Pamflet
Dhe prapë
në darkë kemi guximin të shkojmë të flejmë, e prapë marrim guximin të
shohim ëndërra!
Ajo çfarë po ndodh këto ditë në Shqipëri, në politikën
shqiptare, nuk ka përgjasim me anjë vend të botës.
Marr shembull të freskët nga Italia: Ministri i
infrastrukturës Lupi, këto ditë, dha dorëheqjen për ti hapë rrugën drejtësisë
italiane.
Ndërsa në Shqipëri është krijuar një mish -mash politike
dhe drejtësie ku nuk e merr vesh i pari të dytin, i dyti të tretin, e me radhë
duke u nisë edhe njëherë nga i pari!
Leshi i arapit është më pak i ngatërruar se rrëmuja që ka
mbërthyer politikën dhe drejtësinë shqiptare.
Njëri akuzon tjetrin. Tjetri akuzon të parin dhe të tjerët.
Dikush bën vëzhguesin duke pritë rrallën e breshërisë së akuzave. Populli nuk
din ku të fshihet për tu ruajtë nga gëzhojat!
Drejtësia e munguar shqiptare e mbërthyer në morsën e
politikës nuk është në gjendje të japë drejtësi.
Në qendër të gjithë kësaj rrëmuje mbetet ajo që duhet me
qenë ajka e politikës dhe e ligjëbërjes ne Shqipëri: Parlamenti shqiptar me përbërjen
e tij.
Akuza ndaj Kryetarit të Kuvendit, akuza ndaj
Kryeministrit, akuza ndaj deputetëve sponsor të PS-ë, ndaj deputetëve të
Veriut, ndaj deputetëve të Jugut, ndaj ish -kryetarit të opozitës, ndaj
kryetarit të opozitës, ndaj deputetëve të opozitës. Akuza ndaj partisë
socialiste, akuza ndaj partisë demokratike, akuza ndaj LSI-së, ndaj partive të
vogla...
Nëse deri më tash ka mbetur vetëm Presidenti i Republikës
pa u akuzuar. Kjo për fatin e tij të mirë se askush në Shqipëri nuk pyet më për
institucionin e Presidentit!
Akuza, kundër akuza, nga të gjitha palët, kundër të gjithëve!
Hyrje daljet pa kriter të politikanë në ambjentet e
akuzës (prokurorisë), janë kthyer në një modë të re për politikën shqiptare. Në
një modë për të fituar kohë televizive gjatë procesit të shkatërrimit të
seriozitetit të organit të akuzës dhe të drejtësisë në përgjithësi.
Duke sjellë një përqasje me të akuzuarit e jashtëzakonshëm
të atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë, numri përbërësve të parlamentit shqiptar të akuzuar
a të përfolur si të akuzuar të mundshëm, ia kalon atyre të parve! Dikush nga
deputët ka mbi shpinë më shumë se dy akuza, duke bërë kështu që numri i të
akuzuarve në parlament të kalojë edhe numrin e vetë parlamentarëve!
Nuk marr përsipër të paragjykoj, gjykoj apo jap mend, por
nëse gjithë ky inflacion të akuzuarish dhe akuzash në Kuvend, apo të
arrestuarish në ditët në vijim, besoj ka arritë të bëjë vetëm një gjë: Rrëzimin
e Parlamentit shqiptar si organi ligjëbërës në Shqipëri.
Rrëzimi i parlamentit, praktikisht të rrëzuar, është zgjidhja më e drejtë dhe më demokratike
në çastin që po kalon politika dhe drejtësia në vend. Rrëzimi i parlamentit, është
zgjidhja më e arsyeshme e konfliktit të interesit që parlamenti ka me organin e
akuzës dhe në vijim me drejtësinë në Shqipëri.
Në një sistem demokratik modern: Të gjithë në shtëpi, ata
që i kanë bërë vendin në burg e më pas në shtëpi! -do të ishte zgjidhja më e
ndershme.
... Sapo më doli gjumi dhe u kujtova: Jemi në Shqipëri! Që
e përkthyer në shqipen e sotshme don me thanë: nuk kemi drejtësi, nuk kemi
politikë, nuk kemi burra shteti, nuk kemi demokraci...
Dhe prapë në darkë
kemi guximin të shkojmë të flejmë, e prapë marrim guximin të shohim ëndërra!
Edmond Kaceli