Lexues

Visualizzazione post con etichetta poezi bashkekohore shqipe. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta poezi bashkekohore shqipe. Mostra tutti i post

giovedì, settembre 03, 2020

Triptik... nga E. Kaceli

 

VJESHTË

Prej pemëve bien gjethet.

Prej zemrave bien dashuritë e thara.


NËSE TI VDES…

 … mbi varrin tënd

(atëherë)

do të mbij unë –Lulja e Pikëllimit.

 

ËNDËRR

Helmuar prej dashurisë.

Helmuar prej ëndërrave.

Helmuar prej çdo gjëje të mirë

që jeta ma dha me tepri.

U rrëzova. Rashë.Me shpresë

për t’më ngritur ti.

venerdì, maggio 29, 2015

Zinxhiri i harruar nga E. Kaceli


Në qendrën e pyllit mblodhi anëtarët
kryetar' i Bio -social- erbivores
për një fjalim tepër programatik
shkruar nga "grand reformatores":

Pylli ynë i ndritur,
                             gjigand,
                                          madhështor
nga hapja e rrënjëve, deri në farëzim
e ushqen pa masë sektin erbivor
Pyll ynë i shenjtë -jetoftë në amshim"

Ndaj duke parë potencialin pyllor
nuk kemi nevojë ndërrimi tjetër
Mbështetur në kapacitetin stomakor
në pylli tonë do të gjallojmë si mbretër...

Ishte larg kryetari, më lag refomatorët
Zinxhirin ushqimor harronin. Të gjorët.

mercoledì, dicembre 10, 2014

Poezi e gjatë për kukullat

nga E.Kaceli

Vogëlushja kukull!
-vogëlushët luajnë me Ty, vogëlushe.
Quhesh kukull. Quhesh lodër
kur lodron nëpër vitrina.
kur përbaltesh nëpër shi. E braktisur
Në fatin e pafat të fatit.
Kukull. Lodër.
-askush nuk të thërret
me tjetër emër. Askush.
Prandaj nuk ke asnjë të drejtë.
As të flasësh,
as të qeshësh,
as të lotosh.
Pa urdhër.
-asnjë dëshirë nuk të lejohet!

Një kukull s’ka të drejtë të dëshirojë.

Kukulla ka dëshirë duart, duart e një fëmije.
Duart e një të rrituri luajnë.
Ajo ndjehet e mjerë.
Pa fuqi ndjehet.
Ndjehet kukull. Ndjehet lodër.

Fëmija shikon nga larg.
Fëmija dëshiron nga larg.

Le të shikojë përkohësisht.
Le të dëshirojë përjetësisht, fëmija.
Me kukullat luajnë vetëm të rriturit.

Të rriturit i pëlqejnë kukullat shumë.

…Në rrugë,
një kukull laget, jashtë dëshirës
përbaltet në baltë, shpërlahet në shi.
Kukull zhelane. Kukull e braktisur.
Matanë vitrinave dritëzbehta
mbrojtur prej baltës, dhe shiut
luan me piklat , dhe kalimtarët e lagur
Përqeshën një kukull majmune.
Apo njeriu ka ty paraardhëse?
(Çështje që duhet vërtetuar. Përndryshe
nuk zgjidhet prejardhja majmuniane e njeriut)

Poezia ime nuk mund të zgjatet më.
Shikoj në largësi një kukull
me të cilën kam dëshirë të luaj…

Të luaj…

Ose, të bëhem kukull.

domenica, ottobre 19, 2014

Shëtitje në pyllin e heshtjes


Vetmuar deri në çmendje
më i vetmuar se vetëm,
krejt i vetëm shëtis
eci mespërmes
                        në pyllin e heshtjes
në rrugën e parrugë
vizatuar prej vjeshtës.

Gjethet janë ndryshkur
Gurët janë ndryshkur
Fjalët janë ndryshkur,
                                   gjithashtu
…në grykën e pafundit
Heshtja flet me dikë larg meje…

Në pyllin e heshtjes
ranë gjethet e fundit
gjethet e harresës
krejt kot,
              shiu mundohet të lajë
ngjyrën e përgjakun të vjeshtës...

Edmond Kaceli

Tetor 2014, diku në një pyll të Italisë

lunedì, giugno 09, 2014

Botë e trishtë


Një kontenitor plehrash është lagur gjatë gjithë ditës në shi
Një shi i mbytur në trishtimin e një dite që pret të kalojë
si miliona ditë të tjera, pa thënë asgjë
Në rrugën “Bricco Broncio”, S. Langhe, Piemonte
Shiu dhe trishtimi mbysin kujtimet e djeshme
Indiferenca njerëzore mbyt të sotmen dhe të nesërmen, pa kujtime

Një qen morracak pastron morrat nën shiun dhe mjegullën që kanë mbytur rrugën
Makina luksoze turistësh dhe motorçikleta të zhurmshme thyejnë ndonjë çast
indiferencën. Dhe ikin në rrugën e zhytur në mjegull. “Udhë të mbarë”
në u foltë për mbarësi ndonjëherë! Dielli ka ikur pa lënë adresë.

Era shkund pa kuptim pemët e lagura deri në palcë që dridhen së ftohti
Dy të fejuar mundohen të ngjallin humorin e një dite të shkuar kot
Vajza tund vithet e rrumbullakta, të lagura prej shiut. Ndjenjat janë zhytur në mjegull. “Bethoven’s Fur Elise” vetëm shton trishtimin në gjakun e lagur.
Qeni morracak shkundi shiun, mori bishtin me vete dhe iku pa thënë asnjë fjalë!

