Lexues

Visualizzazione post con etichetta presidenti shqiptar. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta presidenti shqiptar. Mostra tutti i post

sabato, aprile 22, 2017

Haxhi me paret e popullit

Pamflet    -nga Edmond Kaceli

Në aspektin e tolerancës fetare dhe mirëkuptimit fetar jam krejt i hapur, dhe mirëkuptoj të gjithë ata që besojnë! Madje toleranca ime arrin kulmin se unë mirëkuptoj edhe ata që nuk besojnë!
Edhe unë mundohem të besoj në mënyrën time! Besoj si nëpërmjet besimit edhe mos besimit!

Këto mendime (ose ç'mendime) mu ngatërruan në krye kur lexova për herë të parë lajmin se "Presidenti Nishani, ka vizituar, zyrtarisht, Mekën! E zyrtarisht edhe djali i tij qënka veshë me petkun zyrtar të vizitorëve të Mekës" -Nuk e besova në fillim, dhe e mora si shaka e shtypit shqiptar ndaj figurës së shkëlqesisë së tij, presidentit të Republikës!
Por kur e lexova si kryelajm në një pjesë të madhe të medias, atëherë u dorëzova!

U dorëzova dhe nisa ti thërras mendjes dhe kuptimeve të mija për shtetin, besimin dhe raportet ndërmjet tyre në një shtet laik!
Sipas shtyllave të besimit islam (pranoj korrigjimin dhe kërkoj ndjesë nëse gaboj) kush shkon në Mekë, zyrtarisht, kthehet me titullin Haxhi.
Pra presidenti ynë i nderuar, (i nderuar edhe tash në fund të mandatit) ka shkuar për haxhillëk bashkë me një nga familjarët e tij! Nuk ka asgjë të keqe! Ka të drejtë të besojë, ka të drejtë të mosbesojë, ka të drejtë të bëhet Haxhi, ka të drejtë edhe të mos bëhet Haxhi!
Por ka vetëm një detyrë: Të mos bëhet Haxhi, as ai e as të afërmit e tij në delagacionin zyrtar, me paret e taksapaguesve të një shteti që në kushtetutë e ka të përcaktuar se është shtet laik!
Apo ndoshta unë nuk i kuptoj të drejtat dhe detyrat e presidentit tonë të nderuar!

Nëse haxhillëku i shkëlqesisë së tij, ose i të afërmëve të shkëlqesisë së tij, hyn tek detyrat e presidentit (edhe pse me paret tona) i kërkoj ndjesë publike dhe do të thërras gjithë ditën, në mes të miletit, në shenjë dënimi:

Rroftë e qoftë sa malet Haxhi Bujar Nishani! E Poshtë sa malet unë, mosbesuesi i përjetshëm se Shqipëria do të bëhet me njerëz të tillë, që vinë aksidentalisht në krye të vendit!

lunedì, gennaio 30, 2017

Unë -kryetar i KE-së, BE-së dhe mik i ngushtë i Donald Trump!

Satirë E. Kaceli

Shqiptarët që prodhojnë marrina me shumicë nuk është e panjohur në tregun ndërkombëtar të marrinave. Bile ne prodhojmë me aq sasi, e cilësi, sa marrinat kthehen në budallëk, që është shkalla më e lartë e zhvillimit budallor të një nacioni.
E nacioni ynë është i lashtë. Aq i lashtë sa shpesh pyes veten: Këtë shkallën e lashtësisë kush e përcaktoi që na ra për hise! Apo na e dhanë të  huajt në shenjë mirënjohjejet për marrinat që bëjmë, e që e kalojnë kufirin natyror të shqipeve!
Ne shqiptarët kemi dhe një veçori tjetër: E prodhojmë marrinë, e ushqejmë, e rrisim derisa e bëjmë gomarllëk, dhe kur fillon të pëllasë, kthehemi dhe e besojmë ne që e prodhuam!
Në këtë javën dixhitale që sapo shkoi, dy marrina më tërhoqën fort, për nga shkalla e intelektit me të cilën u realizuan dhe u trumbetuan!

