli

Tetor 2014, diku në një pyll të Italisë

domenica, dicembre 22, 2013

Shtegtari nga E. Kaceli

Nëse shihni një flamur, një flamur të shlyer
nëse shihni një flamur, një flamur të shkyer
Ngritur në një shtizë loti
                                        në cilindo udhëkryq të botës
braktisë
një flamur rreckë, një flamur pa ngjyrë
Jam unë shtegtari.
Nëse më shihni ecni.
Ikni. Largohuni indiferentë
në indiferencën tuaj të përjetshme
mos u ndaloni!
Mos mi hidhni sytë!

Jam unë shtegtari -flamur' i shkyer
                                                          i pangjyrë
i mbështetun përjetësisht në një shtizë loti...

Itali, fundviti 2013

domenica, luglio 14, 2013

Cigarja dhe Shpresa... nga E.Kaceli


-në udhëtim

U ndezën njëhershëm,
me një zjarr normal të dyja:
Cigarja dhe shpresa.
                                Digjen.

Shikoni si digjen!

Tymosin shtëllunga.
Lëshojnë pluhur të hinjtë.
Digjen. Po, po, digjen.
Me një temperaturë të lartë.
Digjen.

Digjem brenda tyre dhe unë.

Cigarja?
Një helm ngushëllues.
I përkohshëm.

Shpresa?
Zjarr i shpirtit njerëzor.
I përhershëm a i përkohshëm?

Njëra helm.
Tjetra zjarr.
Digjen.

Zjarr dhe helm.

Cigarja ngushëllon shpresën.
Shpresa ngushëllon cigaren.
Tym gjithandej. Mendime të zymta…

Cigarja po shuhet ngadalë…
Tym duhani, dhe shprese.

…Cigarja u shua. 
                            –ndërsa shpresa

vazhdon të digjet.

domenica, febbraio 12, 2012

Personazhi i skajeve të errëta -nga E. Kaceli

Ballë gërmadhave qindra vjeçare ecën
veshur me errësirën e natës dimërore
të akullt
hedhur krahëve, nxitimthi, ca rreze të
të zbehta hëne
pak brymë,
mbi flokët e pakrehur
dhe mbi fytyrën e zbehtë sa terri.

Zvarritet personazhi i skajeve të errëta
të botës njerëzore. Nëpër errësirën e arsyes
hapat kërcasin, me ritmin e hekurt,
të një ushtari antik
si në përrallat -fantazëm
shtrihet ankthi
Nën gozhdën e akullt të personazhit mitik.


Gërmadhave të gurta të Lisit plak
Dritat elektrike ngjyrosin zbehtë
muret
Muret e nxirë nga pishtarët historikë.
Dritat elektrike iu ngjajnë pishtarëve
në shuarje
Topat grykëndryshkur,
gojëtharë,
po digjen etit
Por uji -viktimë e bretkocave ndodhet
Viktimë e zhabave gjithë dhjamë
Që tash dymijë vjet nuk e ndalin
këngën magjepëse
dhe shumimin.

Topat gojëtharë kanë etje.
Prej grykës sterrë të një topi,
në të çarën
e buzëve të qoshkut
Rrëshqet tinëzisht një gjarpër i përgjumur.
drejt pellgut. Është i uritur.
Shumë. Shumë i uritur gjarpëri që
rri fshehur në gjumin dimëror
gjarpëri që rri fshehur në ferrën
e shpirtit tim.

Helmues -eci
Helmues unë eci...
Unë: Personazhi i skajeve të errëta
të prejardhjes
fisnike…