Lexues

Visualizzazione post con etichetta bota. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta bota. Mostra tutti i post

domenica, novembre 09, 2014

Dallëndyshja e fundit… nga Edmond Kaceli

Ik, largohu, larg nga ky vend i shkretë
Nga ky vend i ftohtë, nga ky qoshk i mallkuar
Ku njerëz të marrë, të çmendur,
                                                     të krisur
hanë njëri -tjetrin në darkën e vonuar

Përtypin njëri -tjetrin ngadalë –ngadalë
Kafshatën e mishit ngjyejnë në gjak
Ndërsa eshtnat lëpijnë në tmerrin e përditshëm
Nuk ngopen me tmerre, tmerr lypin prapë.

Ik prej këtu, mos kthe, kurrë, kryet mbrapa
Merr rrugën në përtej,  Botës së Askundit
Shpëto, të paktën veten, na lër në fatin tonë
                                                                 përdreq
Merr rrugën, ik, largohu, dallëndyshe e fundit!



Ik, largohu, larg nga ky vend i shkretë
Nga ky vend i ftohtë, nga ky qoshk i mallkuar
Ku njerëz të marrë, të çmendur,
                                                     të krisur
hanë njëri -tjetrin në darkën e premtuar.

Shqipëri, gusht 2014 -Itali, nëntor 2014


domenica, maggio 06, 2012

I harruari -nga E.Kaceli

Në trenin e harresës  mbetur
Në trenin e mbytur në rrugën pa krye
Përzier me udhëtarët e Botës së Humbur...

Xhamat e palarë thyejnë imazhe njerëzore
Trembur -pasqyrohen copa shpirtrash
thyer nën peshën e kohës…

I harruar në një qoshk të trenit të botës...

Tren Torino- Milano Centrale 31 janar 2006- Langhe 2012

domenica, febbraio 12, 2012

Personazhi i skajeve të errëta -nga E. Kaceli

Ballë gërmadhave qindra vjeçare ecën
veshur me errësirën e natës dimërore
të akullt
hedhur krahëve, nxitimthi, ca rreze të
të zbehta hëne
pak brymë,
mbi flokët e pakrehur
dhe mbi fytyrën e zbehtë sa terri.

Zvarritet personazhi i skajeve të errëta
të botës njerëzore. Nëpër errësirën e arsyes
hapat kërcasin, me ritmin e hekurt,
të një ushtari antik
si në përrallat -fantazëm
shtrihet ankthi
Nën gozhdën e akullt të personazhit mitik.


Gërmadhave të gurta të Lisit plak
Dritat elektrike ngjyrosin zbehtë
muret
Muret e nxirë nga pishtarët historikë.
Dritat elektrike iu ngjajnë pishtarëve
në shuarje
Topat grykëndryshkur,
gojëtharë,
po digjen etit
Por uji -viktimë e bretkocave ndodhet
Viktimë e zhabave gjithë dhjamë
Që tash dymijë vjet nuk e ndalin
këngën magjepëse
dhe shumimin.

Topat gojëtharë kanë etje.
Prej grykës sterrë të një topi,
në të çarën
e buzëve të qoshkut
Rrëshqet tinëzisht një gjarpër i përgjumur.
drejt pellgut. Është i uritur.
Shumë. Shumë i uritur gjarpëri që
rri fshehur në gjumin dimëror
gjarpëri që rri fshehur në ferrën
e shpirtit tim.

Helmues -eci
Helmues unë eci...
Unë: Personazhi i skajeve të errëta
të prejardhjes
fisnike…

sabato, dicembre 03, 2011

Vargje të marra

Poezitë qenkan bërë aq fluide sonte.
Në çdo fletë
-ca gjurmë gishtërinjsh, lehtësisht,
duken.

Kanë mbirë mes rreshtave…
Shiko!
-vargjet janë bërë më të ndjeshme,
dhe ndjenjat kanë kaluar kufinjtë e vargjeve.
(Vargje!
-zgjeroni hapin, frymëmarrjen metrike
bëjeni hap ndjenjash.)

-Mos!…

Më lejo!
-gjithçka është e mundur.
Gjithkush ka të drejtë të dashurojë…

-Mos…

Mos u tremb! –është kërcitja e librave që digjen
si një dëshirë e pakapshme.
Që vuajnë si unë,
çahen brenda vetes,
dhe s’kanë tjetër të drejtë,
vetëm shpërthejnë vargje.

Vargje të kota… Vargje të marra…

***
-po më torturon ky fund i pashpresë.
Ora?… -me siguri ka ikur mesnata. Kalimtare
si njerëzit.

Mjaft!
-dëshiroj të lë gjurmë të pashlyeshme.
Ah! Redaktorët.

Duhet të pushojnë se ekzistuari redaktorët e jetës.
Duhet nga fillimi, dhe njëherë,
mbi themelet e Parimit Poetik të ndërtohet Bota.