E para: Trump me origjinë shqiptare!
I dhanë adresën, prejardhjen, fshatin e humbur ku lindën të parët, dhe ku vijonë të lindin stërkushërinjtë e stërlargët të Presidentit amerikan. E stisën me aq klas gomarllëkut sa të nesërmen ai që e publikoi herën e parë  e publikoi sërish, duke thënë se e mori nga një burim origjinal dhe i besueshëm!
Çorbë digitale më të prishur nuk më kishin zënë sytë!
E mendova, e mendova, e mendova (ndonjëherë edhe mendoj!) Fola në telefon dhe me mikun tim Donald Trump! (Pse nuk më besoni! -Është me origjinë shqiptare, dhe unë jam shqiptar. Nuk patëm asnjë problem të vogël se ai nuk di shqip e unë nuk di kokërr fjale në anglisht! U morëm vesh me shenja, folëm me gishta, siç dimë ne shqiptarët!)
Hej dreq hej, ky chek -up i Beqes paska krijuar probleme të rënda në shëndetin mendor të një race që quhet shqiptar dhe këput broçkulla prej mëngjezit e deri në darkë!

E dyta: Policia që duam është më e besura në zinxhirin e trashë të institucioneve shqiptare! Këtë e paska thënë KE (Komisioni Europian) nëpërmjet një anketimi! Populli i beson me shumë policisë se çdokujt tjetër në Shqipëri! I shkreti popull që duhet të besojë çmos!
Sa shumë i beson populli atyre policëve që ruajnë e mbrojnë Republikën Popullor Shqiptare të Hashashit; (sa shumë i beson populli atyre policëve që me urdhër e me ligje absurde,  fusin një fakir në burg për parkim të gabuar të makinës apo për rryp sigurie, e rrinë gju më gju me atë që ka vra të paktën tre vetë nga ky popull i thjeshtë!
Anketimin e ka bërë KE, e anketimi na nxjerr se ne i besojmë policisë! Në ta mbajtë "suma" mos i beso anketimit! (Unë i besoj!)
Nëse KE, BE, a dreqi në qiell, a i biri i dreqit në tokë, e ka bërë një anketim të tillë, ku policia shqiptare del institucioni më i besueshëm në Shqipëri, unë bashkëorigjinasi i Trump-it jam kryetari i KE-së, i BE-së, madje dhe kryetari i dreqit! E nëse policia është më e besueshmja merreni me mend se në ç'dreq gjendjet është katandisë Shqipëria prej institucioneve të tjera!

Ndërkohë që shkruaj,  shpresoj të mos dalë, të paktën për tre orët në vijim, një budallëk më i madh, se do të mi humbte aktualiteti! Aktualiteti që thotë se në Shqipëri çudia më e madhe zgjat tre orë!

A pas këtyre tre orëve: Qentë le të lehin, karvani shkon përpara! (Enver -Ramiz -Fatos- Sali -Edvin- Karvani)

Edmond Kaceli

martedì, gennaio 31, 2012

Profesioni: Mos me bà asgjà!

Pamflet
nga Edmond Kaceli

Quando diventerò grande, vado in Albania a far’ niente. Perché cosi fanno tutti gli albanesi -mio figlio Erik, 7.
Kur te rritem do të shkoj në Shqipëri e të punoj asgjë. Sepse kështu bëjne të gjithë shqiptarët. - djali im Erik, 7 vjeç.

Dhe kur e pyesin: Në ç’vend i ke parë që shqiptarët nuk bëjnë asgjë?
Përgjigjet shpejt: Sa herë që shkojmë në Shqipëri i shoh të gjithë.

Ky gjykim i vogëlushit 7 vjeçar, më ka mahnitë jo vetëm mua, por gjithkënd prej miqve të mij që ia kam treguar.
Në fakt : Mos me bà asgja- ky është një profesion që ne Shqiptarët e dimë më së miri dhe e realizojmë në prefeksion.
Prej mëngjezit deri në darkë vonë në Shqipëri duken, në pamje të parë, sikur të gjithë janë të zënë me punë, dhe kushedi se sa shumë punojnë. Kështu duken në pamje të jashtme.

