Lexues

mercoledì, agosto 16, 2023

Varri i ushtarit Aldo poezi nga E. Kaceli

 
Varri i ushtarit       Foto E. Kaceli

Një kuadrat gurësh
një kryq i thjeshtë
një emër
një moshë (22)
një lule
Ky është varri i ushtarit Aldo!

Përkrah, qindra varre të tjerë
rrethojnë ushtarin Aldo
Dallojnë varret rrethuese!
(mermeri i rrallë, graniti
shkrimet,
               kryqet e bukura
E ndonjë statujë nxirë nga koha.)

Varri i ushtarit Aldo
i thjeshtë, ngulur në tokë
Heshtë pikëllimi 22 vjeçare
Shuar në mbrojtje të varreve të tjerë...

Dogliani, Itali, gusht 2023

domenica, agosto 06, 2023

TË JETOSH NËN SEKTIN E RILINDJES! -nga E. Kaceli Itali

 
-Për librin e dytë të shkrimtares Eralda Baze "Zambaku i Kanionit"
-Një tjetër zambak në letërsinë shqipe!


Letërsia shqiptare e 30 viteve të fundit ka vuajtur dhe vijon të vuajë për letërsinë e ashtuquajtur të rëndë: romanin. Mungesa e romancierëve të mirëfilltë në këto vite, me ndonjë botim të rrallë tek- tuk, dhe përhapja masive e poetëve të rrjeteve sociale, ka ndrydhur këtë zhanër të letërsisë shqipe në maksimum, duke e kaluar në plan të dytë ose të tretë.
Por me këtë nuk është aspak dakord romancierja e pazakontë Eralda Baze dhe shtëpia botuese "Schnell", që pas romanit të parë “Dielli më perëndon në Lindje” 2021, në top listën e shitjeve gjatë këtyre tre viteve, vjen me romanin e dytë "Zambaku i Kanionit".
Natyrisht në një vend ku korrupsioni, krimi, pafytyrësia e pushtetarëve, varfëria ekstreme dhe pasurimi ekstrem i një grupi të vogël njerëzish të lidhur ngushtë me politikën, të bësh letërsi të mirë është e vështirë, por jo e pamundur! Këtë na e vërteton në shkallën më të lartë romancierja Eralda Baze me romanin "Zambaku i Kanionit" dalë nga shtypi këto ditë prej shtëpisë botuese "Schnell" redaktuar nga doktori i shkencave Eris Rusi. Kopertina nga piktori Stefan Taçi, art design Xhoan Guga.
Romani i posadalë nga shtypi ka filluar të ngjallë interesin e lexuesve dhe kritikëve të etur për një letërsi të niveleve të larta!

“Ishte një vend që mbahej në këmbë nga paligjshmëria!”- thotë Italo Calvino
Kjo shprehje e shkrimtarit të madh italian është më aktuale se kurrë për Shqipërinë! Një vend ku paligjshmëria ka mbërritë në formën më të lartë të ligjshmërisë!
Kësaj teme i bie në mënyrë të drejtpërdrejtë, me shumë art e talent, shkrimtarja Baze!
Një paligjshmëri e ngritur në ligj nga e ashtuquajtura "Rilindje" që (cit) në fakt nuk është organizatë politike por "një sekt" rreth të cilit sillen politikanët e të gjitha ngjyrave! Gjithëherë sipas parimit: “Sot jam unë, sot vjedh unë! Prit të vijë radha jote!”
Strukturuar në mënyrë perfekte ku rrjedha e ngjarjeve nis në dukje e qetë, ashtu siç duket edhe shoqëria shqiptare nëse i hedh një sy kuturu nga jashtë! Por pasi fillon ta jetosh nga brenda, arrin të kuptosh ritmin negativ në të cilin noton krejt vendi!

