Lexues

giovedì, dicembre 22, 2022

Nordisht... sonet dashniet nga E. Kaceli


Giuseppe Aiello (MCA Camo)
Foto E. Kaceli
Ti je çmendia jeme
dashnia jeme e marrë
krejt e pamujtun...
deri n'asht e vujtun!

Ky Globi ynë
asht krejt vocrrak
për dashninë tonë
çmendinë tonë pa cak!

Ndoshta n'i tjetër jetë, n'i tjetër Glob!
Kena me mujtë me u dashtë
me u dashtë ma fort!

Dashtë Zoti tjetër Glob kena me gjetë
N'sa të lodhun dashniet, bashkë,
t'përqafuem, kena me vdekë!

 Itali, dhjetor 2022

venerdì, dicembre 16, 2022

Akull...


 

domenica, dicembre 04, 2022

Nuk jena patriotë, as nacionalistë, as atdhetarë! nga E. Kaceli Itali

Photo Ilir Shahini, It
 -Për të gjithë tradhëtarët si unë!
-Për të gjithë ata që shajnë tradhëtarët si unë!

Ju që rrini në bythë të oxhakut, shumicën e kohës pa dru zjarri, e pa tru në krye, ju i keni të gjitha! Keni patriotizmin, keni atdhedashurinë, jeni naconalistë!
Të gjitha këto i zhvilloni ndërsa shprushni në hì e shkruani "dokrra hìnit" kundër atyre shqiptarëve që patën guximin e pashoq me e lanë atë vend. Në atë vend ku mentaliteti turkoshak i 500 vjetëve, i përziem me edukimin marksist -leninist, filozofinë marksiste e dhunën proletare të diktatorit Enver Hoxha, vijon me e mbajtë peng deri në krim, në moszhvillim deri në tragjedi!

Nuk mundem me iu thanë atdhetarë, se kisha me i fye randë, të gjithë shqiptarët e famshëm në botë si Rita Ora, Dua Lipa, Xherdan Shaqiri, vëllezrit Xhaka, Kledi Kadiun, Prelocajn e famshëm, e mijëra djem, vajza, burra, gra, që u detyruan të largohen nga një vend ku dhuna fizike, psikologjike, morale, e materiale të detyrojnë me marrë rrugët e botës!
E kur këto vajza e gra, këta djem e burra, kanë sukses në botën e lirë në mjeksi, sport, shkencë, kulturë, art, a thjeshtë si qytetarë të lirë të botës së lirë, anatemohen e emërtohen duke i treguar me gisht: Tradhëtarë!

Nuk jam atdhetar as unë, jo! Nuk jam atdhetar si ju në bythë të hinit! Më qëlloni edhe mua si tradhëtar se lashë punën si gazetar e ndërtoj shtëpi në Itali!
Ç'dreq atdhetarit jam unë që dy djemve iu kam mësuar shqip krahas italishtes! Iu kam dhënë shkollë e po bëhen dikush në Itali! (Jo vetëm, unë por mijëra të tjerë si unë, e më të mirë se unë!)
Në Shqipëri rrinë atdhetarët e vërtetë! Patriotët e hìnit, shqiptarët e vërtetë, djemtë i mësojnë të merren me drogë, me vrasje, me e pa kanun në dorë, me rrahje grash e mosrespektim të tjetrit e të jetës së tjetrit!

Shqiptari i vërtetë, ai i sotshmi që ju predikoni si atdhetar, si patriot, si nacionalist është:
Vrasës, drogaxhi, hajdut, kriminel, vrasës, dhunues femrash, apo politikan dallkauk e i korruptuar deri në palcë i tipit të Taulant Ballës, Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës... Se nuk po flasim për akademikët e shquar atdhetar si tipi i Skënder Gjinushit& CO.

Na nuk jena as atdhetarë, as patriota, as nacionalista! -sipas të gjitha statistikave të viteve të fundit, më shumë jemi jashtë atdheut se sa keni mbetë brenda tij!
Natyrisht, ne që kemi ikë, jemi shumica tradhëtarë, ndërsa ju që keni mbetë, pakica që shan ne, (me moshën mesatare që po iu rritet dita -ditës), jeni atdhetarët e vërtetë që mbani gjallë kastën e plehrave të politikës që ju sundon, ju shtyp ju, e ne na detyron të ikim përditë!