Por sa të hapësh derën e parë të një shtëpie shikon që është ditë pushimi.
Të gjithë familjarët, dhe ndonjë mik i familjes i zgjuar herët, janë mbledhë rreth filaxhanit të kafesë, shoqëruar gotën e rakisë. Të rrethuar flasin fjalë burrnie, histori (thashetheme) katundi që iu duket si qytet, e thashetheme qyteti që ju duket si katund.

Bëjnë politikën e kryeplakut, politikën e kryetarit të komunës, politikën e qeverisë, të presidentit shqiptar e më pas hidhen në arenën ndërkombëtare. Pikërisht aty të gjithë i ke kompetentë. Të gjithë bëhen analistë të mëdhenj. Të gjithë, pa përjashtim moshe, njohin me përgjegjësi të lartë çështjet ndërkombëtare, e udhëheqësit ndërkombëtarë që i përziejnë. I njohin me emra, mbiemra, gra, dashnore, fis e farë, më mirë se ç’njohin delet, dhitë lopët a derrin e vetëm që kanë në kasollen e tyre.
Bagëtitë e gjora, që ju ka ikë orari i mjeljes, apo iu është vonuar orari i tagjisë së mëngjezit, fillojnë të pëllasin, e burrat e familjes fillojnë të shtijnë tek a çift se kujt i takon ti ushqejë, aty nga ora 10.

Shqiptarin tipik “nuk bàj asgja” mos e gjetsh në divanin e shtëpisë, (në karrige nuk ulen kurrë se iu dhemb bytha) e gjen në kafenetë (baret) e shumta të fshatit a qytetit, duke ushtruar denjësisht profesionin.
Kafja shoqërohet me një klas tjetër pijesh. Qysh prej zbulimit të “Red Bull” “B52” e ndonjë pieje tjetër energjike, shqiptarët janë bërë me krahë dhe vetëm barku i zmadhuar tej maset nuk i lë të fluturojnë!
Baret e qytetit janë të mbushura aq shumë sa nuk gjen vend ku të ulesh.
Në lokale i gjen të gjithë. Njerëz të thjeshtë, hallexhinj profesionistë, pijanecë profesionistë, gra me burra, gra pa burra, burra pa gra, nxënës shkolle pa shkollë... Lista e gjatë mbyllet me zyrtarin tipik barkalec shqiptar. Zyrtarin që të gjitha çështjes e zyrës i zgjidh në kafene, e të gjitha çështjet e kafes i zgjidh më vonë në zyrë.
E njeriu normal kur shkon në Shqipëri pyet veten: Është ditë normale pune apo mbledhja e sindikatës së “asgjë bërësve”.

Por çështja është më e thellë. Nëse, larg qoftë e dashtë Qoftë Largu, ke nevojë për një asgjëbërës në Shqipëri, bëj kujdes! Bëj shumë kujdes! Asgjëbërësin e ke përgjithësisht të zënë me punën e tij të përhershme: Duke bërë asgjë.
Dhe duhet të jesh shumë i lumtur, e të mos guxosh ta pyesësh dy herë rresht, kur të thotë : Eh! Tash për tash jam i zënë. Hajde më vonë. Ose më mirë, më ço një zile telefoni se të marr vetë...

Dhe ti që vjen nga një botë tjetër ku njerëzit e shkretë rropaten në punë nga mëngjezi i parë deri në darkë vonë, gati të duket vetja i marrë e pyet veten: Përse? Përse të mos kthehem në Shqipëri dhe të filloj punë Asgjëbërës?
Është kohë krize ku i dihet...