Kontenitori i mbushur përgjysmë me mbeturina vazhdon të laget…

lunedì, aprile 21, 2014

Drejtësi absolute

Unë shaj ty –dhe kam të drejtë.
Ti më shan mua –dhe ke të drejtë.

Unë dhe ti…

Unë dhe ti shajmë njëri- tjetrin…


Dhe kemi plotësisht të drejtë!

e.kaceli

lunedì, maggio 06, 2013

Premtim... nga E.Kaceli

Kur dielli të shkrihet
Të shkrihet,
                     të shuhet,
                     të mos jetë më
Kur dielli të shuhet
të mos jetë kurrë më
Pranë teje do të vij,
                            do të ndizem
                            do të digjem
Pranë teje do të jem
Vendin e diellit  të zë...

Maj 2013

lunedì, aprile 22, 2013

Vetminë mos ma merrni! nga E. Kaceli

Pash njëmijë zotat e kësaj Bote
                                                  dhe të Botës tjetër!
Pashë një mijë dreqnit e kësaj Bote
                                                        dhe të Botës tjetër!

Pashë gjithë zotat e të gjitha botëve!
Pashë gjithë dreqnit e të gjitha botëve!
Ju lutem
              Ju përgjërohem:
(Me shpirt ndër dhëmbë)
Mos ma merrni Vetminë!
Mos ma përdhunoni Vetminë!
Mos ma vrisni Vetminë!

Pashë Zotin që dua ti besoj
Pashë Dreqin që dua ti besoj
Ma lëshoni vetminë!
Mos ma mbani peng vetminë
Se më duhet
më duhet kur mendoj!

Albaretto Torre, It, prill 2013

martedì, marzo 19, 2013

Kënaqësi absolute

Këtë e di. Edhe tjetrën s'ka nevojë,
e di. Di shumë. Aq shumë. Tjetër?
E di, e di, e di...

O ç'kënaqësi është të jesh idiot!

E. Kaceli nga libri "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë..."
Lezhë, 1998

domenica, febbraio 24, 2013

Ngutshëm ikin vitet... nga E. Kaceli

Vitet ikin. Ikin duke na lënë pas shijen e miqësive, të dashurive, të çasteve të bukura, të çasteve të trishtuara, të zhgënjimeve...
Vitet vijnë. Vijnë të na dhurojne miqësi dhe dashuri, forcojnë dashuritë e miqësitë e vjetra, krijojnë e dhurojnë miqësi e dashuri të reja. Vitet vijnë, duke na dhuruar çaste të bukura, çaste të dhimbshme, çaste të trishtuara. Vitet shkojnë e vijnë... Kjo është jeta ku bilanci i viteve që shkojnë mbetet i pandryshuar me bilancin e viteve që vijnë...

Ngutshëm, përherë në ikje,
ngutshëm ikin vitet
                                në rrugën e shkretinës
Të mbyllun me drynin e rëndë,
me drynin e ndryshkur të kohës
qëndrojmë si në Hiç
na shtyp peshë e rëndë e Hiçit
gati na mbyt...

Asgjë nuk është si dje
Asgjë nuk është si sot
Asgjë nuk është si nesër...

Avuj të ndyrë feste ndotin gjithçka
Edhe lirinë
Lirinë
          që,
                 marrëzisht,
                                    thonë: Ekziston...!

lunedì, febbraio 11, 2013

Asnjëherë nuk kam dashur...

Në kujtime jam ulur këmbëkryq
në shpirt -veshur kostum’ i vjetër
i gjenezës mëkatare
i qepur me penj të ashpër e të fortë
i qepur keq
nergut për shpirt rebel
shpirt -dreqi im
i pangimë asnjëherë dashurie…

Trupi drithërohet
shpirti drithërohet
në enigma kujtimesh:
Kam dashur
a s’kam dashur ndonjëherë?!…

domenica, settembre 30, 2012

Ëndërr e bardhë

Jeta? Jeta asht nje liber i mrekullueshem. Shfletoje ngadale! Shijoje duke e lexuar. Kuptoje. Dhe asnjehere mos u tundo te lexosh faqen e fundit...

Ecja nëpër një rrugë të gjatë, të pafund,
të pafund, sa jeta
Anës rrugës mjegull, asgjë nuk shihej
Ecja.
Ecja nëpër një rrugë të gjatë plot mjegull,
plot humnera rreth sajë
Ecja. Rrëzohesha.
Kacavirresha nëpër mjegullën e humnerave.
Ecja. Ecja. Ecja nëpër një rrugë të gjatë…
Të pafund sa jeta…

E.Kaceli

domenica, marzo 18, 2012

Rruga ime nga E. Kaceli

-Asaj që duhet t’më dashurojë

Rruga ime
Rruga ime i ngjan rrezeve të diellit
ku drita të verbon, të qorron sytë
e bukur.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan zjarrit përvëlues
ku digjesh, digjesh si prej flakëve
të ferrit.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan natës pa yje, pa hënë
ku të sundon, të shtyp pesha
e territ.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan shkretëtirës paanë
ku çmendesh, çmendesh për një
pikë ujë.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan varrit të mjegullt
ku tretesh, tretesh, bëhesh
hiçgjë.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan pyllit të virgjër
ku hyn për të mos dalë
kurrë më.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan…
Kujt i ngjan kaq shumë jeta ime?