Unë nuk jam atdhetar! Se nisem prej Italisë, për dy fotografi në Divjakë, Lezhë, Shkodër, Krujë, etj. për me i tregua botës ku jetoj se Shqipëria është ndryshe!
Shqipëria mund të jetë ndryshe, por shqiptarët që shajnë shqiptarët e tjerë, kam dyshimet e mija fort të mëdha, se kanë me arritë me u ba njerëz ndonjëherë!
Ju që na shani, nuk jeni tjetër veçse do cmirëzinj, që suksesi i shqiptarëve në botë iu tregon sa mbrapa keni mbetë për shkak të injorancës tuaj të thellë, për shkak të psikologjisë turkoshake, bajraktareske, enveriste, marksiste, komuniste, me të cilën iu kanë ushqyer qysh me vdekjen e Skënderbeut, nga brezi në brez!
Ju kujtoni se jeni kuq e zi, por në fakt iu ka mbetë vetëm e zeza në shpirt e në mendje!
E më vjen thellësisht keq!

sabato, ottobre 08, 2022

Shpirti i natës... sonet nga E. Kaceli


 

Në natën errët, të zezë sterrë
Një jaht me velë të bardhë
noton në liqenin e terrtë, natë
len pas një dritë të gjatë...

Në natën errët, të zezë, sterrë
një jaht - shpirt njeriut, velë
një shpirt i bardhë noton në terr
e dritë n'horizont hiç s'po duket...

Noton një barkë, me një velë të bardhë
në varkë, një frymë njeriu hap sytë
në mundimin bosh, të rrejshëm për dritë...

Liqeni sterrë i zi, i terrtë, natë
nata sterrë e zezë, e zezë, e gjatë
Drita, drita, drita përherë e ma larg!

Gusht 2022, liqeni Garda, Itali

domenica, settembre 04, 2022

Jorida Satka bukuroshja e poezisë horror! Nga Edmond Kaceli



-Krejt e qetë Jori më thotë: Mond, as unë nuk e di pse shkruaj kështu!
Ato që shkruaj mund të jenë poezi, ndonjëra mund të mbetet poezi, ndoshta shkruaj poezi! Me të vërtetë nuk di pse shkruaj kështu!

Lindur në Tiranë. Jeton në Malmö Suedi, një ndër qytetet më të njohura për një jetë kulturore shumë të gjallëruar dhe për arkitekturën e jashtëzakonshme që të sjell në kufijtë e imagjinatës.
E kur flasim për imagjinatë krijuese Jori i kalon kufinjtë në këtë aspekt!
Poezia e sajë ka ëndërrra, llum njerëzor që kërkojnë të të hanë të gjallë, materie gri, shumë materie gri, jetë, dhimbje, dashuri, gjak... Horror!
E të gjitha bashkë quhen vetëm POEZI!
Dikush gjen në vargjet e Jori Egdar Alan Poe, krijuesin e prozës dhe poezisë horror. Dikujt i kujtohet Pushkin, Lermontov... Por unë nuk gjej asnjë nga këta! Gjej vetëm Jorin, një poete të rrallë nga Shqipëria, që shkruan dhe jeton poezinë e artin e të shkruarit në mënyrën më origjinale, në mënyrën më të thjeshtë, në mënyrën më të bukur, në mënyrën më horror!
Jorida Satka, po të kisha mundësi të hyja në brendësi të kafkës tënde, kur ruhet me njëzet mijë çelësa materia jote gri dhe shpirti poetik i një arti fin, ndoshta do të zbuloja arsyen e vërtetë të vargjeve tuaja brilante!
Në pamundësi të teknologjisë aktuale po iu prezantoj disa nga grimcat e turit dhe shpirtit të trazuar të bukuroshes së poezisë horror!



Qëndron mbi tavolinë një tas i madh...
i thellë, i mbushur me lëtyrë
heshtja e vdekjes paska tretur lugët...
Fshijnë këmbët e palara në pragun e derës
afrohen rreth tasit për t'u ngushëlluar
për të ngushëlluar veten,
duke qerasur me lugët e tyre atë që kanë pranë...

Mbaron rituali.
Tasi i vdekur qëndron plot mbi tavolinë... 
Qokat vazhdojnë
të gjithë largohen, të etur
me stomakun bosh

Ju... që merrni copa dhimbjeje
dhe i qëndisni kaq bukur...
Ju... që luani me dritën dhe e ktheni në terr.
Do arnojmë shpirtin, me copa të njëri-tjetrit,
apo me dhimbjen përqafuar edhe këtë natë?
Aty ku mbyllen rrugët, me dhëmbë të mprehtë
kthen në dritë, për mish të freskët 
kthehu në shtratin e bardhë e prit... 
të kryqëzohesh në mesnatë,
me gjakun tim që thith mes buzëve...
Religjion me Zot të rremë
prapë, prapë dhimbjen ta fal...

