Lexues

sabato, novembre 25, 2017

Arnoni rrjetat -peshqit po ikin ditën për diell!

Pamflet nga Edmond Kaceli

Lajmi: Përpara se të binin në rrjetën e policisë, një treshe policësh të rangut të lartë, të akuzuar nga drejtësia, arritën të ikin në kohën e duhur!

Shumë të përgatitur këta drejtuesit e lartë të policisë shqiptare! As policia që duam nuk mbërriti ti kapë në kohën e duhur!
Bravo çuna! Ikët në kohë! Ia hodhët paq. Të paktën për momentin.
Nuk jam në gjendje të them nëse arritët të merrnit me vete ndonjë shumë të mjaftueshme parash në kesh? Apo paratë i keni depozituar nëpër bankat e botës me kohë e me vakt! Jeta në arrati është shumë e vështirë, kërkon mund e sakrifica! Kam besim se jeni të përgatitur çuna!
Gjatë viteve të pushtetit, të tepsive të shkuara, dhe të tepsisë aktuale, besoj keni arritë të bëni para të madhe me punën tuaj të ndershme si drejtues të lartë të policisë së shtetit!
Mirë bëtë që ikët  në drejtime të paditura! Pse prangat politike do të pranonit ju!

Tani janë hedhur në kërkim se kush ju njoftoi! Dhëntë Zoti mos arrestohet ndonjë kryeplak prej katundit nga keni prejardhjen. Kjo simbas logjikës së drejtësisë së Timonierit të Madh: Faji në fund të fundit, është i kryeplakut të fshatit nga keni origjinën!
Me ligj, kryeplaku i fshatit duhet të dijë të gjitha drejtimet e ditura dhe të paditura të fshatarëve të tij, pavarësisht nga posti drejtues që kanë në shtetin shqiptar që do të bëhet një ditë!
Logjikisht dhe ligjërisht, për largimin në drejtim të paditur të tre drejtuesve të policisë, besoj nga fshatra të ndryshme, pritet të arrestohen tre kryepleq! Gjithëherë nëse nuk ka rrjedhje të informacionit, dhe kryepleqtë arrijnë të largohen nga sytë këmbët, në tre drejtime të mosditura! Arratia e kryepleqve, do të shëndrronte operacionin "Forca e ligjit" në "Forca e Leshit".

Si është kjo puna e peshqve!
Rrjeta hidhet në detin e korrupsionit dhe fap!-Del bosh!
Sytë që t'iu pëlcasin të gjithë peshkatarëve! Të gjithë peshkatarëve, duke nisur nga Timonieri i Madh, Timonierët e Vegjël, Timonieri i Policisë dhe deri tek peshkatari Lu, (alias Ambasadori Amerikan)

Këtyrë të vetëquajturve peshkatarë,  populli shqiptar, shumë largpamës në fushën e peshkimit, iu kishte thurur, shumë vjet më përpara se të niseshin për peshkim, këngën:
Peshkatari shkoi për peshk
hodhi rrjetat, zuri lesht!
Zotërinj peshkatarë, që të mos zini prapë lesht herën tjetër, lutem arnoni rrjetat!
Nëse nuk dëgjoni këshillën time, ju siguroj: Arnoni rrjetat! -se në rast mosarnimi të rrjetave, prapë peshqit do t'iu ikin ditën për diell, e prapë, siç thotë populli, do të zini vetëm leshtë!

lunedì, novembre 20, 2017

Me çfarë kanë udhëtuar partizanët?

Pamflet

Të shpejtë këta trimat partizanë! Me 17 nëntori çliruan Tiranën. Hop më 20 çliruan Pukën! Tak fap më 23 nëntor çliruan Lezhën! E në vijim, sa hap e mshil sytë, më 28 në darkë, duke u zbardhë 29 nëntori çliruan qytetin e madh të Shkodrës! Me çka dreqin udhëtonin kaq shpejt partizanët në 1944-ën!
Të shpejtë, shumë të shpejtë këta trimat e kuq!

Gjysma e dytë e nëntorit është e mbushur plot e përplot me të ashtuquajturat Festa të çlirimit të disa qyteteve të rëndësishme në zonën veriore të vendit.

Kështu: Historianët thonë se kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana u çlirua nga gjermanët më 17 nëntor. Krejt dakord! I rrethuam gjermanët, i vramë e i sakatuam. Rrëmbyem radiostacionin... bëmë edhe një paradë feste. Festa zgjati, dy ose tre ditë...

Pikërisht, ndërsa festohej çlirimi i kryeqyetit dhe gjermanët e shkatërruar keq nga forcat partizane(!) tërhiqeshin nga Shqipëria, filloi çlirimi i pjesës së mbetur të vendit.
Sipas historisë komuniste, ndërsa në Tiranë festohej fitorja, filloi dhe çlirimi i pjesës tjetër të Shqipërisë së Veriut.
(Mirdita, fqinjë e Lezhës, ishte çliruar rreth një muaj më parë!)
Më 20 nëntor rezulton të jetë liruar prej gjermanëve Puka, me 23 nëntor Lezha!
E rreth një javë më pas çlirohet Shkodra!
Gjithçka u bë pas luftimeve të ashpra, shumë të ashpra e shumë- shumë të ashpra. Deri këtu jemi në rregull me historinë komuniste!
(Këtu ka një problem të vogël!  Psh. në luftën për çlirimin e Lezhës nuk rezulton asnjë gjerman i vrarë, dhe asnjë partizan i rënë në ditën e çlirimit, apo para e pas ditës së çlirimit!)

