Lexues

Visualizzazione post con etichetta mall. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta mall. Mostra tutti i post

lunedì, novembre 23, 2015

Kupa e mallit... nga E.Kaceli

Kisha me dashtë,
                            sa shumë,
                                           sa shumë,


sa fort kisha me dashtë
afër teje me ndodhë
me një kupë kristali në dorë
me një kupë të mbushun plot me mall
me mallin e viteve që arratinë marrin
                                                            përditë
me mallin e ndarjes, peshërëndë
me mallin e heshtjes
që në heshtje na mbytë

O sa fort kisha me dashtë!
-vetëm nji natë me kupën e mallit përpara
ne të dy, vetëm ne të dy
e bota përreth që pushon,
                                        që hesht,
                                        që nuk është më
e ne të të dy që e zbardhim ditën
e zbardhim ditën e lume pa folë
veç me kupën e mallit të mbushun plot
                                                 veç me kupën e mallit të ngrime në dorë

                                                                      Itali, fund nëntori 2015

giovedì, gennaio 22, 2015

Trishtim në rrugët e qytetit tim... nga E. Kaceli

Pikon shiu rrugëve të përbaltuna të qytetit tim të trishtë
Era e ndan shiun në miliona pika të shrregullta
Si njerezit
                  -që mbarten nga njëra kafene në tjetrën duke vrà ditën
në llum kafeje e tym fjalësh pa fund
duke helmuar ditën, veten dhe njëri –tjetrin…
















Pikon trishtimi rrugëve të mbytuna nga shiu
                                                                      në qytetin tim
Pikon malli, më shumë se trishtimi dhe shiu (bashkë)
Dhe shiu, bashkë me erën, bashkë me mallin, në qytetin tim
Në qytetin tim çatishpuar prej rrezeve të diellit që ikin, ikin dhe ikin
Ikin për të mos u kthyer kurrë më…