Sot desha të perqafoja ëndrrën...
se u lodh duke kërkuar në errësirë...
Qëndroja me bërrylat ngjeshur mbi tavolinë
S'di ç'pres,
ndoshta ajo të vijë!
S'ka ku shkon e fëlliqura kohë,
avash-avash vazhdon lëviz nëpër dhomë,
shkërmoqen vetvetiu disa dhëmbë
kërcasin mbi tavolinë. Tek bërryli i lagur, loti,
s'mban dot ekulibrin.
Dhe unë qesh,
qesh duke mbeshtjellë fytyrën me duar,
mos më shohë njeri.
As ëndrrën mos ta tremb,
jo nuk kam frikë...
Tek më ikën, padashur dora e shkëputet një nishan i zi,
por pa dhimbje, 
mes shpatullës e qafës rreshqet,
oh është një shenjë e mirë...
Hija e një engjëlli me vjen vërdallë,
ndërsa filloj të mbledh dhëmbët në një gotë....
Merri te guri i varrit, me to më shkruaj epitaf, 
ma puth edhe ëndrrën, se gjysmë e lashë.

Unë bëj dashuri me Ty...
në qiej, dhe ndjej bulëzat e agut
nëper pore e deri në asht.
E shijojnë...
njerëzit që ndalojnë
e shikojnë duke shkuar me trëndafila në duar 
për në varreza.
Mendojnë fatkeqësinë e tyre 
në lumturinë Tonë..
Dhe ti,fluturon në eksitimin e trurit tënd,
ku fluturat poshtë barkut turren epshëm
dhe gjinjve ju fryn duke thënë emrin tim.
Nuk janë më dy,është veç një!
Unë në ty e ti, brenda meje.
Sa keq që ti vjen rrallë!
Unë jetoj në Jupiter e ti në tokë. 
Pse ka kaq shumë meridianë 
që na ndajnë..?
Ekstazë ta mendosh.....
largësia e afërisë Tonë.

Më kishte zënë gjumi duke...
u ushqyer nga qumështi yt i verdhë.
Hëna ime e plotë!
Ngrihem pa e ditur pse isha aty.
Më dukej se të gjithë të vdekurit 
po më shikonin mua. 
Ti s'ke vdekur 
po unë ç'dua në varreza??
Ngrihem zbathur majëgishtash,
të mbushur me dhé, 
futem në shtëpizën aty pranë.
Pa zhurmë!
Fustani i bërë me baltë 
në xhepat katrorë të tij,
një shkrepse e lagur
dhe dy cigare...
E mbaja mend që ishte 
një për ty e një për mua.
Po përse vallë?
Duhet të bëj pak dritë,
ndoshta ndizet kjo fije.
Oh qirinj e piktura plotë!
Ku jam?
Sytë në piktura më ndiqnin në çdo hap.
Ajri mu bë i zi,
në mjegull një klithëm... 
Dëgjoj e mpreht si akull 
qe dhimbje në gjoks.
Errësira më kap gishtrinjtë.
Me duart në kokë ndez cigaren ...
Nuk doja te vrisja,jooo!
A dhemb?
Tek cigarja digjej hija jote ledhaton.
Ndiz edhe timen!-thua.
Engjëjt na përgjojnë.
Afrohem mes tyre, ata jetojnë.
Pinin dhe ato qumësht njësoj.
Joooo, mos pini,se hëna s'ndriçon! 
Do vrisni dhe ju!E kush më degjon.
Vallë ku jam?
Hëna s'është më e plotë. 
Diçka thyhet ...
Hap sytë vështroj, ti shtrirë në të bardhë, buzëqesh
Të ledhatoj, të përkëdhel flokët,
të puth lehtë që 
ëndrrën mos t'a zgjoj...

Më jep një cigare zotëri...
Të lutem më jep një cigare!
Kam nevojë për një cigare zotëri...
Kam lekë plot me vete zotëri.
Por dua një cigare nga të tuat.
Zotëri, ju lutem, mundeni?
Ju ngjani shumë me të,
dhe pini po të njëjtën cigare.
Kërkon dhimbja e të majtës, 
t'i dërgoj një përqafim malli me gërma tymi..
Thatësira e shpirtit fliste...
tek kërkon mendimin,
e një jete të thënë sikur,
e një pritjeje të thënë sikur.
Rrudhet zhurmshëm, ulërima e padëgjueshme...
dhe pickon...
Piranja të ngjitura në lëkurë...
Sikur ti ta dije, sikur ti të ishe, 
të shikoje, të ndieje atë që ndiej unë.
Një jetë e gjatë, vajtje-ardhje të shkurtra. 
Sikur...

Helmi
E përqafova tek m'u lut...
Dhe kërkoi të pinte...
I dhashë nga helmi që kisha pirë vetë,
dhe përsëri u shtri...


 

lunedì, agosto 22, 2022

Historia e emrit tim!

