Lexues

venerdì, maggio 05, 2023

Orët mija dhe Orët e detit nga E. Kaceli


Unë dhe deti              Photo E. Kaceli


Kurdisa orën xhamkrisur.
Ndeza tranzistorin.
Dola. Larg daljes, zhurma e kripur e detit
shpirtin e vrarë vazhdon të kripë.
Këpucët lënë gjurmë në rërën e lagur
zvarriten grimca rëre rreth shojeve
grimca shpirti të keq marrë hua
nuk e di në ç'vend të Botës!
Këpuca i ngjan një gjirizi gjigand
për një qiell liliputësh
Këpucë shkretane
me lëkurën e një derri të vdekur derrërisht
në sallamerinë e modës

...Erë e kripur dhe dallgët e detit
kurdisin orën time mbetur kohe.
Nën peshën e shkumëve mbytet deti
dhe ora ime e krisur.
Përgjatë bregut të shpërlarë anijet e mbytura
nga braktisja...

Ernest Telman... Mbytur.
Kep'i Rodonit... Mbytur
28 Nëntori... Mbytur.

...
Data e mbytje nuk prish punë. E rëndësishmja
ka ndodhur: Mbytur.
Këto anije kurrë nuk kanë qenë anije.
Emeton tranzistori vargjet e një poeti.
Poeti pa vargje poetike. Që nuk do të jetë
ndonjëherë poet. Mbytur.
Fëmijë që nuk do të provojnë kurrë të qenit
fëmijë.
Burra të pa burrëruar ndonjë çast.
Vajza të lindura gra;
gra që nuk do të provojnë kurrë ç'është
gruaja. Mbytur.

Ora e mbytur u çua. Bëri tre katër hapa.
U shkurdis.
Copa të gazetës "Eros" u shpërndanë
si një marrëdhënie seksuale e prerë në mes
nga tërmeti, p.sh.
a fatkeqësi tjetër natyrore.
Gjimnazistja mendje flutur nuk ka ç'të lexojë
në orën e fizikës
Nesër. Deti shpërndan gjurmët e lëna instik-
tivisht nga njeriu -këpucë- boks -derri.
Në të çarat e shpirtit kripa mbjell ndryshk,
truri merr të krisura të reja
Mbylleni gojën!
Përndryshe do t'iu quajnë Njeri Normal.
Krejt normale jeta ime,
jetë krijuesi refugjat, sapo kaloj pragun e derës,
sapo lë pas të lehurën e Zagarit Rojtës
dhe marr prej tij shpirtin e Zagarit Shëtitës.

28 Nëntori... Mbytur më 28 Nëntor 1912
Ernest Telman... Mbytur qysh pa lindur.
Kep'i Rodonit... Mbytur në filogjenezë
Edmond Kaçeli... 9 mars 1966. Mbytur.
o Zot! -përse nuk ekziston një anije e mbytur
me një emër të tillë?! Për nder të mbytjes
time të sapolindur.

* * *

Fantazma ndalon në tregëtoren e ushqimeve
të konservuara
Paguan dy konserva peshku, një turshi, një
kokërr qepë
Instiktivisht del për dere të konservohet
                                              vullnetarisht
Duke realizuar, kësisoj, detyrën sublime
                                                        te krisjes
së xhamit të Orëve...

Shëngjin, Lezhë, 1991 - Itali 2023