Lexues

giovedì, gennaio 14, 2016

Pamflet: Edhe reformë edhe e ... rruar


Tipike shqiptare. Tipike sallatë shqiptare e përgatitur nga sallatorët (shqip kastravecët) e parisë politike shqiptare. Sallatë nga ajo e egra dhe shumë e njelmët (Për analfabetët e shqipes, sallatë me shumë e kripë që nuk e hanë as qentë e uritun të lagjes)

Reforma në drejtësi po shëndrrohet në një reformë në Dreqtësi!
Një reformë që do ta bëjnë persona që kanë patur apo kanë, të paktën dy probleme me drejtësinë. Thashë dy se të gjithë janë të akuzuar për më shumë se një herë, apo ia kanë hedhur drejtësisë të paktën  disa herë!
Më e bukura e këtij diskutimi është se palët nuk duan pjesëmarrjen e njëri -tjetrit në këtë reformë, të cunguar dhe sakatuar që në nisje. Merre me mend se në ç'gjendje do të përfundojë me sakatimet dhe cungimet e marra!

Kështu si gjithëherë Rama nuk do Lulin, Luli nuk do Metën, Meta nuk do as Ramën e as Lulin, (por bën sikur i don shumë të gjithë) e Berisha që nuk i do asnjërin. Të gjithë nuk duan njëri -tjetrin e për rrjedhojë edhe reformën!

Papritmas na i del gjumi edhe presidentit Nishani (kishte humbur pa nishan) që ankohet se nuk është pyetur apo marrë opinioni i tij për drejtësinë, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë! (edhe kryetar, edhe këshill, edhe i lartë, edhe drejtësisë  -emërtim shumë i bukur, shumë tringëllues). Nuk mjafton që është president por dashka të japë edhe opinione!

Nga bregu tjetër ne, populli, që kërkojmë të bëjmë drejtësi në lokalin e klubit të fshatit që e quajmë qytet dhe të qytetit që e e kemi kthyer në fshat. Reforma jonë është me njërën dorë në gotën e pijes, e me tjetrën duke vënë firmën në listën e borxhit. Këtë listë -defterin e borxhit pijanik,  na e tund para syve pronari i lokalit sa herë kundërshtojmë politikën e tij për reformën në drejtësi. Dhe na e tund në publik!

Drejtësi apo Dreqtësi!
Gjejeni vetë, se mua, ndërsa të gjithë flasim me kompetencë për reformën në Drejtësinë shqiptare, për ekspertë të palëve, për drafte (shqip nuk e di) të palëve, për përjashtime të palëve, më bie ndërmend të them:
Dashkeni edhe Reformë, edhe Drejtësi, edhe pa përfshirë krenat e përndrituna të politikës shqiptare.

Dashkeni edhe Reformë edhe ... Reformë të rruar!
Hajt pra: Rroftë Reforma!


Edmond Kaceli, 14  janar 2016

Nessun commento:

Posta un commento