Emrin Edmond, një emër i rrallë për vitet 60, ma ka vendosë im atë Rrok Kaçeli.  Lexonte shumë letërsi. Sidomos, një ndër kryeveprat e Aleksandër Dyma-s "Konti i Montekristos"
Sot, gjatë një vizite në Marsejë, Francë ndërsa shikoja nga Larg ujdhezën If  me kështjellën e famshme ku Dyma,vendos në burg personazhin Edmond Dantes, emocionet ishin të jashtëzakonshme: Një anije me emrin e personazhit të famshëm! Një anije me emrin tim!
Kujtimet e fëmijërisë kur lexoja e rilexoja dhjetëra herë historinë e Kontit të Montekristos! Katër volume libri të zverdhura nga koha! Një histori dashurie, cmirëzie, burgimi, arratisjeje,  pasurie, hakmarrjeje, fisnikërie... Gjithçka njerëzore...
E shpesh ndihem Edmond Dantes, siç deshi im atë! Ndihem Kont, pa qenë i tillë! Ndihem Konti i Montekristos ndërsa udhëtoj në dashurinë e dy djemve të mij Rei e Erik, e bashkëshortes Suzana!
Marsejë 22 gusht 2022

lunedì, agosto 08, 2022

Lypësit e varrezave nga E. Kaceli

Photo E.Kaceli














Në qetësinë e përjetshme të varreve
mbijnë lypësit e vegjël, vrasin heshtjen,
me dorën dhe zërin shtrirë:

Më fal noj lekë... Zot-ri!
E ti gjithçka ndihesh!- Veç Zot jo!
Se të ishe Zot, në varreza nuk do të kishte të vdekur!
As lypësa me zà të zvarritun që lypin
bukën e përditshme të dhimbjes!

Në varreza ndoshta të vdekurit do të ishin prapë
po të ishe Zot! -lypësarët e vegjël nuk do të ishin aty!
E Zot nuk je! Kruan xhepat e fal!
Krejt si në Altarin e Kishës, atij fëmije Krisht me sy blu,
lëkurë të nxime prej diellit, që shndrit trishtueshëm mbi varre...

E ikën dyfish i trishtuem!
O Zot! Sikur të isha Zot!

Shqipëri, korrik 2022

martedì, luglio 19, 2022

Wildlife: GPS Lejlekëve të zinj të Kamenicës, Kosovë! nga E. Kaceli

 -Shënohet kështu i pari rast në Ballkan i vendosjes së sistemit modern GPS në trupin e Lejlekëve të Zinj


Të ndalosh kohën! -Një mision i pamundur. Por jo e pamundur të jesh kundër rrjedhës! Të jesh kundër rrjedhës! Të bësh atë që njerëzit e quajnë çmenduri ose thënë ndryshe pasion i çmendur për natyrën e vendit tënd!

Emocionuese, unike! -Kështu e kanë quajtur, njëzëri, suksesin e tyre të radhës, aktivistët dhe mbështetësit e organizatës Wildlife Albanian Photographers procesin e vendosjes së sistemit GPS në trupin e Lejlekëve të Zinj që folenizojnë prej disa vitesh në Kosovë!

Vetëm pasioni i çmendur mundet me motivu një grup njerëzish idealistë, shqiptarë të Kosovës, të merren me një shpend në rrezik zhdukjeje, dhe mjaft i rrallë jo vetëm në viset shqipfolëse por edhe më gjërë!(Për fatin tonë të mirë idealistë shqiptarë gjinden ende!)

Bëhet fjalë për Lejlekun e Zi (Ciconia Nigra) shpend mjaft i veçantë, e i rrallë jo vetëm në trojet shqipfolëse por edhe në Europë! Një çift i Lejlekëve të zinj, prej disa kohësh folenizon dhe shtohet në komunën e Kamenicës, Kosovë!

Nisma më e fundit e shoqatës së fotografëve shqiptarë të natyrës së egër ka qenë montimi i sistemit GPS në trupin e lejlekëve të zinj që bujtin në zonën e Kamenicës, si dhe matjet përkatëse morfologjike dhe unazimi, që tregon datën dhe vendin e vendosjes së unazës.

Operacioni, për kushtet natyrore të terrenit dhe mangësitë logjistike, ka rezultuar mjaft i vështirë, por ka përfundur me sukses!

Ky sukses, sipas Institucionit shkencor prestigjoz gjerman Maks Planck, vendosja e sistemit GPS në rastin konkret, shënohet, si rasti i parë në krejt Ballkanin!

Furnizimi i GPS dhe unazave të përshtashme të vendosura në trupin e lejlekëve të zinj është mundësuar nga Instituti gjerman Maks Planc dhe nga Universiteti i Kozencës në Itali.

