Lexues

Visualizzazione post con etichetta poezi dashurie. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta poezi dashurie. Mostra tutti i post

domenica, dicembre 16, 2018

Ajo erdhi tek unë... nga E. Kaceli


Ajo erdhi tek unë…
Erdhi me frikën e vdekjes, megjithëse,
unë ia kisha premtuar ndonjëherë vdekjen.
Ajo erdhi tek unë me frikën e vdekjes së
tmerrshme dhe
me të gjitha tmerret që vinin si pasojë e
sajë. Erdhi tek unë
duke sfiduar të gjitha, së bashku me atë
të tmerrshmen, vdekje,
duke sfiduar edhe të gjitha thashethemet e njerëzve
që përgojojnë vdekjen
megjithë viktimat…

Ajo erdhi tek unë e bindur.
Pas ardhjes do të vdiste njëherë e për-
gjithmonë.
Erdhi tek unë për të mos u ngjallur ku-
rrë pas takimit fatal
për atë vetë dhe për mua.

Ajo erdhi tek unë: I qe mërzitur jeta.
Ajo erdhi tek unë: Për të gjetur vetëm
vdekjen e bindur
se do ta gjente vetëm tek unë, edhe
unë i bindur e prita…

Ajo erdhi.
Pabesisht, gjetëm, tek njëri –tjetri,
Jetën
dhe u zhgënjyem,
u zhgënjyem nga vdekja e pabesë…

domenica, settembre 20, 2015

Premtim... nga Edmond Kaceli

Kur dielli të shkrihet
Të shkrihet,
                     të shuhet,
                                     të mos jetë më
Kur dielli të shuhet
të mos jetë kurrë më
Pranë teje do të vij,
                               do të ndizem
                                                       do të digjem
Pranë teje do të jem
Vendin e diellit  të zë...

lunedì, giugno 09, 2014

Botë e trishtë


Një kontenitor plehrash është lagur gjatë gjithë ditës në shi
Një shi i mbytur në trishtimin e një dite që pret të kalojë
si miliona ditë të tjera, pa thënë asgjë
Në rrugën “Bricco Broncio”, S. Langhe, Piemonte
Shiu dhe trishtimi mbysin kujtimet e djeshme
Indiferenca njerëzore mbyt të sotmen dhe të nesërmen, pa kujtime

Një qen morracak pastron morrat nën shiun dhe mjegullën që kanë mbytur rrugën
Makina luksoze turistësh dhe motorçikleta të zhurmshme thyejnë ndonjë çast
indiferencën. Dhe ikin në rrugën e zhytur në mjegull. “Udhë të mbarë”
në u foltë për mbarësi ndonjëherë! Dielli ka ikur pa lënë adresë.

Era shkund pa kuptim pemët e lagura deri në palcë që dridhen së ftohti
Dy të fejuar mundohen të ngjallin humorin e një dite të shkuar kot
Vajza tund vithet e rrumbullakta, të lagura prej shiut. Ndjenjat janë zhytur në mjegull. “Bethoven’s Fur Elise” vetëm shton trishtimin në gjakun e lagur.
Qeni morracak shkundi shiun, mori bishtin me vete dhe iku pa thënë asnjë fjalë!

Kontenitori i mbushur përgjysmë me mbeturina vazhdon të laget…

lunedì, febbraio 17, 2014

Akull dhe qen që lehin…



Kishin uri qentë. Ishte ftoftë. Shume ftoftë.
Mish  pat ngri prej të ftoftit. Kockat ishin tretë prej viteve.
Qentë kishin uri…
Vendosëm t'iu hedhim shpirtin. Përfundimi...

Ftoftë është
Akull është
Qentë e uritun sillen rreth meje
Qentë e uritun sillen rreth jush
Sillen rreth padronit qentë e uritun…

Më lehin dhe mua,
                              dhe ty,
dhe padronit, njëherësh
Na skërmisin dhëmbët
Jargët deri në tokë, varg.

