Lexues

sabato, gennaio 29, 2022

Kur maskat të bien... poezi nga E. Kaceli

 

 











Kur distancat të bien
të rrëzohen, krejt si Muri i Berlinit
me zhurmë kur ra,
pa zhurmë kur u ngrit
prej fantazive t'liga t'sundimtarëve t'botës
ku mbetëm t'prangosun,
                     t'mbyllun
                     t'izoluem
pa mujtë me ba nji hap afrimi
Kena me kuptu sa mirë ishim të distancuem!

Kur maskat të rrëzohen
prej fytyrave tona të lodhuna
kur maskat ti hedhim si zhele t'pavlera
                                                  përtokë
kena me pa të vërtetën
lakuriqësinë e fytyrave t'shoqi -shojt
kena me u kujtua, atëbotë
se t'mirë,
sa t'bukur,
sa realë,
ishim me maska...

 
Janar 2022, Itali

domenica, gennaio 23, 2022

O ç'kam me vdekë një ditë! nga E. Kaceli

 
















O, ç'kam me vdekë nji ditë
                                           nga kafshimet
nga kafshimet e pabesta të njeriut tinzar!

Kam me vdekë i helmuem
-pa derdhë grimën e gjakut
prej trupit tem të lodhun
pa ndi dhimbje
                       -askund
në asnji qelizë
vetëm kam me ra pabesisht
                                           përtokë
nën pabesinë tinzare të kafshimit
                                           gjarpuner
mbretni e frikshme,
-Kam me humbë patjetër!

O ç'kam me vdekë një ditë
prej kafshimit të pabesë, tinzar!
Kam me vdekë!
Kam me harru me marrë frymë!
 
E pranoj!-kam frikë...
 
Shqipëri, shtator 1989 -Itali, janar 2022

domenica, gennaio 16, 2022

Dashuri në kohë e terrorizmit! Nga E. Kaceli, Itali

 

Eralda Baze Foto E. Kaceli

Shënim për romanin bashkëkohor "Dielli më perëndon në Lindje" të romancieres Eralda Baze
 
Sipas Gabriel Garcia Marquez ka pasë "Dashuri në kohën e Kolerës"!
Romancierja shqiptare Eralda Baze thotë "Dielli më perëndon në Lindje!"
Sipas mejet, romani, i shkrimtares bashkëkohore shqiptare, që po rrin në listën e librave më të shitur në Shqipëri, duhej të kishte një titull tjetër të ngjashëm me të Markez-it, një titull më tregtar!
Për shembull:"Dashuri në kohën e terrorizmit"
E kur flasim për terrorizmin nuk kemi parasysh terrorizmin që ka thjeshtë një shpërthim eksplozivi apo bombe! Shpërthimi  është vetëm rezultati final! Vdekja fizike e njeriut!
Vdekja fizike nuk është asgjë në krahasim me vdekjen shpirtërore që i ndodh përditë e nga pak intelektualit shqiptar!

Nga faqja e parë, e deri në fundin tragjik të romanit, autorja ka sjellë, pa  e deklaruar asnjëherë (dhe kjo është arritja më kryesore e romancieres Baze) këtë formë të terrorizmit!
Terrorizmin ndaj intelektualëve, në Shqipëri, në Ballkanin tmerrësisht lindor, e në përgjithësi në Lindje.
Tirana është pasqyra më e spikatur, pasqyra më reale. Përpara se të marrë formën e një bombe shpërthyese në një vend të Lindjes, ku perëndon tragjikisht dielli, terrorizmi ndaj intelektualëve ka fillua qysh më herët! Na shoqëron kudo: Në shtëpi, në zyrë, në ambjentet e punës, në rrugë, para televizorit, në median e shitur, në kafe...

Me një gjuhë të zhdërvjelltë rrëfyese, njohëse perfekte e strukturës së romanit bashkëkohor, ku përzihen në mënyrë të përsosur humori, ironia dhe autoironia, limfa e jetës, autorja bën autopsinë e kohës dhe gjëndjes në të cilën ndodhet intelektuali shqiptar!
Ambjenti mbytës, paragjykimet, dhuna psikologjike dhe ajo fizike, dhuna e fjalës, mungesa e kushteve më normale të një shoqërie normale, janë fillesat dhe vijimësia e terrorizmit që do të finalizohet me një shpërthim vrasës!

E ndërsa ti, intelektuali i sotshëm (personazhet e romanit) lypën rrugëdaljen nga terrori psikologjik dhe psikopatia mërzitëse e Tiranës, përfundon rrugëve të botës, ku fati yt si intelektual shqiptar i ngjan, tmerrësisht, fatit të intelektualëve të mbarë Lindjes!

Eralda Baze, na bën të ndjekim, thuajse me një frymë, nga faqja e parë, deri në të fundit, pa e ndalë asnjë moment ritmin narrativ, dramën intelektualëve shqiptarë të rinj, që kërkojnë të bëjnë ndryshimin! Ndryshim që ndesh në rrugë dramën e intelektualëve të Lindjes!
Një dramë, në dramën e madhe, spikat drama e femrave intelektuale shqiptare tipike e femrave të Ballkanit, e femrave të Lindjes, dielli i të cilave, perëndon përditë nën trysninë e maskilizmit, në kërkim të një rrugëdaljeje të kotë! Një rrugëdaljeje krejt të pamundur!
Shpërthyese...

Një përgëzim edhe për botimet "SCHNELL" që ia kanë dal të zgjedhin me guxim e sukses, në mes prezantimit të një autoreje të panjohur deri tani për publikun dhe përfitimit nga tregu i rrëmujshëm i librit në Shqipëri, që si rregull publikon e promovon vetëm emra të njohur të prozatorëve të huaj!

Edmond Kaceli, Itali, janar 2022

domenica, gennaio 09, 2022

Kur u shembën statujat... nga E. Kaceli















Kur u shembën statujat
(nën rrëmujën dhe delirin e turmës)
turma u çmend prej gëzimit...
Në çmendje e sipër, turma e çmendur
filloi ndërtimin e statujave të reja
Themelet po ato!

Vetëm një, theksoj, vetëm një,
nga mijërat e turmës së çmendur
u afrua të shihte bronxin hijerëndë
derdhur sipas formave të atyre që
                                                   dikur,
në një kohë të afërt, sundonin turmën!
Forma të bukura, bronx i cilësisë së lartë!

Hodhi sytë brenda, ndërsa turma në delir
vallëzonte përreth themeleve
në pritje të statujave të reja
                                           sundimi

Kurioz i madh! Hodhi sytë!
-pa boshllëkun e madh brenda statujave
Ishte një njeri i vetëm!
Përballë mijërave turmave të çmendura...


Itali, janar 2022