Sipas fotografit dhe dokumentaristit të jetës së egër Arian Mavriqi, ekpi  realizues përbëhej nga ekspertët të fushës shkencore prof. Qenan Maxhuni, e dr. Ferat Makolli. Fotografi i natyrës dhe biznesmeni Sefer Susuri, i kudogjendur, edhe financiarisht, në aktivitetet e shoqatës. Të ndihmuar dhe të asisituar, për të shmangur incidentet, nga ekspertët e shoqatës së Kosovës për Shpëtim Milaim Kelmendi, Mentor Maloku dhe Blerton Nuha. Një ndihmë të pakursyer në përmbushjen e këtij misioni dha kompania e mirënjohur  Lg Construction Group shpk, me Kujtim Gashin, Leonard Bytyqin, Fatlind Aliaj, e Blend Demiraj.

Vendosja e sistemit Gps, një përvojë e njohur në gjithë botën shkencore, shërben për studimin e migracionit të shpendëve, sjelljeve të tyre gjatë migracionit, rrugën që ata ndjekin gjatë procesit, stacionet ku ndalojne, etj duke i ndihmuar shkencëtarët e fushës të arrijnë në konkluzione sa më të sakta shkencore!

Edmond Kaceli



domenica, luglio 03, 2022

Wildlife: Fotografohet në Kosovë simboli i natyrës shqiptare

 

Dhia e egër  Foto Arian Mavriqi

Fotografohet, me super cilësi, në ambjentin e sajë natyral, në një zonë të Kosovës, simboli i bjeshkëve shqiptare, dhia e egër (Rupicapra rupicapra).

Dhia e egër ballkanike është një specie e rrallë, e konsideruar në rrezik zhdukjet nga gjuetia e paligjshme! Ajo është shpallur e mbrojtur edhe nga Konventat Europiane të Natyrës së Egër! Pavarësisht se gjithmonë bie pre e papërgjegjshmërisë së gjuetarëve dhe gjuetisë së paligjshme!

Fotografia është realizuar nga fotografi i mirënjohur Arian Mavriqi, i specializuar, veçanërisht, në fotografimin, filimimin dhe dokumentimin e jetë së egër në trojet shqiptare e më gjërë!
Për hir të së vërtetës, dokumentimi i dhisë së egër, është realizuar edhe herë të tjera por në cilësi që len për të dëshiruar dhe nga mjete jo profesionale, ose në distanca tepër të largëta!

Vështirësia e fotografimit është jashtëzakonisht e madhe për arsye të habitatit ku jeton. Habitat i karakterizuar nga terreni i thepisur, e lartësia e konsiderueshme e Alpeve, mbi nivelin e detit.

Me shaka Mavriqi thotë se "Preferoj më shumë me fotografu Djallin se dhinë egër në gjendje të lirë në habitatin e sajë natyral!"
 
E. Kaceli

domenica, giugno 26, 2022

I dehuri i çuditshëm! nga E. Kaceli

Rruga... Foto E. Kaceli


 Mbushi gotën plot me ajër

 E piu me fund

(I pat munguar prej kohësh)

 

Marrakëmbësh

u nis për udhë...

 

Qershor 1991 (Nga libri "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë")

domenica, giugno 05, 2022

Një president... shuumë presidenta! Satirë nga Edmond Kaceli

marre nga web

Habemus presidentum
! Vox Rama, Vox Deum!
Pas disa ditësh, diskutimesh intensive, mosmarrëveshjesh dhe marrëveshjesh me Edi Ramën më në fund, Edi Rama ra dakord me Edi Ramën për kandidaturën e Presidentit të Shqipërisë!
Dakordësia e Edi Ramës me Edi Ramën, u bë me miratimin e doktorit të shkencave të ekonomisë politike, Fortlumturisë së Tij, Taulant Balla, pa të cilin partia socialiste dhe pushteti i rilindjes nuk do të kishte asnjë kuptim!

Bajram Begaj, sipas pellazgologëve, është me origjinë të hershme shqiptare!
Të parët e tij ranë në metropolin e Rrogozhinës nga Malësia e Gjakovës! Emri dhe mbiemri i është lënë trashëgim nga Bajram Beg Curri, figurë e njohur në historinë e Shqipërisë!
Gjuhëtarët ekspertë të  pellazgjisë, zbuluan se mbiemri Begaj rrjedh nga titulli Bej, që në pellazgjisht mund të lexohet edhe Beg! Ndërsa në shqipen moderne merr mbrapashtesën aj -Begaj!