 Qentë e uritun lehin kundër gjithkujt
pa dallim.
Padroni (për shërbimin e lehjes)
Iu hedh kocka
Dhe qentë i lëpijnë.
Unë dhe ti buzë padronit
Si buzë mortjes që vjen prej të lehunave
dhe jargëve.
Mishi na është ngri prej të ftohtit.
Kocka nuk kemi
(Kockat kanë tretë viteve)


Qentë lehin.
Qentë përjargen.
Qentë po vdesin…

-Çfarë t’iu hedhim qenve në këtë akull!

-Iu hedhim shpirtin. Shpirtin i dashur,  iu hedhim!

Unë, (më i akullt se akulli përgjigjem):
Nëse iu hedhim shpirtin ne vdesim prej të ftohtit dhe
qentë vdesin gjithashtu se
shpirtin tonë nuk e hanë as qentë…

Përfundimi?


Itali, shkurt 2014

lunedì, dicembre 02, 2013

Mes nesh... sonet


Dikush mbolli pemën e heshtjes.
Pema thau lulen e dashurisë.
-si gjethet në hapësirën e vjeshtës
të vetëm notuam larg lumturisë…

Shengjin, prag stuhije.

Na rrahën dallgët e Detit të Vetmisë.
Valët e mallit na sollën qortim.
Në brigje të shkreta, larg, larg na hodhën…
jemi penduar. Pa shpresë për dashurinë.

Në detin e lotëve kërkojmë shpëtim.
Det i thellë. I thellë. Thellohet më tepër.
Lotët e mbushin. E mbushin papushim.

Kërkojmë njëri- tjetrin. Notojmë. Notojmë.
Por deti… deti na lodh. E lodhim. Nuk ndahet.
Kërkon. Kërkon. Kërkon ngrohtësi,
                                                            ndryshe nuk thahet.

nga E. Kaceli

lunedì, maggio 06, 2013

Premtim... nga E.Kaceli

Kur dielli të shkrihet
Të shkrihet,
                     të shuhet,
                     të mos jetë më
Kur dielli të shuhet
të mos jetë kurrë më
Pranë teje do të vij,
                            do të ndizem
                            do të digjem
Pranë teje do të jem
Vendin e diellit  të zë...

Maj 2013

sabato, dicembre 01, 2012

Lotët nuk po thahen...

nga E. Kaceli

Kyçur
mes akullit të murtë
hekurash dhe drynash të ndryshkur
qarkuar kokë,
trup,
e shpirtë,
vrraguar prej kujtimit se
ti je diku larg meje trupërisht
e dashur! Lotoj orë e çast
vetminë tënde dhe mbytem
në hidhërimin e lotit
të vetmisë time.

Larg dhe afër…
Rrokullohen lotët mbi dyshemenë
e palarë tash sa shekuj
(të paktën qysh në shekullin e shpikjes së qelive)
e mbesin mbi të –diamante të dhimbjes
në plehun ku ra shpirti njerëzor.
Kërcasin diamantet –të pakapshme
eter jetëdhënës –shoqërues të denjë
për shpirtin tim rrethuar
prej muresh, telash, drynash, minjsh, hekurash,
myqesh lloj –lloj, policësh verdhacukë, krimbash,
mizash,
britma zogjsh rreth e qark, pemë që nuk çelin kurrë,
kalbësinash gjithfarë,
si për të mos harruar se diku ti je gjallë.

E, unë, pa zë
mbytem orë e minut, në lotët helm
të vetmisë. Loti –lotin nuk e
len të thahet.
Orë e çast e brishtë
hija jote nuk po më ndahet.
Kujtesë? –a çfarë!
Sillet në ajrin e terrtë, fosforeshente
hija jote
Si për t’më kujtuar pse jam ende gjallë.

E dashur!
Po mbytem, brenda vetes,
po shembem,
                     po krisem,
                   po çahem,
po digjem nga malli.
Ah lotët! Lotët!
Lotët nuk po më thahen!

Lisburg ’95 –Alba, It, 2012