Lexues

sabato, aprile 25, 2020

Unë dhe Wildlife Albanian Photographers!



Unë i besoj Natyrës -Pra i besoj Zotit, që bëri gjithçka të përsosun si Mjeshtri më i Madh dhe më i Paarritshëm!

Ndër pasionet e mija me kalimin e viteve, dy kanë mbetur të pandryshuara: poezia dhe fotografia! Kjo për arsyen e thjeshtë se të dyja janë, mbesin, të shkruara.
Letërsia, poezia, gazetaria, janë fjala. Dhe kanë kodin e tyre: Shkronjat.
Ndërsa fotografia është poezia, është letërsia e shkruar me Dritë.
Kjo i jep fotografisë një përparësi, një fushë tërheqëse të jashtëzakonshme! As nuk mundem me mendu se çfarë do të ishim pa dritën dhe kodin e sajë!
Pasioni për natyrën më ka shoqëruar gjithmonë! E veçanërisht ky pasion më ka marrë krejt për vete aty nga viti 2010 e këtej!
Aty zënë fill afrimet e mija të para me fotografinë e natyrës në përgjithësi, dhe të asaj të egër në veçanti. Në vijim të vitit 2010 zbulova fotografinë me zmadhim, nga afër ose në gjuhën e fotografëve: makro (mikro) fotografinë!
Kam përdorë në fillim një Sony alfa me objektiv normal. Një makinë fotografike shumë e mirë, por thellësisht e papërshtashme për fotografimin e natyrës dhe sidomos për makrofotografinë.
Pas rreth një viti ndërrova sony me Nikon!
Nikon 7000, për të mbetë një "nikonist" i bindur deri në fund! Thuajse në të njëjtën kohë, i shoqërova fotokamerës objektivin makro të markës Tokina, 105 mm, 2.8, manual. Një objektiv i përsosun por me një "defekt" të vockël, nuk kishte sistemin e stabilizimit VR!
Prapë iu drejtova Nikon! Nikkor 105 mm, 2.8 vr! Ndër objektivat që i ka rezistuar kohës! Për të mos thënë më i miri në fushën e makrofotografisë!
Ngjyrat, kjartësia, stabiliteti i tij të lejojnë me realizu makro në raportin 1.1 tepër të veçanta, dhe me dorë të lirë!
Kjo sa për fillimet e afrimit tim me natyrën dhe fotografimin e sajë në gjendje të egër!
...
Zakonisht grupet e rrjeteve sociale nuk më pëlqejnë dhe i kam shikuar gjithmonë me skepticizëm! Kjo për faktin e thjeshtë se këto grupe, shpesh kanë qëllimin e promovimit thjeshtë të punës së grupit që e krijoi në fillim. Ky është defekti i parë!
Me kalimin e kohës këto grupe shëndrrohen ngadalë -ngadalë në grupe thuajse pa aktivitet! Entuziazmi i tyre fillon të shuhet me kalimin e kohës! Diskutimet mbyllen me një "like" të thjeshtë ose "emotion" të gatshëm! Anëtarët e grupit nuk ndjekin, nuk publikojnë, nuk diskutojnë!
Ky është edhe hapi i dytë i defektit të këtyre grupeve në rrjetet sociale!
Defekti i tretë, në këndvështrimin tim, mbetet edhe publikimi sasior i fotografive apo postimeve, me qëllimin vetëm sa për me publiku diçka, çfarëdo qoftë! Kjo në grupet e fotografive është edhe defekti kryesor: Sasi dhe jo cilësi!