Kështu me zëvendësimin e Ilir Metës, i stërlakuar për korrupsion nga vetë ata që e bënë president, kemi gjeneral major, doktor dhe profesor i asociuar, Bajram Beg(aj)! Shkurtimisht ikëm nga Ilir Meta, edhe ai me origjinë pellazge, te Bajram Beg Gaveta! (Gaveta është simboli etrusk i ushtrisë dhe ushtarit)
Në botë shtohet numri i udhëheqësve shqiptarë, ose me origjinë të theksuar shqiptaro -pellazge!
Krahas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryeministrit australian Anthony Albanese, ky është drejtuesi tjetër i lartë me origjinë shqiptaro -pellazge me rrënjë në Malin e Tomorrit!
Natyrisht, siç e bëmë me dije në fillim, për zgjedhjen e tij ka kontribut të jashtëzakonshëm një tjetër politikan me origjinë shqiptare, Lideri Gjithëbotnor Edi Rama!

E rëndësishme është që në ditën e zgjedhjes shqiptarët vunë në dukje  se Bajram Begaj mban titullin Burrë i Mirë!
Ky titull onorifik, jepet nga pipëlli për figurat e shquara politike, meshkuj, e me origjinë të pastër shqiptare! (Për femrat politikane konvertohet në titullin: Grua e Mirë!)
I vetmi nga presidentët shqiptarë që e ka marrë titullin Burrë i Mirë pas Vdekjes, mbetet rahmetliu Bujar Nishani, ish ushtarak edhe ky!
Të gjithë të tjerët që nga Ahmet Zogu, Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu, e Bamir Topi e kanë marrë titullin e lartë Burrë i Mirë në të gjallë të tyre!
Përjashtohet Ilir Meta që është titulluar: Burrë i Zoti! Dhe natyrisht Sali Berisha që shpreson ta marrë këtë titull (larg qoftë!) pas vdekjes!
O sa lezet me qenë shqiptar, Ooooo heeeeejjjj!

mercoledì, marzo 23, 2022

Rruga e hidhur e Partisë Demokratike

 -Përpjekje për analizë nga Edmond Kaceli

Qysh me humbjen në zgjedhjet e qershorit 2013, dhe dorëheqjen e Berishës, Partinë Demokratike e kanë shoqëruar vetëm humbjet e njëpasnjëshme të betejave politike me kundërshtarin numër një të sajë Partinë Socialiste, dhe liderin aktual të së majtës Edi Ramën!

Paaftësia e e Lulëzim Bashës, emëruar direkt nga Sali Berisha, e çoi me sukses të madh, PD-në nga humbja në humbje!

E hidhur, por e vërtetë, është të pranosh se sa herë forcohej Lulëzim Basha, në pozitat e veta drejtuese brenda PD-së, dhe sa herë dobësohej roli i Sali Berishës brenda kësaj Partie, PD shënonte humbjen e radhës, humbje edhe më e madhe se humbja pararendëse!

Basha, ky humbës i jashtëzakonshëm, bashkë me shpurën e servilëve dhe beniaminëve të mbledhur përreth tij, të zgjedhur vetëm nga vendimet personale, ishte dhe mbetet ideatori dhe udhëheqësi i kësaj force politike, nga humbja në humbje!

Nuk po përmendi listën e të larguarve nga Lulzim Basha, brenda radhëve dhe figurave të PD-së, pasi ajo listë ua kalon disa herë edhe të larguarve nga vetë Saliu, kur ishte në krye të PD-së!

Gabimi përfundimtar ishte, në përpjekjen për të realizuar fitoren, largimi i Berishës! Llogaritë, Basha nuk u shqua asnjëherë për matematikë dhe logjikë në fushën e llogarive të të thjeshta, apo politike, i dolën më të gabuara se asnjëherë!

Me përpjekjen për tu larguar nga Berisha, për tu dukur ndryshe nga Berisha, duke emëruar në postet partiake "besnikët" e vet, e duke promovuar kandidatë lokalë, kandidatë për deputetë e deputetë, figura pa asnjë kontribut në PD, ai bëri gabimin e shkëputjes jo veç nga baza e votuesve të thjeshtë, e të mesëm, por edhe nga votuesit e mëdhenj të kësaj partie. Këta të fundit nuk duhet harruar se gjithmonë kanë  sadopak ndikim ndër votuesit e vegjël (realë)  të bazës!

Ardhja në PD e figurave që nuk i voton as gruaja apo burri i vet, mbetet një ndër arsyet themelore që kjo forcë politike koleksionoi humbje seriale! Shumë prej këtyre ardhjeve u frynë qëllimisht si ajka e intelektualëve shqipfolës, që në përballjen e parë e të fundit me elektoratin dolën ca "kunguj" që notojnë mbi ujë dhe fundi iu dihet që në fillim!

