Lexues

Visualizzazione post con etichetta zgjedhjet ne shqiperi. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta zgjedhjet ne shqiperi. Mostra tutti i post

martedì, gennaio 19, 2016

Edmond Kaceli: Në vend të një pamfleti


Një foto në vend të një pamfleti për zgjedhjet dhe zgjidhjet që bëjmë ne shqiptarët. Tash sa vite kemi zgjedhë në mes të gjatit dhe të shkurtit. Zgjodhëm Berishën në vend të Ramizit!
Më pas zgjodhëm Nanon në vend të Berishës!

E pasi u ngimë me të shkurtin iu drejtuam prapë të gjatit: Zgjodhëm Berishën në vend të Nanos.
Sa për garniturë ndërruam, pa zgjedhje, nja dy -tre krejt të vegjël, që ikën si të mos ishin.
Mbajtëm afër një të shkurtë e të trashë (shëndoshë), që më pas u dobësua dhe kalon sa me njërin të gjatë, sa me tjetrin, në emër të një politike ndryshe!

U lodhëm e zgjodhëm në mes dy të gjatëve dhe një të shkurti (që ishte i trashë nga shëndeti dhe që u dobësua pa masë), atë më të gjatin: Ramën. Që, sikur të mos i mjaftonte gjatësia na u bashkua me të shkurtin!

E pas disa kohësh do të na shtrohet prapë alternativa e zgjedhjes mes dy të gjatëve, njëri është edhe i bukur (i pashëm) dhe një të shkurti.
Duke e njoftë natyrën e zgjidhjeve që bëjmë, jam i bindur 100%, se në shumicë, prapë do të zgjedhim më të gjatin!

Në rastin më të mbrapshtë do të na mbesë në dorë një i gjatë e një i shkurtë!
E zoti na ruajtë për zgjedhjet dhe zgjidhjet që bëjmë!



Shënim: Kjo foto nuk ka të bëjë me zgjedhjet dhe zgjidhjet që bën populli i Shqipërisë.
Çdo përpjekje për gjithëpërfshirje shqiptarësh është e kotë, pasi jashtë kufijve kemi vetëm të gjatë (udhëheqësa të gjatë)
Kjo foto nuk ka për qëllim të fyejë njeri! Kjo foto nuk lidhet me emra të përveçëm a të përgjithshëm!
E kush nuk më beson i them: Mos aludoni kot! Unë kam fotografuar, thjeshtë, një kungull dhe dy domate të vogla për të vënë në dukje madhësinë e kungullit. Nëse ju pëlqen bëjeni "like" (më pëlqen), kudo që ta takoni në rrjetet sociale.


venerdì, maggio 20, 2011

Pamflet: Kunguj, kungullesha dhe kryekunguj

Kam një kungulleshë, e ndaj në dy pjesë... Sa herë i peshoj më dalin njëlloj.
Më besoni!- ka disa ditë që po mundohem ta ndaj atë dreq kungulleshe në dy pjesë jo të barabarta. Në çdo mundim timin, të shkuar kot, rezultati është i njëjtë.

Dy kunguj gjysma, dy gjysmakunguj, të barabartë. Të barabartë në mënyrën më perfekte.

Kanë vetëm nja dy tre ndryshime të vockëla e të parëndësishme.
Njëri është ngjyrë rozë, me nuanca që tentojnë nga boja e verdhë. (Rozë i zverdhëcitun)
Tjetri është ngjyrë blu, me tendenca që tentojnë nga ngjyra rozë. (Blu i dalë boje)
I pari, rri përherë Verdhacuk në fytyrë,- Kungull i Fytyrës së Vrerosur –sipas Servantes
I dyti, rri përherë i Qeshur në fytyrën e rrumbullt, – Kungull që Qesh- sipas Hygo
Ndryshimi i paktë. Thelbi po ai : Kunguj të baraz ndarë nga e njëjta kungulleshë!

Për hir të këtyre ndryshimeve të parëndësishme, në tregun e kungujve janë hedhur me të njëjtin çmim.
E duke pasë parasysh raportin kërkesë –ofertë, mijëra njerëz të ngjashëm me njëri -tjetrin, më shumë se ç’ngjajnë dy kungujt tanë, kanë dalë në tregun e perimeve për të blerë secili kungullin e vet. Thërrasin. Bërtasin. Çirren.
Thonë: Ky është imi! Me këtë fitohet! Ky fitoi! Tjetri vodhi! Hajdut! Vrasës! Kriminel! Kungulli im fiton! Fiton Kungulli im! Ngatërrova arkën! Ngatërrova kungullin! Numëro! Mos numëro se ta numëroj!

Aq shumë janë marrëzuar njerëzit –blerës, sa janë të gatshëm ta njësojnë veten me kungujt dhe të thërrasin e bërtasin, për dy kungujt e hedhur në treg duke i quajtur parakohe, Kryekunguj!
Në këtë tollovi, dreqi e merr vesh cili është më kungull se tjetri nga dy gjysmat e Kungulleshës. Cili është kryekungulli i vërtetë!
Dhe njerëzit –blerës –tifozë, janë gati të thërrasin për të ndarë Kungulleshën, kunguj a kryekunguj të tjerë.
Dikush nga Republika jonë e Kungujve bërtet që të vijnë disa ekspertë –kunguj (mos o Zot!) nga bota e qytetëruar. Këta ekspertë të thekur, prej mënyrës që përdorin, nuk janë as kunguj për mish, as kunguj për lesh.
Në këtë pikë hyjnë në lojë edhe disa Kryekunguj të tjerë, diç më të mëdhenj në peshë e në format!

Burime të mosvaruna thonë se njëri është Kryetari i Koalicionit të Kungujve, armik i përbetuar i koalicionit të dreqtuar nga Kungulli i Fytyrës së Vrerosur.
Në rangun e kungujve është edhe një tjetër Krykungull. Kryekungull i të gjithë kungujve dhe Kryekungujve, bij të Kungulleshës. Njëfarësoj Kryekungulli Suprem!
Burimet rreken të vërtetojnë se Kryekungullin Suprem nuk e pyet kush as’ sa për një kungull normal.
Ja pse kam mbetë dhe rikthehem prapë tek loja e Kungulleshës: Kam një Kungulleshë, e ndaj në dy pjesë... sa herë e peshoj, më dalin njësoj.

Të gjitha ato që shkrova ishin thjeshtë sa për të mbushur rreshtat se unë e di mirë shprehjen: Me zjarrin dhe me bijtë e Kungulleshës (Kungujt –pavarësisht nga madhësia dhe ngjyra) nuk luhet!
Dhe unë nuk luaj: Kam një Kungulleshë...
nga E. Kaceli