Lexues

giovedì, febbraio 22, 2018

Fatkeqësi e përgjithshme

nga E. Kaceli

Kemi humbë në lidhje pa kuptim
në lidhje që kurrë nuk janë lidhje
që kurrë nuk ishin lidhje... As në të ardhmen!

Kemi humbë, kemi tretë...

Kemi harruar një lule, një erë,një pikë lagësht në mëngjez,
shijen e borës, akullin dhe diellin e bregdetit, frymëmarrjen,
fjalën, shijen e gjuhës, puthjen, përkëdheljen...

Në gjumë kompiuterash biem të flejmë,
çohemi, hamë, dhjesim, flejmë prapë!
Në ëndrra elektronike jetojmë
përditësohemi, shkëmbejmë lumturi, shumohemi...
Shumohemi krejt si nëpër gjendjet (status) boshe...

 
Rrugës kthejmë sytë kur ndeshim veten!
Mbërthejmë veten në befasi!-O zot!
Të trembur kthejmë kryet në anën tjetër!
Arratisemi prej gjithçkaje njerëzore
Prej vetes ikim, njësoj si të çmendurit e pashpresë!

Harrojmë tingullin e një zëri, një kënge,
shurdhuar në zhurma njoftimesh, gjendjesh,
heliogrifesh pa kuptim, shenjash, fytyrash,
krijuar në zyra të mbyllura prej qënieve të mirëpaguara
Nëpër zyra -kasafortash virtuale, aty
ku fatkeqë si ti, si unë, si ne të gjithë,
krijojnë Hiçin e Madh

Në qendër të Hiçit jemi ulë këmbëkryq!
Skllevër të Hiçit harrojmë gjithçka që ka vlerë
Fatkeqë, presim të nesërmen...

Nesër...
E nesërmja harron të vijë!

Itali, shkurt 2018

sabato, febbraio 10, 2018

Ikin ditet!


sabato, febbraio 03, 2018

Në Shqipëri ka një problem të madh!

Satirë nga E. Kaceli

Në Shqipëri ka një problem të madh! Një problem që po e gërryen këtë vend të bekuar dita -ditës. Po e shkatërron nga brenda. Po e rrënon!

Ju mendoni se problemi më i madh është varfëria!
Jo! Shqiptarët, në varfërinë e tyre, janë njërëzit më të pasur në botë!

Ju mendoni se problemi është kufiri detar me Greqinë apo probleme të tilla të mëdha që shqetësojnë një nacion normal!
Jo! Shqiptarët janë në gjendje të jetojnë në fqinjësi të mirë me gjithkënd. Janë aq dashamirë me të huajin sa kur të ftojnë për vizitë në shtëpi të thonë (turqisht përzier me shqip): Hoshgjedën! Shtëpia është e mikut dhe e Zotit! Për këtë arsye nuk e kanë pasë për gjë të shkatërrojnë të gjitha shtëpitë e Zotit, për hatër të ideve që pruri një mik nga populli vëlla kinez!

Disa mendojnë se problemi më i madh i shqiptarëve është opozita! E ky problem harrohet kur shqiptarët kuptojnë se opozita është thjeshtë një pozitë e ardhshme! Që në rastin më të keq do të vijë në pushtet me një emër të bukur, psh "rilindje"! Duke zëvendësuar, sipas një rrotullimi perfekt, ciklin e zëvendësimit të komunistëve të kuq (rozë) me komunistët blu!
Të gjithë e dinë se shqiptarët e Shqipërisë kanë një problem të madh! Por askush nuk është në gjendje të thotë me të parën, se kush është problemi më i madh që shqetëson Shqipërnë dhe banorët e sajë!

Nuk është pozita! Nuk është opozita! Nuk është varfëria!Nuk është pasuria! Nuk janë fqinjët!
Shqipëria ka një problem të madh! Një problem jashtëzakonisht të madh! Shqetësues deri në ekstrem! Një problem të pazgjidhshëm! Një problem...

Problemi më i madh i Shqipërisë është se në të jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh!
Dhe kjo nuk është gjë e vogël!