Lexues

Visualizzazione post con etichetta natyra e kosoves. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta natyra e kosoves. Mostra tutti i post

martedì, settembre 01, 2020

Takim emocionant me Ujkun e Zi, specie e rrallë!

 

nga Edmond Kaceli

Emocionant ka qenë takimi i dy fotografëve të natyrës së Egër, me specien e rrallë Ujku i Zi, konsideruar si një nga bukuritë e rralla të natyrës në botë.

Fotografët shqiptarë nga Kosova, Arian Mavriqi dhe Besnik Jakupi, arrijnë të fotografojnë dhe të filmojnë, Ujkun e Zi, në zonën e Kamenicës, Kosovë. Lokacioni i saktë mbahet sekret për arsye të mbrojtjes nga gjuetia e paligjshme. Pasi ky lloj ujku, për shkak të ngjyrës së zezë, e rrallë në botën e ujqërve, kërkohet shumë në tregun e zi. E për këtë arsye gjuetia e tij në vendet e botës ku është i përhapur mbrohet me ligje të posaçme.

Fotografi Besnik Jakupi tregon: Ishte herët , rreth orës gjashtë të mëngjezit, ora kur bashkë me mikun dhe kolegun, Arian Mavriqi, dalim zakonisht për të fotografuar jetën e egër.Papritmas pamë diçka që u fsheh në mes arave me misër. Fillimisht kujtuam se ishte një qen apo diçka e tillë. Duke kontrolluar në zonën ku ishte fshehur, dalluam se përmasat, ngjyra dhe mënyra si por reagonte kundrejt nesh, nuk ishin të zakonshme për një qen. Arritëm të afrohemi deri në distancën diçka rreth 30 -40 metër. Vetëm atëherë krijova bindjen se kishim të bëjmë me të ashtuquajturin Ujku i Zi, specie e mbrojtur në Botë. Bindje që u përforcua më pas, nëpërmjet fotografive dhe video-s që arritëm të realizonim në ato momente magjike!


Fotografi Arian Mavriqi, thotë: Ishte një ndër daljet tona fotografike rutinë në komunën e Kamenicës, Kosovë. Në momentin e parë emocionet ishin të papërshkruara! Ndërsa ai shikonte, si me dyshim, në drejtimin tonë arritëm të realizojmë disa shkrepje të njëpasnjëshme. Për fat të keq ky lloj ujku, i rrallë, kërkohet shumë nga gjuetarët e papërgjegjshëm dhe në tregun e zi. Do të ishte humbje e madhe për natyrën e trojeve shqiptare. Shpresojmë në vetëdijësimin e shoqërisë që të ruhen këto pasuri tonat sepse një bukuri të tillë në vendet e tjera munden vetëm ta ëndërrojnë.



Sipas studimeve të Stanford University, USA, dhe laboratorit të gjenetikës, Itali, ish Instituti Kombëtar për faunën e Egër, (sot Istituto superiore per la protezione e la ricerca ambientale, ISPRA) ngjyra e zezë e vjen si pasojë e një kryqëzimi të quajtur të kundërt (ujkonjës ngjyrë gri me qen me ngjyrë të zezë), rreth 10 mijë vjet ma parë.

Sipas shkencëtarëve gjenetistë italo -amerikanë, Ujku i Zi, lloj mjaft i rrallë, në mënyrë të veçantë në Europë, është variant melanik, i ujkut gri (Canis Lupus). Shkencëtarët spjegojnë se mutacioni melanik, është një mutacion i trashëguar që shfaqet me ndryshimin e ngjyrave në më të errëta, konkretisht të zeza në rastin tonë, në organizmat që normalisht kanë tjetër ngjyrë.

Evidentimi dhe fotografimi i Ujkut të Zi është një tjetër sukeses i jashtëzakonshëm, jo vetëm personal i fotografëve Jakupi e Mavriqi, por edhe i punës së palodhshme që organizata e Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër (Albanian Wildlife Photographers), me qendër në Kosovë, po bën në vijimësi për evidentimin e specieve të natyrës së egër që pasurojnë trojet shqiptare.

domenica, maggio 31, 2020

Shqiptari që jeton me gjarpërin! -shkruan Edmond Kaceli, Itali



Qëndrim Saqipi, Kamenicë, Kosovë: Kam jetuar me dy gjarpërinj helmues e tash jetoj me një piton!