Unë kam dyshuar dhe vijoj të dyshoj gjithëherë, siç thoshte dhe Marksi (apo Lenini?!) "Dysho për të gjitha!"
Për 14 ditë! -si është e mundur që një ushtri e kequshqyer, e  keqveshur, e keqorganizuar, e pastërvitur, pa asnjë mjet transporti motorik, të ketë lëvizur dhe luftuar për 15 ditë, e të ketë çliruar, me luftime të jashtëzakonshme, një linjë të tillë nga Tirana deri në Shkodër?

Të ecësh nga Tirana në Shkodër me makinat e kohës së sotshme, në rast trafiku, bën gati një ditë. E jo të ecësh maleve e kodrave të veriut, me armë në dorë, me barkun bosh, nën breshërinë e plumbave të ushtrisë më të egër të kohës. (Më duket gjermanët lëviznin dhe me mjete të motorizuara, e shkatërronin dhe urat e pakta që lidhnin të vetmen rrugë kryesore nacionale)
A ka mbetë gjallë, ndonjë nga ish-veteranët, apo historianët tanë të shquar, që më kthjellon trurin: Me çfarë lëvizën partizanët kaq shpejt? Se mua më duket të kenë lëvizuar si në filmat fantastiko -shkencorë...
Mos u merrni me sqarime bosh! Vetëm më thoni me çfarë udhëtonin partizanët në '44 kur për një javë çliruan linjën nga Tirana në Shkodër!
Ma gëzofshi ditën e Lirimit që bie në datën kur t'iu mbushet rradakja!

E.Kaceli

mercoledì, novembre 01, 2017

Lamtumirë Leo!


Nuk është tragjedi të vdesësh, tragjedi është të mos jetosh. (L.K)

L'immagine può contenere: 1 persona, selfie e primo pianoNëse doni të kuptoni kush ishte Leonard Kola, poeti lezhjan, i ndarë nga jeta në moshën 44 vjeçare, lexoni disa nga krijimet e tij më pikante:

Një ditë zonja shkon për vizitë në kasollen e vajzës dhe thotë: E tmerrshme ku jetoni ju me kandil, dyshek me kashtë! Uuu, tmerr!
Vajza ia kthen: Nuk e di çfarë ëndrrash shikoni ju në krevatin tuaj, por unë në dyshekun me kashtë shoh ëndrrat më të bukura! Zonjë, në pallatin tuaj ka llampadar, kurse në kasollen time ka dritë.
-Leonard Kola nga romani në përfundim "Bastardja"
-Ne bëjmë Shqipnin etnike duke e ba hartën e vjetër të fluturojë me dron në Beograd.
Këngëtarja shqiptare pushton Rusinë duke kënduar në një shesh! Cristiano Ronaldo tronditi botën duke bërë shenjën e shqiponjës në Maqedoni!
Më kujtohet një film shqiptar ku dikush pyet femijën: Hë debatikas bëtë ndonjë aksion sot?
Po i thotë bëmë. Hodhëm një trakt tek një derë. Por aksioni më i madh është se morëm portretin e Duçes, ia lidhëm në bisht një qeni që zuri të vraponte, dhe koka e Duçes u bë copa-copa .
Dhe kështu u çlirua Shqipëria nga debatikasit.
Kurse tani debatikasit e sotëm po e zhvillojnë Shqiperinë duke shpërndarë ne rrjetet sociale lajme nga Shqipëria qe trondisin botën. Aferim!
Kësaj i thonë: Fluturoj me .....dron për në Amerikë
-Leonard Kola nga një status në FB

Shpirti
Poezi nga Leonard Kola

Shpirti përgjumet,
Përkundur mbi valët,
E detit të trazuar,
Mbështjellë me pëlhurën,
E pangjyrë të natyrës,
FLE
Përqafuar me hirin e ëndrrave,
Që u fikën pa marrë jetë.

Lamtumirë miku im, poet dhe artist! Lamtumirë pengu dhe dhimbja ime sa herë takoheshim në Lezhën tonë të vogël, e të madhe sa bota! Sa herë i shkruanim njëri tjetrit!
Lamtumirë Luftëtari i përhershëm i jetës. Jeta jote e shkurtë, ishte një luftë, një sfidë e përditshme, me sëmundjen, deri në çastin kur, pa pyetë njeri, vendose të largoheshe në mënyrën më dinjitoze, më fisnike! Lamtumirë krenari dhe shembulli im deri në largimin nga jeta!
Lamtumirë! Me ikjen tënde, Lezha, ( ai vendi ynë i dashtun, ku të gjithë njohin të gjithë, e ku njerëzit shpesh, harrojnë të njohin veten) humbi një nga pjesëzat më të bukura të sajë.
Leo -më dhemb aq shumë humbja jote!Aq shumë, sa më duket e pakuptim të shkruaj: Të kjoftë i lehtë dheu!
Lamtumirë miku im fort i dashtun e fort i shtrenjtë! Deri në dhimbje...


Edmond Kaçeli, Itali