domenica, agosto 12, 2007

RROTA E ARTE DHE PRESIDENTI SHQIPTAR

Pamflet
RROTA E ARTE DHE PRESIDENTI SHQIPTAR

Nga Edmond Kaçeli

A e dini se ndër shpikjet më të mëdha shpikja e Rrotës ka qenë ajo që e ka çuar njerëzimin përpara? Në sajë të Rrotës, dhe vetëm në sajë të Rrotës, njerëzimi është zhvilluar nga prehistoria deri në ditët e sotme. Nëse nuk e dini mbani vesh: Rrota është shpikja më e madhe. Rrota është shpikja e artë e njeriut. Rrota është fillimi dhe mbarimi i shkencës njerëzore. Rrota është filozofia e jetës në planetin tonë. Rrota është rrotë.
Ai që e shpiku nuk mbahet mend, ndërsa Rrota jeton dhe do të jetojë ndër jetë të jetëve duke vazhduar misionin e vënies në lëvizje të njerëzimit dhe të historisë së brezave.
Sa gjëra janë bërë me Rrotën! Kush nuk e ka përdorur të paktën njëherë në jetën e tij Rrotën? Apo ndonjë mekanizëm që i përngjason rrotës! Kush prej nesh nuk është ndjerë pjesë e mekanizmave shumërrotësh që na rrethojnë në jetën e përditshme.
Prej mëngjezit nën zgjimin e orës, (edhe orët elektronike kanë ndonjë mekanizëm që i përngjason rrotës), përgjatë gjithë ditës, e deri sa shkojmë në darkë të hamë, (edhe tenxheret e gjellës i ngjajnë rrotës), na shoqëron Rrota. Biles Rrota na shoqëron edhe kur shkojmë të flejmë gjumë për tu zgjuar sërish nën efektin dhe presionin e Rrotës së ditëve që sillen sipas Parimit Universal të Rrotës.
Banorët e vendit të shqiponjave, si popull me zgjuarësi natyrale, ishin nga të parët banorë të rruzullit që e përdorën Rrotën. Burimet etruske, pellazgjike, e më vonë ilire e vërtetojnë përdorimin e Rrotës dhe të efekteve të sajë. Banorët e vendit të shqiponjave vazhdojnë ta përdorin me shumë sukses edhe në ditët e sotme Rrotën dhe gjithë efektet e sajë pozitive. Në jetën e tyre të përditshme, si shumë popuj të tjerë të Globit, shqiptarët e ndjejnë Rrotën deri në thellësi të shpirtit bujar. Në jetën e përditshme Rrota e Artë (këtu e në vazhdim po e vlerësojmë shpikjen më të madhe njerëzore) ka zënë dhe do të zërë një vend parësor.
Pa Rrotën shqiptarët nuk arrijnë të bëjnë asgjë. Nuk arrijnë të flejnë me njëri –tjetrin. Nuk arrijnë të çohen në mëngjëz. Nuk arrijnë të shkojnë në punë… nuk … nuk…
E nuku më i madh i shqiptarëve është se pa Rrotën nuk bëjnë dot as politikë.
Lidhja e rrotës me politikën? Krejt e thjeshtë:
Në jetën e një vendi të vogël, apo edhe të madh. qeverisja e vendit i ngjan një mekanizmi shumërrotësh, të ndërtuar nga mekanizma të tjera shumërrotësh por në shkallë më të vogël. Më thjeshtë akoma. Fillohet me partitë politike që kanë në krye një kryetar apo një president. Të paktën mbi pesëdhjetë mekanizma të tilla politikë.
Vazhdojmë me qeverinë dhe qeveritarët. Ecim më tej: parlamenti, kryetari, krejt pushteti legjislativ pushteti gjyësor… Dhe kryemekanizmi i të gjithë mekanizmave shumërrotësh të qeverisjes: Presidenti.
Aq shumë e duan shqiptarët këtë kryemekanizëm (larg qoftë nëse e thërrasim me emrin Kryerrotë) sa të gjithë u turrën të zënë vend në karrigen e këtij Kryemekanizmi. Kush nuk është në gjendje të turret mbështet nga pas (shqipja është gjuhë e ngatërruar në kësisoj shprehjesh) të parin kandidat që i bie ndërmend.
E bijtë e shqiponjës duke harruar prejardhjen e tyre shqiponjore harrojnë hallet e përditshme dhe kthehen në adhurues të se parës Rrotë që iu del në rrugë. Janë gati të ndeshen, të vriten, të përleshen, vetëm e vetëm se kundërshtari i tyre adhuron një tip tjetër rrote. Zot na ruaj, në ethet e përgjithshme të luftës për Rrotën e Artë, harrojnë se të gjitha rrotat janë njëlloj të rëndësishme. I mençur, nuk mund të them fatlum, ishte dhe mbetet ai që e shpiku i pari, të tjerëve vetëm iu duhet ta vënë në përdorim ose ta adhurojnë Rrotën. Rrotën e Artë.

Itali qershor- korrik 2007