Lexues

Visualizzazione post con etichetta partizanet. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta partizanet. Mostra tutti i post

lunedì, ottobre 01, 2018

Dje: Nga na erdhën këta Partizanë?! Sot: Nga erdhën këta Horra!


Pamflet nga E. Kaceli

Kur mbushën sheshet ca zhelanë me yllin e kuq në ballë, që vrisnin e prisnin pa dallim feje, krahine dhe idejet, të gjithë kundërshtarët personalë dhe politikë; që dhunonin e përdhunonin çdo njeri të pasur apo çdo njeri me prejardhje të pasur a gjysëm të pasur; që shtypnin e torturonin intelektualët, priftërinjtë, hoxhallarët e njerëzit e Zotit; që mbasi vranë e prenë kundërshtarët, shkuan në hell edhe njëri -tjetrin në emër të idealeve; njerëzia pyeti me gjysëm zërit:
Nga na erdhën këta partizanë!

Sot, shumë, krejt shumë, vite mbrapa, më duket se ora e shqiptarit ka mbetë në vend numëro! Jemi po aty!
Me ndryshimin e vetëm se kanë zëvendësuar mushkat e transportit me makina të blinduara e xhama të zinj! Zhelet i kanë zëvendësuar me rroba të firmave të njohura! Gjatësinë mundohen ta plotësojnë me gjatësinë e celularit e tundjen e kobures. Trashësinë e mendjes me numrin e dashnoreve!

Qysh prej 44-ës, më kot mundohemi të ecim! Kemi mbetë në vendnumëro! Vetëm njerëzia, duke u lutur nën melodinë "dhunën e përditshme falna sot" pyet:
Nga na erdhën këta Horra!

Këta horra që na kanë zaptuar rrugët, lokalet, parqet, fshatrat, qytetet. Këta horra që kanë mbytë Shqipërinë. Këta horra që i ndeshim kudo dhe ulim kryet përpara tyre më shumë se përpara perëndisë!
Këta horra që një herë në katër vjet nën zhurmën dhe bujën e burrave të fortë, i veshim me pushtet absolut që nga kryeplaku i fshatit, kryetari i bashkisë, komunës, e deri sa i çojmë në parlament, apo në qeveri, për të na dhunuar, poshtëruar, e varfëruar, politikisht, moralisht, e mendërisht!

Ulim kryet si qengja të butë duke rrejtë veten se "Nuk kanë punë me mua!" Ulim kryet siç e kemi ulur gjithmonë! Ulëm kryet nën dhunën e Enverit, nën pushtetin e dhelprës Alia; ulëm kryet sa herë iu tek Fatos Nanos, apo Berishës: ulim kryet përballë Edi (Edvin) Ramës; i biem në gjunj Ilir Metës; puthim Lulëzim Bashën e kacarrojmë Lali Erin, duke i shpallë (Mo Zo ma keq!) Perëndi!

Në përuljen tonë të përditshme, në frikën e delirin që pjell pushteti, iu thurim edhe këngë! Këngë ku teksti është i njëjti tekst -servil i përulun, por vetëm iu ndryshojmë emrin
E sa herë na del gjumi nga kur bëhet publike trafiku, skandali apo dhuna e radhës, nga të afërmit e horrave, nga horrat, apo nga kryehorrat personalisht, pyesim të çmeritun, e me gjysëm zërit:
Nga na erdhën këta Horra!?
Hë pra nga na erdhën?!

lunedì, novembre 20, 2017

Me çfarë kanë udhëtuar partizanët?

Pamflet

Të shpejtë këta trimat partizanë! Me 17 nëntori çliruan Tiranën. Hop më 20 çliruan Pukën! Tak fap më 23 nëntor çliruan Lezhën! E në vijim, sa hap e mshil sytë, më 28 në darkë, duke u zbardhë 29 nëntori çliruan qytetin e madh të Shkodrës! Me çka dreqin udhëtonin kaq shpejt partizanët në 1944-ën!
Të shpejtë, shumë të shpejtë këta trimat e kuq!

Gjysma e dytë e nëntorit është e mbushur plot e përplot me të ashtuquajturat Festa të çlirimit të disa qyteteve të rëndësishme në zonën veriore të vendit.

Kështu: Historianët thonë se kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana u çlirua nga gjermanët më 17 nëntor. Krejt dakord! I rrethuam gjermanët, i vramë e i sakatuam. Rrëmbyem radiostacionin... bëmë edhe një paradë feste. Festa zgjati, dy ose tre ditë...