Nga ana tjetër shpallja "non grata" e Berishës nga Partia e Lulëzim Bashës, dhe e grupit të të panjohurve që afroi pranë vetes, e largoi përfundimisht udhëheqjen e qendrës së partisë nga elektorati i kësaj partie.

Mes alternativës: Basha, apo Rama (Bashën e quajtën shpesh vegël të Ramës) elektorati zgjodhi të mos votojë për asnjërin, ose në rastin e minizgjedhjeve të fundit preferoi më shumë Berishën se sa Bashën!

Me dorëheqjen e Bashës, grupi i të zgjedhurve nga Basha mbeti i vetmuar përballë Berishës dhe përkrahësve të tij që janë shumicë në PD, pavarësisht se na pëlqen apo jo!

Ky grup, jashtëzakonisht në minorancë, që me Bashën dolën forcë e tretë, e shumë larg Berishës, tani që iku Basha, iu kanë mbetur në dorë vetëm "çelësat e kashtës" ku ushqehen si politikanë të SHQUPI-it!

Ana qesharake e tyre është se kërkojnë të shesin sa më shtrenjtë veten, me shpresën e largimit vullnetar të Berishës, në emër të bashkimit!

Rikthimi i hidhur i PD-së tek Berisha, pas nëntë vjetësh, aktualisht mbetet si e vetmja rrugë e logjikës së ftohtë, për të kthyer këtë forcë politike në garën elektorale të balancimit të politikës në Shqipëri, që për hir të së vërtetës është dominuar këto vite, vetëm nga leshi i mjekrës, dhe luku i veshjes së Edi Ramës!

mercoledì, febbraio 16, 2022

Pumpkin -Kungulli -poezi satirike nga E. Kaceli

 


 














Çdo qajse, përqasje, ngjasje a përngjasje, me kungull real, është gati krejt e rastësishme dhe gati krejt e paqëllimshme!
 
E morën Kungullin e vunë në komandë
veç mori Kungulli një hije të randë!
E morën Kungullin e banë Mbret
e fjalë të urta prej gojet po qet!
 
Hijë të randë, kostum, kollarë
prej mendve të shumta pak kryet varë
varë kryet e randë e fjalët po i l'mon
mjeshtër i madh, majë karriges k'non
 
Këndon me zjerm, me pathos flet
asht ma i meçmi i nahisë së vet!
Prej nadjes der' n'darkë veç perla urtijet
asht fort i meçëm, Kungull Malsijet!
 
Kungull Malsijet, fort kryet e madh
me ba me dashtë ta zgjidh noj hall
i frymë në ftyrë e kryet sa i'kosh
përjashta i bukur, e mrenë krejt bosh!

Itali, shkurt 2022

sabato, gennaio 29, 2022

Kur maskat të bien... poezi nga E. Kaceli

 

 











Kur distancat të bien
të rrëzohen, krejt si Muri i Berlinit
me zhurmë kur ra,
pa zhurmë kur u ngrit
prej fantazive t'liga t'sundimtarëve t'botës
ku mbetëm t'prangosun,
                     t'mbyllun
                     t'izoluem
pa mujtë me ba nji hap afrimi
Kena me kuptu sa mirë ishim të distancuem!

Kur maskat të rrëzohen
prej fytyrave tona të lodhuna
kur maskat ti hedhim si zhele t'pavlera
                                                  përtokë
kena me pa të vërtetën
lakuriqësinë e fytyrave t'shoqi -shojt
kena me u kujtua, atëbotë
se t'mirë,
sa t'bukur,
sa realë,
ishim me maska...

 
Janar 2022, Itali

domenica, gennaio 23, 2022

O ç'kam me vdekë një ditë! nga E. Kaceli

 
















O, ç'kam me vdekë nji ditë
                                           nga kafshimet
nga kafshimet e pabesta të njeriut tinzar!

Kam me vdekë i helmuem
-pa derdhë grimën e gjakut
prej trupit tem të lodhun
pa ndi dhimbje
                       -askund
në asnji qelizë
vetëm kam me ra pabesisht
                                           përtokë
nën pabesinë tinzare të kafshimit
                                           gjarpuner
mbretni e frikshme,
-Kam me humbë patjetër!

O ç'kam me vdekë një ditë
prej kafshimit të pabesë, tinzar!
Kam me vdekë!
Kam me harru me marrë frymë!
 
E pranoj!-kam frikë...
 
