nga Edmond Kaceli
Udhëheqësit e Ballkanit janë të shquar, të thekur
politikisht e të zgjuar mendërisht. Ata janë ajka e nacionit që përfaqësojnë.
Janë të denjë për të drejtuar, me aftësitë e tyre të rralla çdo shtet të madh a
të vogël në çdo qoshe tjetër të botës.
Mjafton të shikosh se çfarë zhvillimi kanë vendet e tyre
ku drejtojnë. Asnjë problem krize morale, politike dhe ekonomike. Vendet e
ballkanit janë më të zhvilluarat në Botë, Europë dhe janë gjithashtu më të
zhvilluarat edhe në Ballkan!
Popujt ballkanas janë më të lumturit në Botë, në Europë,
madje popujt e Ballkanit janë edhe më të lumturit në Ballkan!
Në Ballkanin e dikurshëm ku mbizotëronin lufta dhe
urrjejta ndëretnike sot mbizotëron paqja dashuria dhe solidariteti i zjarrtë në
mes nacioneve. Dhe kjo dashuri mishërohet sa e sa herë në forma të ndryshme
dhune e përplasje ndëretnike. Se dashuria e ballkanasve për njëri -tjetrin është
pak a shumë si dashuria e sadomazokistëve! (Që për të padishmit përkthehet, afërsisht,
dashuri e dhunshme)
E gjitha kjo vetëm në sajë të udhëheqësve (liderve)
largpamës, shpirtgjërë, të pashëm, (se të jesh lider në Ballkan duhet të jesh ose
i gjatë ose i pashëm ose të dyja bashkë), natyrisht gramacioni i truve nuk hyn
në punë!
Liderët e Ballkanit kanë vetëm një sëmundje të vogël kohët
e fundit: I ka zanë malli me zgjedhë një Kryelider. Se Ballkanit i duhet një
Kryelider! Një Kryelider e plotëson krejt bukur pamjen groteske të politikës dhe
politikanëve ballkanas që ulen nga pushteti vetëm po ti marrësh me shkelma bythëve
të dhjamura nga shëndeti!
Thuhet se në fshehtësi është organizuar një takim i gjithë
liderve të shteteve të Ballkanit. Natyrisht me dëshirën dhe dashurinë e zjarrtë,
të e popujve që përfaqësojnë. Në takim është folur, propozuar dhe votuar. Takimi
ka pasë një rezultat të pritshëm. Një rezultat tipik ballkanas:
Secili udhëheqës, i secilit vend të Ballkani, ka propozuar
për Kryeudhëheqës, (Kryelider): VETEN!
Pas votimit dhe numërimit të votave të gjithë kishin
votuar: VETEN!
Me unanimitet të plotë liderët e Ballkani shpallën
Kryelider te vendeve të gadishullit Ballkan: VETEN.
Shënim: Sa për ilustrim po i shtoj këtij njoftimi edhe një
foto të mbledhjes së liderëve. Zgjidhni e merrni!