Pikërisht, ndërsa festohej çlirimi i kryeqyetit dhe gjermanët e shkatërruar keq nga forcat partizane(!) tërhiqeshin nga Shqipëria, filloi çlirimi i pjesës së mbetur të vendit.
Sipas historisë komuniste, ndërsa në Tiranë festohej fitorja, filloi dhe çlirimi i pjesës tjetër të Shqipërisë së Veriut.
(Mirdita, fqinjë e Lezhës, ishte çliruar rreth një muaj më parë!)
Më 20 nëntor rezulton të jetë liruar prej gjermanëve Puka, me 23 nëntor Lezha!
E rreth një javë më pas çlirohet Shkodra!
Gjithçka u bë pas luftimeve të ashpra, shumë të ashpra e shumë- shumë të ashpra. Deri këtu jemi në rregull me historinë komuniste!
(Këtu ka një problem të vogël!  Psh. në luftën për çlirimin e Lezhës nuk rezulton asnjë gjerman i vrarë, dhe asnjë partizan i rënë në ditën e çlirimit, apo para e pas ditës së çlirimit!)

Unë kam dyshuar dhe vijoj të dyshoj gjithëherë, siç thoshte dhe Marksi (apo Lenini?!) "Dysho për të gjitha!"
Për 14 ditë! -si është e mundur që një ushtri e kequshqyer, e  keqveshur, e keqorganizuar, e pastërvitur, pa asnjë mjet transporti motorik, të ketë lëvizur dhe luftuar për 15 ditë, e të ketë çliruar, me luftime të jashtëzakonshme, një linjë të tillë nga Tirana deri në Shkodër?

Të ecësh nga Tirana në Shkodër me makinat e kohës së sotshme, në rast trafiku, bën gati një ditë. E jo të ecësh maleve e kodrave të veriut, me armë në dorë, me barkun bosh, nën breshërinë e plumbave të ushtrisë më të egër të kohës. (Më duket gjermanët lëviznin dhe me mjete të motorizuara, e shkatërronin dhe urat e pakta që lidhnin të vetmen rrugë kryesore nacionale)
A ka mbetë gjallë, ndonjë nga ish-veteranët, apo historianët tanë të shquar, që më kthjellon trurin: Me çfarë lëvizën partizanët kaq shpejt? Se mua më duket të kenë lëvizuar si në filmat fantastiko -shkencorë...
Mos u merrni me sqarime bosh! Vetëm më thoni me çfarë udhëtonin partizanët në '44 kur për një javë çliruan linjën nga Tirana në Shkodër!
Ma gëzofshi ditën e Lirimit që bie në datën kur t'iu mbushet rradakja!

E.Kaceli

domenica, settembre 17, 2017

Prek Cali dhe një histori me partizanë

Nga Edmond Kaceli

Kam pasë dy kushërinj partizanë, shpirti u ndrit'të në qiell e pushofshin në paqe!
Ishin dy vëllezër Nik Fran Kaçeli e Gjon Fran Kaçeli. Historia fillon nga mënyra e rekrutimit me forcë që kriminelët e udhëheqjes komuniste iu bënin  djemve të Veriut gjatë tranzicionit të tyre nga Shqipëria e Veriut për të shkuar në ndihmë të vëllezërve kriminelë komunistë të Jugosllavisë!
Komunistët, nën petkun e liberatorëve(!)  detyronin nga një mashkull për shtëpi të bashkohej me zor në luftën e tyre. Luftë që kurrë nuk u bë lufta e popullit! Kur erdhën në shtëpinë e Kaçelajve (Turkajve), sekuestruan nga një djalë për familje. Gjyshi im, Prekan Zef Kaceli ishte djalë i vetëm. E axha i tij Fran Gjergj Kaçeli, për mos me lanë hisen e vllaut për me "hupë në luftë" duke pasë tre djem, dërgoi dy djemtë e tij, ngase kishte tre djem. Ky ishte shpirti i Veriut!
Dy djemtë e axhës së gjyshit, Nika dhe Gjoni u kthyen të dy të gjallë. Të gjallë por të sakatuar nga lufta. Nga Lufta jo në Shqipëri! Por nga lufta në Jugosllavi! Nga lufta e përbashkët e kriminelëve komunistë për bashkim -vëllazërimin me armikun më të madh të Shqipërisë, dhe të Shqipërisë së Veriut në veçanti.
Sa herë kam dëgjuar prej tyre, me kuriozitet dhe frikë se mos na spiunonte kush, për trimëritë dhe heroizmin e partizanëve!