Shqipëri, shtator 1989 -Itali, janar 2022

domenica, gennaio 16, 2022

Dashuri në kohë e terrorizmit! Nga E. Kaceli, Itali

 

Eralda Baze Foto E. Kaceli

Shënim për romanin bashkëkohor "Dielli më perëndon në Lindje" të romancieres Eralda Baze
 
Sipas Gabriel Garcia Marquez ka pasë "Dashuri në kohën e Kolerës"!
Romancierja shqiptare Eralda Baze thotë "Dielli më perëndon në Lindje!"
Sipas mejet, romani, i shkrimtares bashkëkohore shqiptare, që po rrin në listën e librave më të shitur në Shqipëri, duhej të kishte një titull tjetër të ngjashëm me të Markez-it, një titull më tregtar!
Për shembull:"Dashuri në kohën e terrorizmit"
E kur flasim për terrorizmin nuk kemi parasysh terrorizmin që ka thjeshtë një shpërthim eksplozivi apo bombe! Shpërthimi  është vetëm rezultati final! Vdekja fizike e njeriut!
Vdekja fizike nuk është asgjë në krahasim me vdekjen shpirtërore që i ndodh përditë e nga pak intelektualit shqiptar!

Nga faqja e parë, e deri në fundin tragjik të romanit, autorja ka sjellë, pa  e deklaruar asnjëherë (dhe kjo është arritja më kryesore e romancieres Baze) këtë formë të terrorizmit!
Terrorizmin ndaj intelektualëve, në Shqipëri, në Ballkanin tmerrësisht lindor, e në përgjithësi në Lindje.
Tirana është pasqyra më e spikatur, pasqyra më reale. Përpara se të marrë formën e një bombe shpërthyese në një vend të Lindjes, ku perëndon tragjikisht dielli, terrorizmi ndaj intelektualëve ka fillua qysh më herët! Na shoqëron kudo: Në shtëpi, në zyrë, në ambjentet e punës, në rrugë, para televizorit, në median e shitur, në kafe...

Me një gjuhë të zhdërvjelltë rrëfyese, njohëse perfekte e strukturës së romanit bashkëkohor, ku përzihen në mënyrë të përsosur humori, ironia dhe autoironia, limfa e jetës, autorja bën autopsinë e kohës dhe gjëndjes në të cilën ndodhet intelektuali shqiptar!
Ambjenti mbytës, paragjykimet, dhuna psikologjike dhe ajo fizike, dhuna e fjalës, mungesa e kushteve më normale të një shoqërie normale, janë fillesat dhe vijimësia e terrorizmit që do të finalizohet me një shpërthim vrasës!

E ndërsa ti, intelektuali i sotshëm (personazhet e romanit) lypën rrugëdaljen nga terrori psikologjik dhe psikopatia mërzitëse e Tiranës, përfundon rrugëve të botës, ku fati yt si intelektual shqiptar i ngjan, tmerrësisht, fatit të intelektualëve të mbarë Lindjes!

Eralda Baze, na bën të ndjekim, thuajse me një frymë, nga faqja e parë, deri në të fundit, pa e ndalë asnjë moment ritmin narrativ, dramën intelektualëve shqiptarë të rinj, që kërkojnë të bëjnë ndryshimin! Ndryshim që ndesh në rrugë dramën e intelektualëve të Lindjes!
Një dramë, në dramën e madhe, spikat drama e femrave intelektuale shqiptare tipike e femrave të Ballkanit, e femrave të Lindjes, dielli i të cilave, perëndon përditë nën trysninë e maskilizmit, në kërkim të një rrugëdaljeje të kotë! Një rrugëdaljeje krejt të pamundur!
Shpërthyese...

Një përgëzim edhe për botimet "SCHNELL" që ia kanë dal të zgjedhin me guxim e sukses, në mes prezantimit të një autoreje të panjohur deri tani për publikun dhe përfitimit nga tregu i rrëmujshëm i librit në Shqipëri, që si rregull publikon e promovon vetëm emra të njohur të prozatorëve të huaj!

Edmond Kaceli, Itali, janar 2022

domenica, gennaio 09, 2022

Kur u shembën statujat... nga E. Kaceli















Kur u shembën statujat
(nën rrëmujën dhe delirin e turmës)
turma u çmend prej gëzimit...
Në çmendje e sipër, turma e çmendur
filloi ndërtimin e statujave të reja
Themelet po ato!

Vetëm një, theksoj, vetëm një,
nga mijërat e turmës së çmendur
u afrua të shihte bronxin hijerëndë
derdhur sipas formave të atyre që
                                                   dikur,
në një kohë të afërt, sundonin turmën!
Forma të bukura, bronx i cilësisë së lartë!

Hodhi sytë brenda, ndërsa turma në delir
vallëzonte përreth themeleve
në pritje të statujave të reja
                                           sundimi

Kurioz i madh! Hodhi sytë!
-pa boshllëkun e madh brenda statujave
Ishte një njeri i vetëm!
Përballë mijërave turmave të çmendura...


Itali, janar 2022