Është vetëm 28 vjeç dhe i pëlqen të jetojë me kafshët e egra!
Ka lindur në Tripoli, Libi, djali i dy prindërve shqiptarë, nga Kamenica, Kosovë. Është larguar nga Libia në momentin kur atje filluan trazirat dhe revoltat kundër regjimit të kohës!
Atje jetonte në shtëpi me dy gjarpërinj të rrezikshëm helmues, duke i mbajtur brenda banesës. Ndërsa kohët e fundit, i kthyer në Kamenicë, ka preferuar të ndërrojë gjarpërinjtë helmues me një gjarpër piton që është ndër reptilët e preferuar të njeriut për tu mbajtur në kushte shtëpie.

Pasioni për natyrën, dhe jetën me gjallesat e egra e ka zhvilluar qysh kur ai dhe familja e tij jetonin në Libi. Një minzoo në shtëpi! Dy gjarpërinj helmues të llojit gjarpër me zile dhe nepërka dybrirëshe, (një gjarpër helmues tipik i shkretëtirës), një lloj hardhuce e madhe e njohur me emrin dhaab, dhe nje breshkë, i kanë bërë shoqëri gjatë viteve të fëminisë.
Në Libi ka studiuar, në vitet e shkollës, gjuhën arabe, dhe angleze. Ndërkohë flet, përveç gjuhës shqipe, edhe gjermanisht.
Me shaka thotë se "Në gjuhët e huaja më të vështirë kam shqipen!" Në fakt ka filluar të studjojë gramatikën e gjuhës shqipe, në të cilën ka mjaft vështirësi drejtshkrimore".

Nepërka me brirë credit Qendrim Saqipi
I pasionuar ndaj natyrës dhe jetës së egër, ka zhvilluar edhe pasionin fotografit të jetës së egër.
28 vjeçari nga Kamenica është ndër fotografët e spikatur të grupit Wildlife Albanian Photographers, që në rrjetin social FB numëron mbi 15 mijë anëtarë aktivë! Qëndrimi njihet si mjeshtër i detajeve në këtë zhanër fotografie.
Gjithashtu i pëlqen të udhëtojë në këmbë nëpër zonat malore të trojeve shqiptare, i vetëm ose në grup. Ecja nëpër male (hiking) është një ndër displinat që vitet e fundit ka afruar më shumë njeriun me natyrën.

Qëndrimi thotë: Trojet shqiptare për mua janë të shenjta! Nëse janë të shejta edhe për ju atëherë për çdo veprim që bëni ju lutem të mendoni dy herë! Ndjehem keq kur shoh mbeturina rrugës të hedhura pa pikën e turpit (derisa 3-4 hapa më larg gjendet nje kosh i mbeturinave). Ndjehem keq kur shikoj djegien e papërgjegjshme të pyjeve! Djegia e pyjeve është një krim kundër vetes!
I njëjti mendim shkon për pasurinë e pamasë që ofron natyra e egër shqiptare!Shoh shpesh shumë persona duke mbytur kafshë, pa asnjë arsye! Për shembull, pas asnjë arsye ka njerëz që mbysin gjarperinjtë të cilët nuk janë agresiv, edhe kur nuk janë as helmues! Për çfarë arsyeje i mbytni kur mund ti kapni dhe ti dërgoni në malet më të afërta duke marrë parasysh se edhe ata kanë dobi për natyrën. -vijon ai.

Dhelpra e kuqe  credit Qendrim Saqipi
Ndër momentet më të bukura të pasionit Saqipi, veçon fotografimin e nëpërkës (vipera amodytes) në vitin 2016, identifikuar e fotografuar në Karaqevë, Kosovë; fotografimin e ujkut në vitin 2017, në lartësinë mbi dy mijë metra në bjeshkët e Kosovës; si dhe fotografimi e filmimi i dhelprave në habitatin e tyre natyral në vitin 2019.

Qëndrim Saqipi, fotografi wildlife, dhe i dashuruar pas natyrës së trojeve shqiptare, thotë: Nuk dua të bëhem i famshëm përmes fotografisë, por nëpërmjet fotografisë thjeshtë kam zgjedhë rrugën për t'iu treguar njërëzve bukuritë e jashtëzakonshme që shfaq dhe fsheh natyra në përgjithësi, e natyra e egër e trojeve shqiptare në veçanti!