Baci Nikë, kallxonte shpesh se:
Gjermanët ishin në ikje të vazhdueshme. E na trimat partizanë, i ndiqnim mbrapa vetëm kur ishim të bindur se forca e armëve të tyre nuk mbërrinin tek ne. Ata ik e na ec. Një herë që guxuam të afroheshim më shumë se distanca e zakonshme, plumbat e mitrolozëve gjermanë na bënë të strukeshim për disa orë rresht. Ndërsa kur kaluam kufirin në ndihmë të jugosllavëve, kena pa tmerr me sy! Nuk kena shkrepë armë. Por në trupat tona bani kërdinë ùja (uria) të ftoftit akull dhe sidomos tifoja e morrit! Po kena luftua me morrat. Shumë prej nesh nuk u kthyen më nga ajo luftë!"
Nikës në spitalet partizane të jugosllavisë i kishin humbë të gjithë gishtat e këmbëve prej dimrit. Ndërsa Gjoni kishte humbë njërën këmbë!

E tash deshta me dalë tek ata partizanët që u vranë në Kelmen nga beteja e përgjakshme e komunistëve me Prek Calin dhe bashkëluftëtarët e këtij tribuni të shqiptarisë. (Gazetari dhe poeti Marash Mirashi, e pati emëruar në një shkrim të mbështetun në fakte historike "Robin Hudi shqiptar! -Kërkoni në koleksionin e gazetës Koha Jonë,viti 91-92 )
Partizanët e thjeshtë, një pjesë e mirë e tyre të rekrutuar me forcë si ushtarë të brigadave partizane, të injektuar shpejt e shpejt me frikën e marrjes së pushtetit nga reaksionarët, pa asnjë përvojë minimale luftarake, realisht, u vranë në një betejë vëllavrasjeje të ndërsyer nga udhëheqësit  e kuq kriminelët Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu!
Plumbat dolën nga armët e malësorëve që mbronin jetën dhe trojet e tyre kundër kolerës së kuqe. Por dorasit ishin kriminelët e kuq që bënin llogaritë e një viti pas luftës! Llogaritë e të ashtuquajturit Pushtet Popullor që do ti kishte "themelet e mbrujtura me gjak"!
Më vjen keq për ata partizanë, ushtarë (fshatarë) të thjeshtë, që humbën jetën atë ditë, duke mos pasë rrugë tjetër. Përpara kishin malësorët luftëtarë të sprovuar, e atdhetarë -armiqtë tradicionalë të Jugosllavisë e komunizmit. Nga pas kishin komandatët e kuq -kriminelë të lindur e të bindur për të shtruar Veriun me çdo kusht!

Nuk jam ekstremist por historia nuk eshte ashtu siç e shkruan kriminelet e kuq! Prek Cali nuk ka qenë bashibozuk por një ndër patriotët dhe burrat më të nderuar të zonës së Veriut. Luftëtar dhe patriot, i tradhëtuar prej komunistëve dhe këlyshve të tyre! Ai u dorëzua në "besë" të komunistëve të pabesë, duke iu thënë bashkëluftëtarëve të tij kundër kolerës së kuqe " Nuk duhet me u vra vëllau me vëllanë". Ai u dorëzua per të ndaluar vëllavrasjen e metejshme në Veri, të nisur dhe të vazhduar nga udhëheqësit kriminelë komunistë. Komunistet e udhëhequr nga krimineli i kuq Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, e vranë dhe i masakruan edhe kufomën!


Shënim: Diskutimi për prishjen e shtëpisë së tij, nuk më tërheq. Më duket lojë fjalësh. Prek Cali, si çdo i vdekshëm i kësaj toke ka dritë -hijet e tij që vijnë nga shumë faktorë të ngatërruar të kohës, që historianët e ardhshëm të Shqipërisë kanë për detyrë ti sqarojnë! Por Prek Cali ka ngritë Kullën e Legjendës në zemrat e malësorëve të Veriut dhe në Historinë e Shqipërisë duke i vënë në themel të Kullës shënimin e kufinjve, dhe guximin e përballjes me kriminelët e kuq. Të tjerat janë përralla!