Personazhet e romanit janë pjesa e dukshme e Atdheut që ndodhet i mbërthyer keq në grackën e Sektit të Rilindjes!
Në një vend ku Safija i detyron bashkëpunëtorët e afërt ti thërrasin Sofi, ku kapterrët e komunizmit janë kthyer në gjeni të kapitalizmit tipik të barkderrëve shqiptarë si Dine Daci! Personazhe groteske, që edhe fëmijët i edukojnë me armiqësinë ndaj dijes dhe librit! Kjo armiqësi ndaj dijes, ndaj mendjes së hapur, sjell si pasojë dhunën në familje, plaga e hapur thellë e kësaj shoqërie! (Rita me Nikun)
“Edhe një shkëmb është më i ndjeshëm ndaj klithmës së grave, sesa sistemi i drejtësisë në këtë vend” -gati sa nuk ulëret Baze!
Menjëherë babëzia ekstreme e pushtetit! Babëzi që të çon rëndom në dyert e gjykatave të korruptuara deri në palcë! Të korruptuar në atë masë sa kur gjykatësit provojnë të jenë ndryshe ndodh ajo që thotë autorja "Gjyqtare që nuk mbrojnë dot veten!”
Krejt si nën pushtetin e një sekti mafioz ku politikanë e majtë e të djathtë bashkohen në korrupsionin ideor, monetar e seksual që është ulur lakuriq në të gjitha nivelet e zyrave dhe zyrtarëve të sektit! (shtetit)
Jeta e njeriut, në një vend si Shqipëria: "Ndërsa në vlerë monetare, sipas ministres së Financave, jeta e një shqiptari nuk meriton më shumë se 130 Euro/muaj". 

Sekti i Rilindjes, dhe pjesa gjoja në opozitë e këtij sekti, kanë sjellë në parlament personazhe groteske të botës së krimit e padijes, armiq të kulturës, fjalës së lirë, tutorë prostitutash, narkotrafikantë, kriminelë si Rafet Dajaku!
"- Me lekë dhe me ligje, unë fshij bythën! – i hakërrehet deputet Rafeti. I hakërrehet që çke me të! Pse, kot kishte paguar një thes me pare për atë mut mandati? Në publik duhej gjithmonë të thoshte “fituar… kam fituar mandatin”. Kështu e kishin porositur shokët e Rilindjes."
Pra kriminelët me jaka të bardha nuk ndalen para asgjëje! As përpara fatkeqësive natyrore si tërmeti apo më pas Covid -19! Fatkeqësia e njerëzve shihet vetëm si burim pasurimi nga politika dhe politikanët! Asgjë më tepër!
"Pastaj vjen tërmeti si dorë e Zotit të zemëruar për të rrënuar më keq këtë popull dhe këtë vend që: Pikëllimi i ka zënë vendin e oksigjenit, lotët atë të dioksidit. Njerëzit thithin pikëllim dhe nxjerrin lotë. Kjo është frymëmarrja e re e këtij vendi të gjunjëzuar"
“Pas varfërimit të madh dhe shpopullimit të shpejtë, tërmeti duket gozhda e fundit mbi arkivolin e shqiptarëve…"
Këtu fillon të kulmojë romani (që ngjan me një pamflet të mirëfilltë kundër politikës shqiptare, por pa e ulur në asnjë moment anën artistike -strukturore të letërsisë së rëndë)  me një tjetër alternativë: të arratisjes nga Shqipëria!
Baze e shikon idealisht fshatin si shpëtim! Fshatin si alternativë e ikjes nga Shqipëria, në fakt si alternativë e arratisjes nga Tirana, nga "sekti i Rilindjes" që ka betonizuar kryeqytetin, por që po shëndrron në beton e hekur gjithë Shqipërinë!
Por edhe kjo alternativë e fundit e qëndrimit në Shqipëri po vdes nga rrëmbimi, shqyerja dhe shkërdhimi i virgjërisë së natyrës!
Personazhi i Seferit thotë, ndërsa sheh fshatarët që shqyejnë Tomorrin, malin e Shenjtë, "Ata trutharë që sheh përballë kanë vetëm gojë. Gojë për të ushqyer. Të mëdhenjtë sipër tyre kanë vetëm thasë, thasë për të mbushur me lekë. Kështu vazhdon zinxhiri i maskarallëkut në këtë vend."
Por e keqja të gjen edhe në vendet më të bukura e më të virgjëra të natyrës siç është Ujëvara e Sotirës!
"Ngaqë e keqja sot vjen me fytyrë njeriu, që flet në gjuhën tënde? Me një gjuhë shumë lajkatare madje, kur ka votime. Të vjen me buzëqeshje, të puth duart, të përqafon, të qan hallin, të premton zgjidhje. Të kërkon besën, pastaj të kafshon pak e nga pak. Në fillim, herë nuk e ndjen, herë nuk do ta kuptosh. Kur më në fund e ndjen dhe e kupton, është tepër vonë. Kuçedra veshur me kostum firmato t’i ka ngulur dhëmbët deri në kockë! Por nuk mbaron këtu! Të detyron edhe të kërcesh! Të kërcesh si Çeçua! Me një tallava të pështirë që refrenin e ka, gjeje pak … “Ta hëngsha zemrën!"

Edmond Kaçeli, Itali