Opinion
Kombi, (nacion)i jam unë, je ti, jemi ne të gjithë. Kombi
shqiptar është gjithkund ku flitet sadopak gjuhë shqipe. Shqipe e pastër, e papërzier,
shqipe e ruajtur me shpirt nëpër dhëmbë nga koha që ka punuar aq shpesh kundër
shqipes dhe shqiptarëve!
Nacioni shqiptar është i shtrirë në trojet e veta në Greqi
(Çamëria); në Maqedoni (Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova); në Malin e Zi, si
vetë fati i shqiptarëve (Ulqini, Tivari, Tuzi,); në Serbi (Presheva, Bujanoci,
Metvegja); në Kosovë.
Shqiptarët janë të shpërndarë thuajse në të gjitha vendet
e botës! Një nacion, historia e vuajtjeve dhe ndarjeve për shkak të luftrave
dhe lakmive të fqinjëve mund të gjejë krahasim vetëm me historinë e hebrenjve!
Ky është Nacioni Shqiptar!
Kukësi është ai qyteti i vogël në Veri të Shqipërise. I
vogël si territor, i varfër, i harruar nga qeveritë e Tiranës! Askush nuk
fliste për Kukësin deri në ditën kur mahniti botën me pritjen e një milion të dëbuarve
nga Kosova! Në atë kohë u fol per Kukësin! Në atë kohë "zbuluam" historinë
e tij të përgjakshme, Lumën, Hasin, Krumën... Kukësi i vogël u kthye ne Kukësi
i Kombit! -Dhe pastaj u harrua!
Këtu nisi historia e rrugës së Kombit. Një ndër
investimet më domethënëse në drejtim të afrimit të dy pjesëve të ndara të Shqipërisë!
Lëvizja e lirë ndërmjet dy shteteve shqiptare, e ëndërruar edhe nga fëmijët,
filloi të bëhej realitet. Kjo rrugë menjëherë u shëndrrua në urën e munguar të
lidhjes mes dy pjesëve të Shqipërisë natyrale dhe historike!
Shqiptarët e Shqipërisë zyrtare dhe shqiptarët e Shqipërisë kosovare u ndjenë më të bashkuar se
asnjëherë tjetër! Këtë bashkim e bëri realitet të patjetërsueshëm Rruga e
Kombit!
Por emri i madh i kësaj rruge u përlye! U përlye qysh me
fillimin e hedhjes së zhavorrit të parë e deri me vendosjen e traut të pagesës!
Rruga e Kombit, Ura e Kombit, u kthye në një simbol vjedhjesh të pafundme.
Vjedhjeje dhe mosndëshkimeve!
Hajdutët e Kombit, njerëz të veshur me fuqinë e politikës
në Shqipëri e panë ndërtimin e rrugës, jo si një investim gjeostrategjik dhe
politik në të mirë të nacionit, por si mjetin më perfekt për të vjedhur pa ju
hyrë gjembi i ndëshkimit në asnjë gisht të këmbës apo të dorës hajdute!
E filluar me vjedhjen nëpërmjet taksës Majko, e vijuar me
shpërdorimin e milionave gjatë ndërtimit të rrugës, ku studimet dhe projektet bëheshin
mbas ndërtimit duke iu përshtatë parave të harxhuara pa asnjë kriter, vijoi ndër
vite me shpenzimet e pakontrollura për mirëmbajte.
Çetat e Hajdutëve të majtë, e të djathtë, ia rropën dhjetëra
herë asfaltin kësaj rruge, derisa e kuptuan se nuk kishte mbetë asgjë për të
vjedhur.
Kur e panë se kishte mbetë pak për të vjedhur, çeta e
hajdutëve të radhës në qeveri shpiku traun e pagesës dhe vjedhjen nëpërmjet
koncensionit!
Koncensioni, kjo shfaqje korruptive që është
eksperimentuar me sukes në mjekësi, në energji, në kontrollin e automjeteve, në
dogana, në aeroport... Në çdo gjë të mundshme që mund të prodhojë shumë lek, për
firmat e lidhura me politikën, për hajdutët në pushtetin e radhës, e pak, krejt
pak lek për buxhetin e varfër të shtetit.
Në sajë të politikës hajdute jemi klasifikuar me nder e
lavdi, në top listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë!
Qeveritarët dhe politikanët shqiptarë, në vend që të
flasin për perspektiva zhvillimi e mirëqenieje, bëjnë plane të errëta se çfarë,
dhe si, mund të vidhet e stërvidhet, çka mund të ndahet e stërndahet.
Pa asnjë frikë se dikush mund ti ndëshkojë!
Në fakt edhe burgun, e forcën e ligjit, iu kanë dhënë me
koncension policisë, gjykatësve, e prokurorëve, për ta përdorur vetëm ndaj njerëzve
të varfër, ndaj njerëzve të thjeshtë.
Qofshin këta edhe protestuesit e thjeshtë, e të ndershëm
të Kukësit, që guxojnë të protestojnë kundër një trau, e një pagese të
pajustifikueshme, që kërkon t'iu ngrejë një mur simbolik, në kufirin simbolik
Kosovë -Shqipëri!
Për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë, shpresoj që
protesta, edhe e dhunshme, t'iu çojë pak mesazh hajdutëve të kombit (të majtë e
të djathtë), një mesazh të llojit:
Në mos paçi frikë nga Ligji, filloni të keni frikë nga
zemërimi i popullit!
Edmond Kaceli