Shqipër, i Lezhë, shtator ‘94 – Itali, janar 2015

sabato, ottobre 27, 2012

Kthimi i refugjatit -një përrallë moderne

tregim nga E. Kaceli

“Volkswagen”-i ecte thuajse duke takuar në të rrallë gomat mbi asfaltin gjysëm të lagur e gjysëm të tharë.
“Kohë gjysmash”- mendoi me vete n’sa dora i shtrëngonte ethshëm timonin e mbështjellë nga një shtresë e veçantë  kundër djersitjes.
-Manaccia! –këputi të sharën në italisht, pa e ditur as vetë arsyen pse e ngriti zërin. Para syve hapej rruga. Çuditërisht atë ditë nuk kishte shumë makina. E vetmuar në rrugë makina e tij. Amortizatorët tundeshin e shkundeshin në një troshitje gjumësjellëse. Bezdi. Si për dreq, nga çasti në çast priste të hapej rruga dhe të fluturonte diku, në përtej…
“Na ishte, seç na ishte. Na ishte një herë një djalosh që ra në humnerë në botën e përtejme dhe…”
Prej një jave ndodhej në Shqipëri. Prej një jave shëtiste paprerë nga njëri vend në tjetrin. Jo për të shuar mallin për gurët e vendlindjes. Marrëzi. Për tre vjet në mërgim  gurët qenë lënë pas. Shëtiste si i marrë, i shtyrë nga ato ndjenja që vetëm refugjatët provojnë. Nuk është as mall, nuk është as nostalgji, nuk është asgjë… ndoshta.
Për të kusheditësatin çast pyeti veten  ç’gjë ishte ajo qeshje ironike që e kapërthente ato ditë! Ecte në makinën luksoze. Ecte  si i marrë rrugëve. Rrugëve ku dikur i merrte hipur në ribaltabla zhavorri, apo në zetorë kinezë “T28”. Në rastin më të mirë në ato sajesat që thirreshin autobuzë.
Shau përsëri. Këtë radhë me zë jo shumë të lartë. E kush mund të dëgjonte tjetër përveç makinës luksoze!
-Rrugë muti! –Këtë radhë bërtiti më të madhe. Rruga qe me të vërtetë e tillë. E detyroi të bënte një “sterzo” të fortë me timon. Për pak makina shpëtoi pa kaluar nga asfalti jashtë rrugës. Për pak. Vetëm rripi i sigurimit u tendos fort.
 “Dhe Djaloshi vendosi një ditë të shkëputej nga ajo botë humnerë. Një ditë prej ditësh ai ..,”
Nuk po i ndërmendej siç duhej vazhdimi i mëtejshëm i përrallës. Asnjëherë në shkollë përrallat nuk i merrte seriozisht. Madje dhe jetën e quante serioze vetëm në momentin e vdekjes. Të gjitha të tjera i ngjanin me një shaka të mirëfilltë. Herë –herë të hidhur. Vetëm kështu… Këto pikëpamje i bënin mësuesit t’ua ndjenin frikën përgjigjeve apo pyetjeve të nxënësit rebel. Pikëpamjet…
Rigoi shi mbi xhamin e makinës. Si nëpër mjegull iu kujtua të vinte në punë fshirësen e xhamit. Rruga nuk ishte më gjysëm e lagur dhe gjysëm e thatë. Mund të quhej treçerek e lagur. Por mund të quhej dhe një e katërt e thatë!
“Ai mori një thes me mish. Hipi në shqiponjën krahë madhe që do ta nxirrte nga humnera…”
Aq befas iu kujtua vazhdimi i përrallës legjendë, sa nuk pati kohë ti shmangej një grope. Gropa e bëri makinën të fluturonte për një çast në ajër. Në mbarim të fluturimit, rrotat bënë sikur ndeshën rrugën e shtruar tmerrësisht keq.
“Humnera në ngjitje ishte plot me shkrepa. Shkrepat plot me të dala prerëse. Në fluturimin  e shqipes, krahëmadhe e hijerëndë, trupi i Djaloshit, ndeshej shpesh në tehun therës të shkrepave. Në të dalat e shkëmbinjve binin pikëla gjaku. Ndërsa shqiponja hapte gojën. Sa herë hapte gojën Djaloshi duhej ti hidhte në të një copë mishi. Të përgjakur…”
Vazhdonte të ecte me shpejtësi. Prodhimi gjerman e bënte makinën të sigurtë në atë ecje marramendës. Në atë mjet modern përzihej lashtësia  e përrallës, me kujtimet e një fëmijërie të largët. Realiteti ngjasonte me përrallat e shumta që iu tregonte dikur mësuesja e re e fshatit me shkollë të përzier. Në atë përzierje grup moshash, shpesh mbyllej në vetëvete, për një të menduar të veçantë, që nuk e zotëronte asnjë nga bashkëmoshatarët e tij. Mësuesja i tërhiqte vëmendjen me frikën e vetme se mendimet i thellonin dhe më tej brishtësinë e moshës, duke e bërë të dëmshëm. Të dëmshëm në radhë të parë për shoqërinë, dhe pastaj për veten.
-Mësuesja?- Nga dreqin iu kujtua?! Mësuesja që i fliste gjithmonë, duke tretur sytë e bukur, në anën e përtejme të shkollës. Në një cep të humbur ku fëmijët nuk pranonin të luanin asnjëherë. Sipas një përralle të treguar nga zysha, aty fshihej gogoli.
Përralla. Në ato çaste atij i vinin ndërmend vetëm përralla.
-O Zot! – sa shumë përralla pati mësuar në vitet e shkollës! Përralla për personazhet e hershme, të vonta; përralla për jetën e përditshme; përralla për idetë dhe për njerëzit bartës të ideve; përralla…
“Erdhi një çast që mishi u mbarua, kurse shqiponja hapi gojën për të gëlltitur racionin”
Kështu iu duk se vazhdonte përralla, me tërë enigmën që e priste në dalje të botës Djaloshin dhe shqipen e madhe…
Gjithçka nga e shkuara po i mjegullohej ngadalë në raport të zhdrejtë me shtimin e shpejtësisë së makinës ngjyrë blu të errët. Si një topth i vogël. Rruga, njerëzit, përrallat, idetë,…
Befas gomat fishkëllyen. Thuaj automatikisht makina u ndal. Anash asfaltit një rrugë e shkretë nga çdo gjë e gjallë.  Gati krejt si në përrallë! Liroi rripin e sigurimit. Hapi derën. Doli. Ajri i lagësht i asaj dite me treçerekun e lagur prej shiut, sikur donte ti merrte frymën. Për herë të parë gjatë ditës iu duk se këmbët po i takonin në tokë. Eci. Aty pranë shtrihej shkolla e fëmijërisë. Ose më mirë, aty pranë shtriheshin gërmadhat e fundit të shkollës ku pati njohur mësuesen e idealizmave të para që ndesh njeriu në jetë…
Përsëri shau. Këtë herë shau me një shqipe të qartë. Dhe sepse ndjeu nevojën të bënte shurrën .
–O zot! –si nuk i pat shkuar ndërmend më parë!
Kërkoj me sy, afërsisht, një vend të fshehtë. Në shkretinën e asaj dite 75 për qind të lagur e 25 përqind të tharë, sytë kuriozë nuk takoheshin kurkund.
Diku aty duhej të ndodhej vendi ku zysha simpatike dhe e lodhur nga rruga e gjatë deri në fshat, iua tregonte vazhdimisht. Shumë gjëra qënë fshehur në atë qoshk më të shkretë se kurrë. Shumë enigma fëmijërie.
… U afrua. Nxorri, me një mundim të vogël, bilbilin. Më i qetë se kurrë në ndonjë çast në jetën e tij, filloi të shurronte. Ndërsa piklat e amoniakta ngrinin avull, atij iu dukej se po çlirohej nga një mundim i imadh.
Po çlirohej nga përralla e Djalit dhe Shqiponjës.
Po çlirohej nga frika e qoshkut të fshehtë.
Po çlirohej nga mundimi i të kuptuarit filozofik të jetës…
Pikërisht në fundvitin e shekullit të njëzetë; në shekullin e letrës së dyfishtë higjenike.
Pikërisht në fillim vitet e shekullit njëzet e një; që ndoshta do të quhej shekulli i letrës së trefishtë higjenike.
 Shqipëri qershor 1994 –Itali shkurt 2010

