Lexues

lunedì, agosto 22, 2022

Historia e emrit tim!

Emrin Edmond, një emër i rrallë për vitet 60, ma ka vendosë im atë Rrok Kaçeli.  Lexonte shumë letërsi. Sidomos, një ndër kryeveprat e Aleksandër Dyma-s "Konti i Montekristos"
Sot, gjatë një vizite në Marsejë, Francë ndërsa shikoja nga Larg ujdhezën If  me kështjellën e famshme ku Dyma,vendos në burg personazhin Edmond Dantes, emocionet ishin të jashtëzakonshme: Një anije me emrin e personazhit të famshëm! Një anije me emrin tim!
Kujtimet e fëmijërisë kur lexoja e rilexoja dhjetëra herë historinë e Kontit të Montekristos! Katër volume libri të zverdhura nga koha! Një histori dashurie, cmirëzie, burgimi, arratisjeje,  pasurie, hakmarrjeje, fisnikërie... Gjithçka njerëzore...
E shpesh ndihem Edmond Dantes, siç deshi im atë! Ndihem Kont, pa qenë i tillë! Ndihem Konti i Montekristos ndërsa udhëtoj në dashurinë e dy djemve të mij Rei e Erik, e bashkëshortes Suzana!
Marsejë 22 gusht 2022

lunedì, agosto 08, 2022

Lypësit e varrezave nga E. Kaceli

Photo E.Kaceli














Në qetësinë e përjetshme të varreve
mbijnë lypësit e vegjël, vrasin heshtjen,
me dorën dhe zërin shtrirë:

Më fal noj lekë... Zot-ri!
E ti gjithçka ndihesh!- Veç Zot jo!
Se të ishe Zot, në varreza nuk do të kishte të vdekur!
As lypësa me zà të zvarritun që lypin
bukën e përditshme të dhimbjes!

Në varreza ndoshta të vdekurit do të ishin prapë
po të ishe Zot! -lypësarët e vegjël nuk do të ishin aty!
E Zot nuk je! Kruan xhepat e fal!
Krejt si në Altarin e Kishës, atij fëmije Krisht me sy blu,
lëkurë të nxime prej diellit, që shndrit trishtueshëm mbi varre...

E ikën dyfish i trishtuem!
O Zot! Sikur të isha Zot!

Shqipëri, korrik 2022