Lexues

domenica, giugno 28, 2020

Shkodra në fokusin e fotografëve të jetës së egër!



Përgatiti: Edmond Kaceli, Itali

Për herë të dytë gjatë këtij viti qyteti i Shkodrës rimbledh fotografët e natyrës së egër nga trojet shqiptare, si dhe nga vende të ndryshme të botës ku ata ndodhen.
Ka qënë fotografi Jetmir Troshani organizatori i  këtij mitingu madhështor me pjesëmarrrjen maksimale të të gjithë fotografëve shqiptarë të natyrës së egër nga trojet shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi) e kudo që ndodhen nëpër botë për arsye të emigrimit! Aktiviteti realizohet me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.

Nëpërmjet kësaj nisme -thotë Arian Mavriqi, kryetari i organizatës Wildlife Albanian Photographers (WAPH)  me qendër në Kosovë, duam të promovojmë Shkodrën dhe pasurinë e Liqenit të Shkodrës. Shkodra për ne është si një shtëpi e dytë! Liqeni dhe mikpritja shkodrane të ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për fotografimin e jetës së egër!

Ndërsa shkodrania Aurora Piroviq, anëtare e organizatës, thotë se ekspedita të tilla në Liqenin e Shkodrës promovojnë dhe janë vlera, jo vetëm për fotografët, por edhe për turizmin e kryeqendrës së Veriut të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë. Gjithashtu rritet edhe sensibiliteti i qytetarëve ndaj Zonave të Mbrojtura të Natyrës siç është edhe Liqeni i Shkodrës.

Takimi përshëndetës dhe aktiviteti i fotografimit të natyrës së egër në Liqen dhe në zonat përreth tij, do të jetë përgjatë gjithë ditës së 12 korrikut. Në takim janë të ftuar të marrin pjesë jo vetëm anëtarët e organizatës por edhe kush është i pasionuar pas Wildlife-it apo natyrës!

Liqeni iu pret me krahe hapun! (credit J.Troshani)
Karabullaku, nje nder shpendet simbol te Liqenit. (credit Ruzhdi Ibrahimi)
Herën e parë, në muaji shkurt të këtij viti, ka qenë nisma e fotografit shqiptar me banim në Zvicër, Ruzhdi Ibrahimi, që në një ekspeditë të sukesshme në Liqenin e Shkodrës mblodhi fotografët e organizatës Wildlife Albanian Photographers duke vënë në pah bukuritë e faunës së këtij liqeni të njohur në të gjithë Ballkanin e më gjërë!





Peshkatari (credit J. Troshani)
Liqeni Shkodrës: Pasqyra e tij ujore gjendet në një lartësi 6 metra mbi nivelin e detit, dhe ka një sipërfaqe prej 368 km², nga të cilat 149 km² me një gjatësi brigjesh prej 57 km i përkasin Republikës së Shqipërisë; ndërsa 2/3 Malit të Zi, ku me 1983 e shpalli Park Kombëtar liqenin. Ka një breg shumë të larmishëm të tipit të ultë të "marsheve" në veri dhe shkëmbor në jug. Në bregun jugor shquhen plazhet në rrugën nga Shkodra për në Shirokë e Zogaj, ku më i madhi është Zalli i bardhë. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshiqsh e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është padyshim pelikani, zogu më i madh në Europë . Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin jug-lindor shtrihet Shkodra, nga ku merr edhe emrin. (cit.Wikipedia)

domenica, giugno 21, 2020

Ura e Mesit, Shkodër në syrin e fotografit Jetmir Troshani



-Përgatiti Edmond Kaceli, Itali

Këto dy foto, janë realizuar nga mjeshtri shkodran i fotografisë me banim në SHBA, Jetmir Troshani.
Tërheq vëmendje si prezantimi në versionin bardhë e zi ashtu edhe realizmi me ngjyra.
Teknika e realizimit është ajo me ekspozim të gjatë, teknikë të cilën autori e zotëron në shkallën më të lartë të mundshme.


Lidhur me teknikën me ekspozim të gjatë mjeshtër Troshani thotë: Fotografia me ekspozim të gjatë, asht nji nën-zhanër i fotografise artistike që realizohet me anë të shkrepjes të hapun t’aparatit për të paktën ma shume se 1 sekond. Në kët mënyrë gjithçka që lëviz përgjatë kësaj kohe të shkrepjes, shndërrohet në nji mjegullshkrimje artistike, ndërsa objekteve të palëvizshme i kristalizohen detajet, tue ofrue nji experiencë pamore unike, nji ndjesi perceptive mes reales dhe surreales.
Kjo lloj fotografie realizohet si gjatë ditës ashtu dhe natës, dhe në të dyja rastet për mendimin tem, fotografitë kane efektin e vet magjepës.

Dhe magjepsja vërehet kjartësisht në këtë realizim artistik të fotografisë së Urës së Mesit, ku Jetmiri ka shpalosë jo vetëm bukurinë e njërit prej simboleve të shumta të Shkodrës por edhe magjinë e artit të tij fotografik!


Ura e Mesit, ndodhet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë . Me gjatësi 108 metër, gjërësi 3.40 metër dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri, Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.
Në bazë shikohet qartë se nuk është lineare. Por merr një anim prej 14° drejt anës së ulët rreth 5 m në të djathtë të harkut të madh. E detyruar nga shkëmbijt e shtratit të lumit. Mund të shohim prej teknikave të ndërtimit se Ura e Mesit ka dy faza ndërtimi. Faza e parë pau ndërtimin e harkut qëndror dhe 3 tjerëve pranë, dy në të majtë e një në të djathtë. Në fazën e dytë të ndërtimit, Kiri mbuloj urën dhe si pasojë u ndërtuan harqet e vogla si ndihmesë në secilin skaj. Sot ura ka 13 harqe. Më i madhi në qendër, ka një pasqyrë prej 21.5 m, i mbajtur nga brinjë dyfishe me gjërësi 1,08 m. Ura ka pësuar shumë dëme nga koha, moti dhe vërshimet e lumit, por në Maj 2010 u mundësua përfundimi i rinkonstriksionit të urës dhe përshtatja për këmbësorët. (cit. Wikipedia)