Prej këtyre arsyetimeve, aty nga fillimi i viti 2018, në mos gaboj, kur më bëri thirrje fotografi Jetmir Troshani, një njohje në rrjetet sociale, isha mjaft pesimist: Një grup fotografësh shqiptarë për natyrën e egër! Edhe kjo, thashë me vete, do të jetë një nismë e mirë por që ka me mbetë në gjysë të rrugës!
Për fatin tim  të mirë u gabova!
U gabova dhe është ndër gabimet për të cilin, ndjehem mirë!
Në këtë grup qysh në fillim gjeta mirëseardhjen tipike shqiptare!
Në këtë grup gjeta njerëz me talent dhe pasion të jashtëzakonshëm për jetën e egër dhe fotografimin e sajë!
Në këtë grup gjeta profesionistë të vërtetë të fotografisë, që me kalimin e kohës u shëndrruan në miq të vërtetë që kur shkojnë dy ditë pa publikuar diçka shqetësohesh dhe pyet: More si janë me shëndet?Ku janë? Kanë ndonjë problem?
Dhe kjo, ju siguroj nga përvoja ime në rrjetet sociale, kjo gjendje nuk është e zakonshme!
Është e jashtëzakonshme!
Është e jashtëzakonshme të njohësh njerëz të tillë si Arian Mavriqi, Granit Hyseni, Jetmir Troshani, Aurora Piroviq, Ruzhdi Ibrahimi, Lulzim Demaj, vëllezërit Jeton e Meriton Dajakaj, çifin Alketa e Altin Hila, e shumë e shumë të tjerë që për arsye vendi e kujtese momentale, nuk po i shkruaj e ju kërkoj ndjesë për këtë!
Emocione të pafundme duke ndjekë punën e jashtëzakonshme dhe rritjen profesionale të këtij grupi!
Nismat e ekspozitave, dokumentari mbi jetën e egër, mbrojtja e florës dhe e faunës brenda territoreve ku flitet shqip, kalendari, intervistat, ekspeditat e perbashkëta, sensiblizimi i opinionit mbarëshqiptar për jetën e egër, artikujt e shumtë në media... Të gjitha këto i kalojnë përmasat e një grupimi të thjeshtë në rrjetet sociale.
E me këtë grup miqsh të jashtëzakonshëm besoj jam rritë, e vijoj, edhe unë. Jam rritë si profesionalisht, emocionalisht, edhe në pasionin tim për natyrën!
Ballafaqimi me fotografitë e jashtëzakonshme të doktor Granitit, të Arianit, të Jetmirit, Ruzhdiut, e të gjithë të tjerëve më ka nxitë ti përkushtohem më fort këtij zhanri, jo për konkurencë në sensin negativ, ajo nuk ekzsiton në anëtarësinë e këtij grupi, por me ju afru sadopak cilësisë së jashtëzakonshme dhe pasionit të tyre!
Në fund deshta të shtoj diçka edhe për të parin dokumentar të jetës së egër të përgatitur nga shqiptarët e për faunën e trojeve shqiptare. Dokumentar që bëri histori në këtë fushë!
Duke shikuar këtë dokumentar dhe punën e jashtëzakonshme krejt me mjete e financime personale, krijova bindjen se trojet shqiptare nuk janë trojet e politikanëve dallkaukë, që luajnë e tallen me fatet e një kombi të quajtur: komb shqiptar!
Trojet ku jetojnë shqiptarët janë mbi të gjitha trojet e një pasurie të rrallë njerëzore si doktor Granit Hyseni, Arian Mavriqi, Meriton Dajakaj e Jeton Dajakaj,  Besnik Jakupi, Ruzhdi Brahimi, Taulant Bino, Alketa Hila e Altin Hila, Jetmir Troshani, Aurora Piroviq, Lulzim Demaj, Ardian Koci, Fatos Lajçi, Aleksander Golemaj, Lutfi Muharremi, dhe shumë të tjerëve.
Faleminderit për këtë dokumentar të mrekullueshëm!
Faleminderit për këtë grup të mrekullueshëm që na rrit dashninë e pasionin për  Natyrën në përgjithësi, për natyrën e trojeve shqiptare në mënyrë të veçantë!
Jam krenar dhe ndjehem i nderuar të jem pjesë i këtij grupimi të jashtëzakonshëm! Vetëm Mirënjohje për ju!

Edmond Kaçeli ITALI

venerdì, aprile 03, 2020

Triskat -Fragment nga Lufta e III botërore


Foto dal web


















Triska për erën e luleve
                    dhe të grave
                    dhe të fëmijëve
për bukën
për mishin
për zarzavatet.

Sistemin e triskëzimit një në tre ditë.

Triska për gjirin e familjes
                             dhe të gruas
                             dhe të fëmijës
për mikun
për shlodhjen
për dashurinë.

Sistemin e triskëzimit një në tre ditë.

Triska për këngën e zogjve
                              dhe të grave
                              dhe të fëmijëve
për qeshjet
për puthjet
për lindjet.

Sistemin e triskëzimit një në tre ditë.

Mos fol! Mos qesh! Mos këndo!
Mos ha! Mos qaj! Mos mendo!
Mos duaj! Mos lind! Mos jeto!
Mos lufto!
Për të fituar triskën ditore
mos! Mos! Mos!

Për vdekjen!
Për vdekjen!
Për vdekjen!

Nuk ka nevojë për triskë.

Post scriptum: Çdo herë që i rikthehem kësaj poezie, me shpresën për të ndryshuar diçka, më kap një ndjenjë e paktueshme, për një kohë, që çuditshëm më duket se e jetova dje! Poezia është shkruar ndërmjet viteve 1988 -89. Botuar pas 10 vitesh në variantin përfundimtar në librin tim të dytë me poezi "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë", botim i entit botues "Gjergj Fishta" Lezhë. Edhe sot shpresova të ndryshoj diçka por krejt e pamundur!
Edmond Kaceli,  fillim prilli, Itali 2020