domenica, giugno 19, 2011

Atdheu në Askund! -nga E. Kaceli

             -Njeriu vuen atë që asht!

Rrugëve pafund të botës
me një biletë të ftohtë në dorë
Zogj të trembur, shtegtarë
                                       të tretun larg
Era e pashpirtë e kohës luan me shpirtrat
Në xhepa dhimbje, bagazhet mbushur mall

Kërrusun prej heshtjes
hyrje -daljeve të Botës presim
skllevër te ajrit,
                       skllevër te valëve të detit
fanarët e Kepit të Shpresës së Mirë nuk ndriçojnë

Atdheu edhe këtu, edhe atje
edhe në Askund...

Aeroporti “Nënë Tereza”, Tiranë, qershor 2011

domenica, marzo 27, 2011

Larg teje në plazhin e harruar

nga E. Kaceli

Fryn erë
në bregdetin e harruar.
Flutura krahëzbehta harrimi
thërrimet e rërës fluturojnë,
pështillen kabinave të braktisura
pa kujdes. Pështillen rreth meje
më futen në xhepa,
në veshë,
në sy
dhe në flokët e ngatërruar me fije ere.

…Rërat e heshtjes
në shpirt
kështjella të lagura harrimi
ngrejnë.

Larg teje
në plazhin e harruar
në plazhin e braktisur
Fryn erë harrimi
që më trand,
më trand
aq shumë.
Apo fryn erë malli
që më lë,
më lë
Pa gjumë.