Lexues

Visualizzazione post con etichetta poezi moderne shqipe. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta poezi moderne shqipe. Mostra tutti i post

domenica, maggio 10, 2020

Ëndërr bashkëkohore! nga E. Kaceli

 

Këmbanat nuk bien, dyert nuk hapen më
as besimtarë, as prift, as murgeshë
Lutje nuk dëgjohen mureve të rrudhuna moshës
Një Krisht gjysëm i kryqëzuar!
Një shèjt gjysëm i veshur, dhe gjysëm i zhveshur
Gota e venës, shishet e vajit dhe ujit të bekuar
mbushur pluhun historik!
 
Buka e kungimit nuk është më -boshllëk shpirtnor
 
Në Kishën e vjetër nuset nuk martohen prej shekujsh
Në Kishën e braktisur foshnjat nuk pagëzohen më
Në Kishën e ç'kishëruar, mungojnë të vdekurit
Në Kishën e vjetër sa mosha vetëm era hyn e del
krejt lirisht! Në lirinë e sajë të paçlirë!
 
Diku në mes të Altarit shoh veten gjysë të zhveshur!
 
Shoh veten gjysë të kryqëzuar -më duket krejt si kjo Kishë
Krejt kështu më duket vetja! -një Kishë e braktisun!
Një kishë e ç'kishëruar, pa prift, pa murgeshë
në kishën me dyer e dritare të rrudhuna
në Kishën time krejt njashtu nuk hyn më njeri...
E rrudhem e tkurrem më shumë, më fort
Unë Kisha e braktisun! Ç'kishëruar me vetmi!
 
 
Itali, maj 2020

domenica, novembre 08, 2015

Valixhja bosh... (në dy kohë) nga E. Kaceli

Një urë e vjetër
një urë e vjetër guri
                               e vjetër sa Bota
Përmbi urën e vjetër, një fëmijë
një fëmijë me një valixhe të rëndë
Mbi urën e vjetër një fëmijë tërheq
                                            një valixhe të vjetër
të vjetër dhe të rëndë
të rëndë sa pesha e Botës
një valixhe të dalë boje, të ngrënë cepash
një valixhe të mbushur plot me ëndërra
me ëndërra që kurrë nuk guxoi ti shihte...

Një urë e vjetër
një urë e vjetër guri
                               e vjetër sa Bota
Përmbi urën e vjetër, një fëmijë
një fëmijë në moshën e burrit
                                                tërheq
                                                          një valixhe të vjetër
tërheq një valixhe të rënduar prej peshës së viteve
një valixhe të dalë boje, të ngrënë cepash
një valixhe bosh.
Bosh. Bosh.
-se ëndërrat ikën nga pesha e frigës
Ikën, u larguan
si të mos kishin ëndërruar kurrë...

Dhe këmbët e lodhura përplasen në urë
në urën e vjetër, në urën e lashtë
në urën ndërtuar me gurët e heshtjes ...


(Ura e Tabakëve, Tiranë, gusht 2015)

domenica, novembre 09, 2014

Dallëndyshja e fundit… nga Edmond Kaceli

Ik, largohu, larg nga ky vend i shkretë
Nga ky vend i ftohtë, nga ky qoshk i mallkuar
Ku njerëz të marrë, të çmendur,
                                                     të krisur
hanë njëri -tjetrin në darkën e vonuar

Përtypin njëri -tjetrin ngadalë –ngadalë
Kafshatën e mishit ngjyejnë në gjak
Ndërsa eshtnat lëpijnë në tmerrin e përditshëm
Nuk ngopen me tmerre, tmerr lypin prapë.

Ik prej këtu, mos kthe, kurrë, kryet mbrapa
Merr rrugën në përtej,  Botës së Askundit
Shpëto, të paktën veten, na lër në fatin tonë
                                                                 përdreq
Merr rrugën, ik, largohu, dallëndyshe e fundit!



Ik, largohu, larg nga ky vend i shkretë
Nga ky vend i ftohtë, nga ky qoshk i mallkuar
Ku njerëz të marrë, të çmendur,
                                                     të krisur
hanë njëri -tjetrin në darkën e premtuar.

Shqipëri, gusht 2014 -Itali, nëntor 2014