Lexues

mercoledì, dicembre 18, 2019

Satirë: Don Kishoti i Mançës vs Don Kishoti i Surrelit nga E. Kaceli






Këtu prehet Don Kishoti
Ish i fortë e ish i zoti
botën mbrapç desh ta kthente
e me ushtëzë ta mbërthente!

Në kryeveprat e letërsisë botërore kam veçuar qysh prej kohësh "Don Kishotin e Mançës" të Miguel de Cervantes Saavedra. (Sa herë më ka shkuar ndërmend emri i tij i gjatë!) dhe "Ushtarin e mirë Shvjek" të Jaroslav Hašek. Është e kotë të thuri lëvdata të pafundme për këto dy kryevepra nëse nuk i keni lexuar të paktën dy herë!

Kësaj radhe po e lë Shvjekun në aventurat e tij si ushtar model i një Perandori që mizat i dhisnin portretin, për tu marrë për disa radhë me Hidalgon, Kalorësin e Fytyrës së Vrerosur Hirësinë tij Don Kishotin e Mançës!

Trim i çartur e fisnik në marrëzinë e tij, një ditë të bukur i hipi kalit më të famshëm në botë, Rosinantit, e i ndihur bujarisht e jo krejt marrëzisht, nga shqytari besnik, rondokop e kryetul Sanço Pança, u nis të luftonte kundër... Mullinjve të erës!
Pa e ditur se një ditë do të ringjallej e rimishërohej në një fshat në qoshe të Tiranës, që do të bëhej menjëherë i famshëm ndër mediat kombëtare e ndërkombëtare në Surrel, Shqipëri!
Mori për grua Dylqinjën e Tobozës, që e kishta fantazuar qysh në moshë të re, mori emrin e fshatit ku u rimishërua, dhe nga Don Kishoti i Mançës, u vetëshpall Don Kishoti i Surrelit.
E në vijim autovendosi titujt: Don Kishoti i Surrelit, Kalorës i Reformës në Drejtësi, Lider i Rilindjes, Kryelider i Ballkani Perendimor, Hero Kombëtar i 7 miljon Shqiptarëve, Mishërim dhe Udhërrëfyes i Besimeve Fetare, Parashikues i Fatit, Kryeinxhinier i Perandorisë së Arnautistanit...
E një mori titujsh që për arsye vendi dhe kohe po i lëmë pa i përmendë me shpresën e mirë se Heroit të Lizës nuk do na i mbesë hatëri! Se kur i mbet hatëri këtij farë burri, del nga hullitë e nuk ka Taulant Ballë ta kthejë në metrò!

Don Kishoti i Surrelit ndryshon në disa drejtime krejt të vogla nga ai i Mançës, gjëra krejt të parëndësishmë si:
-Surrelsi ka lexuar një numër zero librash kalorësie se përndryshe do të kishtë një gjuhë më të moderuar!
-Surrelsi në vend të Rosinantit përdor mjetet më luksoze e  më të shtrenjta për tu zhvendosur nga Surrel Selia në zyrat e Hyqymetit, ose nëpër rrugët e Vilajetit, kur takohet bythë më bythë me popullin që e don kaq shumë!
-Ka ndryshuar edhe Sanço Pança! Herë e thërrasin Taulant, herë Alfred, herë Ulsi, herë Elizë, herë Erion, herë Blendi, herë Pandi, herë me zhabë (barkalec) e herë pa zhabë, herë mashkull, e herë femër!
-Nuk po flasim për Dylqinjën! Surrelsi ka ndërruar disa, deri kur gjeti Dylqinjën e vërtetë jo të Tobozës, por Dylqinjën e Sistemit Bankar!
I ndan edhe një pikë e veçantë: Don Kishoti i Mançës, në të dyja volumet i shpall luftë të përjetshme Mullinjve të Erës.
Don Kishoti i Surrelit i ka shpallë luftën më të ashpër çdo lloj mediet vizuale, të shkruar, digitale, sociale e tërci -vërci! Me parimin: Blej të gjithë ata që shiten, gjobit, pusho nga puna apo arresto ata që nuk pranojnë çmim, vijon të vërtisë shpatën digitale të kërcënimit për të gjithë ata që nuk mendojnë si ai, dhe për të gjithë ata që e dinë se Don Kishoti një ditë do të ikë nga zyrat e Hyqymetit!

Çudia më e madhe qëndron në faktin se asnjë nga vasalët (meshkuj apo femra) e tij të stërshumtë e kryeulur, nuk marrin guximin të luajnë rolin e berberit të dhe doktorit të fshatit të Mançës, që me delikatesë ia vinin në dukjë marrëzinë gjeniut të Mançës kur luftonte më Mullinjtë e erës!
Askush nuk merre guximin ti thotë Don Kishotit të Surrelit: Dy beteja nuk mund ti fitosh kurrë: Betejën me Mullinjtë e Erës dhe Betejën me Shtypin e Lirë! Kush ka marrë guximin t'iu shpallë luftë ka humbur dhe do të humbase përherë! Tung!